FJALOR FILOZOFIK GERMA P


FJALOR FILOZOFIK GERMA P


PALËNDËT
Që përfytyrohet sikur nuk përbëhet nga asnjë lëndë e materie
(sipas botëkuptimit idealist e mistik); jolëndor. Një botë e palëndët.

PANTEIST
Që shpreh idetë e panteizmit ose që mbështetet në to; që ka të
bëjë me panteizmin; që ndjek dhe përkrah panteizmin. Botëkuptim
panteist. Ide (pikëpamje) panteiste. Filozof panteist. Me frymë
panteiste.

PANTEIZËM
Botëkuptim filozofik e fetar, që e sheh natyrën si mishërim të zotit 
dhe që përdoret nga filozofia borgjeze për të pajtuar shkencën me 
fenë, për të mbrojtur fenë.

PANJOHSHËM
Që nuk mund të njihet nga njeriu. Bota nuk është e panjohshme.

PASOJË
Dukuri a gjendje që lind e kushtëzohet nga një shkak ose 
nga disa shkaqe. Shkaku dhe pasoja.

PASQYRIM
1. Veti e përgjithshme e materies për të pasqyruar çdo 
veprim a ngacmim të jashtëm; vetia e psikikës dhe e ndërgjegjes 
për të pasqyruar botën e jashtme. 
2. Pasqyrimi fizik, pasqyrimi karakteristik për botën jo të gjallë. 
3. Pasqyrimi biologjik, format e ulëta të pasqyrimit të botës së gjallë. 
4. Pasqyrimi psikik, format e larta të pasqyrimit te kafshët e zhvilluara e te njeriu, 
që lidhen me veprimtarinë e sistemit të lartë nervor. 
Teoria e pasqyrimit. Ndijimi dhe pasqyrimi. Vetia e pasqyrimit.

PASQYROJ
Riprodhoj në psikikë e në ndërgjegje figurat e botës së jashtme.

PASQYRUES
Që riprodhon figurat e sendeve materiale, që pasqyron 
botën e jashtme. Aftësia pasqyruese e ndërgjegjes.

PËRFYTYRIM
Figurë e një sendi, që riprodhohet në ndërgjegje 
sipas perceptimeve të mëparshme; formë e pasqyrimit shqisor, që 
përbën një hallkë kryesore në procesin e njohjes së botës. 
Përfytyrime pamore. Përfytyrim i plotë (i qartë, i turbullt). Ndijimet, 
perceptimet e përfytyrimet.

PËRGJITHËSIM
Veprim i mendimit abstrakt me të cilin zbulohen anët dhe lidhjet e 
përbashkëta në një grup sendesh a dukurish, për të formuar nocionet
e kategoritë, ligjet e shkencës e teoritë shkencore.

PËRJETSHËM
Që nuk ka as fillim as mbarim në kohë; kund. i 
përkohshëm. Lëvizja e përjetshme e materies. Natyra (bota) 
është e përjetshme.

PËRMBAJTJE
Tërësia e përbërësve, e proceseve dhe e funksioneve të 
një sendi a të një dukurie të botës që shprehet me një formë të 
caktuar; brendi. Përmbajtja dhe forma. Përmbajtja ideologjike 
(ideore) e veprës. Lidhja e pashkëputur ndërmjet formës dhe 
përmbajtjes. Njësia e formës dhe e përmbajtjes. S`ka formë pa 
përmbajtje dhe s`ka përmbajtje pa formë.

PËRVOJË
Tërësia e perceptimeve shqisore që fiton njeriu gjatë 
ndërveprimit të vet me botën e jashtme dhe që bëhen burim i 
dijeve për këtë.

PJESSHËM
Secili nga sendet ose elementet, secila nga anët ose dukuritë që përbëjnë 
një të tërë të pandarë; pjesë; e veçantë. Nga e pjesshmja tek e përgjithshmja.

PLURALIZËM
Doktrinë filozofike idealiste, sipas së cilës qeniet, sendet e 
dukuritë e botës kanë disa fillime dhe janë të pavarura e pa lidhje 
të brendshme ndërmjet tyre.

POLITIKË
Pjesë e superstrukturës, që, si shprehje e koncentruar e ekonomisë, përgjithëson 
marrëdhëniet ndërmjet klasave, partive politike, shteteve a grupeve shoqërore.

POZITIVIST
Ithtar, përkrahës a mbrojtës i pozitivizmit. 

POZITIVIST
Që ka të bëjë me pozitivizmin, që i përket pozitivizmit, i pozitivizmit; 
që karakterizohet nga pozitivizmi, që mbështetet në pozitivizëm; që 
ndjek a përkrah pozitivizmin. Filozofi pozitiviste. Shkencëtar pozitivist.

POZITIVIZËM
Rrymë e idealizmit subjektiv, që i kundërvihet hapur filozofisë 
materialiste e ndikimit të saj në shkencat e natyrës, e quan njohjen 
njerëzore thjesht si tërësi ndijimesh, përshtypjesh e përfytyrimesh 
subjektive, që fitohen nëpërmjet shkencave konkrete dhe, mbi këtë 
bazë, mohon ligjet e përgjithshme objektive të natyrës e të 
shoqërisë e, rrjedhimisht, edhe vlerën njohëse të filozofisë si 
shkencë më vete. Pozitivizmi i sotëm (modern). Pozitivizmi logjik 
filozofi idealiste që mohon ligjet e përgjithshme të zhvillimit të botës 
objektive, të cilën e merr thjesht si një përshkrim të mbresave të 
shkencëtarëve me anë të shkronjave e të shenjave gjuhësore.

PRAGMATIK
Që mohon të vërtetën objektive, që pranon si kriter të së vërtetës 
vetëm atë që është e dobishme për borgjezët dhe u sjell këtyre 
përfitim; që mbështetet në pragmatizëm; pragmatist. Pikëpamje 
pragmatike. Qëndrim pragmatik. Shkollë pragmatike. 

PRAGMATIZËM
Rrymë e idealizmit të sotëm subjektiv, që mohon realitetin 
objektiv, ligjet e tij e të vërtetën objektive dhe pranon si kriter të së 
vërtetës vetëm atë që është e dobishme e u sjell përfitime të çastit 
kapitalistëve. Përfaqësuesit e pragmatizmit. Lufta kundër 
pragmatizmit. Kanë rënë në pragmatizëm.

PRAKTIKË
Veprimtaria e gjithanshme e njerëzve për shndërrimin e 
natyrës e të shoqërisë, që është burimi i lindjes, i zhvillimit e i 
pasurimit të teorisë dhe kriteri themelor i së vërtetës; tërësia e 
vëzhgimeve dhe e eksperimenteve shkencore, veprimtaria e njeriut 
për të zbatuar në jetë njohuritë e fituara. 

PROBABILITET
Shkalla e mundësisë objektive që të realizohet një ngjarje 
e caktuar, e cila varet nga rrethanat e rastit; lidhja midis 
rrethanave të rastit dhe ngjarjes, midis rastësisë dhe mundësisë.

PSIKANALIZË
Teori idealiste në psikologjinë borgjeze, që e shkëput psikikën nga 
kushtet e shkaqet materiale dhe gjendjen psikike e veprimet e 
njerëzve i sheh si shfaqje të pasioneve e të instinkteve të 
pandërgjegjshme; metodë për mjekimin e sëmundjeve nervore e 
psikike në bazë të kësaj teorie; një nga rrymat e filozofisë së sotme 
borgjeze, që e shpjegon në mënyrë idealiste e irracionale 
ndërgjegjen e njeriut, si edhe gjithë zhvillimin e shoqërisë njerëzore.

PSIKOLOGJIZËM
Një nga drejtimet e idealizmit subjektiv, që e quan botën objektive 
si një tërësi ndijimesh dhe i shpjegon dukuritë shoqërore e 
historike me psikologjinë e njeriut.



Indeksi

FJALOR FILOZOFIK

No comments:

Post a Comment