Showing posts with label Fjalori i Fizikës. Show all posts
Showing posts with label Fjalori i Fizikës. Show all posts

Fjalori i Fizikës - A - B

Fjalori i Fizikës - A - B



AERODINAMIKË 
Pjesë e fizikës, që studion ligjet e lëvizjes së ajrit e të
gazeve të tjera, si edhe veprimin e tyre mbi trupat e
ngurtë që lëvizin nëpër to. Ligjet e aerodinamikës.

AKUMULATOR 
Aparat i posaçëm me pllakëza plumbi të zhytura në një
lëng me acid sulfurik, që shërben për grumbullimin dhe
për ruajtjen e energjisë elektrike. Akumulator elektrik.
Akumulatorë makinash. Bateri akumulatorësh. Acid
akumulatorësh.

AKUSTIKË
Pjesë e fizikës, që studion tingujt.

ALFA
Emri i shkronjës së parë të alfabetit grek;
përdoret si simbol (a) në matematikë, në astronomi e në
fizikë për të shënuar të parin kënd; të parin yll a të
parën pikë, një lloj rrezesh e grimcash etj. në vargun e
emërtimit të tyre.

AMPER
Njësi për të matur fuqinë e rrymës elektrike (shkurt. A).

AMPERMETËR
Aparat i posaçëm që shërben për të matur fuqinë e
rrymës elektrike.

ANION
Jon me ngarkesë negative

ANODË  
Elektrodë e polit pozitiv në një burim rryme elektrike ose
e lidhur me polin pozitiv; kund. katodë. Pllaka e
anodës. Tensioni i anodës.

ANTIGRIMCË
Grimcë që ka ngarkesë të kundërt ose veti magnetite të
kundërta me një grimcë të dhënë elementare;
kundërgrimcë.

ANTILËNDË 
Lëndë e përbërë nga antigrimcat, kundërlëndë.

ANTIMATERIE
Kundërlëndë

ANTITHËRRMIJË
Kundërgrimcë

ASNJANËS
Që nuk ka ngarkesë as pozitive, as negative.
Përcjellës asnjanës.

ATMOSFERË
Njësi matëse e trysnisë së
gazeve dhe të lëngjeve, e barabartë me trysninë e një
kilogrami në një sipërfaqe prej një centimetri katror.

ATRAKSION
Tërheqje. Ligji i atraksionit. Veprimi i atraksionit.

BAR
Njësi e matjes së shtypjes atmosferike.

BATERI
Grup pilash, akumulatorësh ose kondensatorësh,
që janë lidhur së bashku për të dhënë rrymë elektrike.

BETA
Emri i shkronjës së dytë të alfabetit grek; përdoret si
simbol (β) në matematikë, në astronomi e në fizikë për
të shënuar të dytin kënd, të dytin yll, një lloj rrezesh,
grimcash etj. në vargun e emërtimit të tyre. Rrezet beta.

BËRTHAMOR
Që ka të bëjë me bërthamën e atomit; që përdor a
shfrytëzon energjinë e çliruar nga zbërthimi i bërthamës
së atomit. Energji bërthamore. Rrezatim bërthamor.
Reaksion bërthamor. Fizikë bërthamore.

BOMBARDOJ
Godit me rreze atomet a qelizat e një trupi për t`u
ndryshuar ndërtimin ose për qëllime të tjera.

BYMEJ
Zmadhoj a rrit vëllimin e një trupi me anë të nxehtësisë,
të lagështisë etj. pa i ndryshuar natyrën, e fryj; kund.
tkurr. Bymej një trup. Nxehtësia bymen (trupat).

BYMYESHMËRI
Veti e një trupi që mund të bymehet

Fjalori i Fizikës

Fjalori i Fizikës P - Q

Fjalori i Fizikës P - Q



PANGOPUR
Që nuk ka thithur ujë aq sa duhet; që përmban
sasi të pakët të një lënde tjetër të tretshme në të.
Acide të pangopura. Avuj të pangopur.

PAQËNDRUESHËM
Që nuk qëndron fort në vendin a në gjendjen e vet;
që nuk mbahet mirë, që nuk është i qëndrueshëm; që
dëmtohet a prishet lehtë; jo i shëndoshë, jo i fortë.
Baraspeshë e paqëndrueshme.

PARAMETËR
Tregues i njërës prej vetive a karakteristikave themelore të
një sendi, të një makine, të një sistemi a të një dukurie, të
cilat përcaktojnë natyrën, gjendjen, regjimin e punës etj.
Parametër teknik (fizik). Ruajtja e parametrave. Përcakton
(zbaton, kontrollon) parametrat.

PASQYROHET
Kthehet në drejtim të kundërt duke ndeshur në një sipërfaqe të
ndritshme e të lëmuar. Rrezet e diellit pasqyrohen në ujë.

PAVAZHDIMËSI
Mungesa ose ndërprerja e vazhdimësisë. Pavazhdimësi
e fushës mbi përcjellësin.

PERIFERIK
Që është larg qendrës së diçkaje; që vepron në anën e jashtme të
diçkaje; që përbën pjesën anësore të diçkaje.

PERIODË
Koha, gjatë së cilës kryhet një lëkundje e plotë
ose cikli i një dukurie. Perioda e lëkundjeve të
lavjerrësit. Numri i periodave.

PESHË
1. Rëndimi i një trupi në krahasim me të tjerë, që matet
me një njësi të caktuar; sa rëndon një trup a një send.
2. Pesha specifike. pesha e një trupi ose e
një lënde, e krahasuar me peshën e një vëllimi të
barabartë uji të pastër në temperaturën 4 shkallë
celsius.
3. Pesha atomike. pesha e atomit të një
elementi e krahasuar me atë të atomit të hidrogjenit që
merret si bazë.
4. Pesha molekulare. shuma e peshave atomike të elementeve
që përbëjnë molekulën e një trupi.

PËRBËRËS
Që merr pjesë në formimin e një të tëre; që hyn në
përbërjen e diçkaje; që është pjesë e pandarë ose e
domosdoshme e diçkaje.
Forcë përbërëse. secila nga forcat që, duke u
gërshetuar, japin një forcë të vetme.

PËRCJELL
Është përçues i mirë i rrymës
elektrike, i nxehtësisë etj.

PËRCJELLËS
Trup që lejon kalimin e nxehtësisë, të
elektricitetit, të tingujve etj., fill i metaltë me trashësi të
ndryshme, nëpër të cilin kalon rryma elektrike, përçues i
rrymës elektrike. Përcjellës i mirë (i keq, i dobët) i
nxehtësisë (i elektricitetit). Përcjellës i veshur (i
zhveshur). Përcjellës prej bakri (prej alumini).
Përcjellës për linjat elektrike (telefonike).

PËRCJELLSHMËRI
Të qenët përcjellës, vetia e një trupi për të përçuar
elektricitetin, nxehtësinë etj., përçueshmëri.
Përcjellshmëria e lartë e bakrit.

PËRÇUES
Trup që është përcjellës i rrymës
elektrike, i nxehtësisë etj.; fill metali që përdoret për të
shpënë në largësi energjinë elektrike; përcjellës.
Përçues i mirë (i keq) i rrymës. Përçues prej bakri
(prej alumini).

PËRÇUESHMËRI
Të qenët përçues, vetia e një trupi për të përcjellë
elektricitetin, nxehtësinë etj., përcjellshmëri.
Përçueshmëria e lartë e bakrit. Përçueshmëria e keqe
(e dobët) e hekurit.

PËRFORCOJ
E bëj më të ndjeshëm, më të dukshëm a
më të kapshëm një sinjal etj., duke përdorur një vegël të
posaçme; bëj që t'i shtohet fuqia një rryme elektrike a
një dukurie fizike në përgjithësi; i shtoj shkallën e
intensitetit. Ia përforcoi sinjalet (zërin). E përforcoi
rrymën. E përforcoj dritën. Ia përforcoi ngjyrën.

PËRFORCUES
Mjet i posaçëm që shërben për ta bërë më të ndjeshëm,
më të dukshëm a më të kapshëm një sinjal etj., për t'i
rritur fuqinë një rryme elektrike a një dukurie fizike në
përgjithësi. Përforcues magnetik. Përforcuesi i sinjaleve
të zërit (të figurës). Përforcuesi i dendurisë së ulët.

PËRFTUES
Lëndë, send, mjet a organ që
krijon a prodhon diçka të re. Përftues energjie.

PËRSHPEJTIM
Madhësia që tregon ndryshimin e shpejtësisë në
njësinë e kohës. Përshpejtim i njëtrajtshëm.

PËRSHPEJTOJ
Ia shtoj shpejtësinë e lëvizjes diçkaje, bëj që të
përshpejtohet. Përshpejtojnë elektronet (grimcat e dritës).

PËRSHPEJTUES
Aparat ose mjet i posaçëm që përdoret për t'u shtuar
shpejtësinë e lëvizjes grimcave të ndryshme të materies.
Përshpejtues i fuqishëm. Përshpejtues i elektroneve.

PËRTHYEJ
Ia ndërron drejtimin një rrezeje drite
etj., e thyen. Përthyen rrezet e diellit (prizmi, pika e ujit).

PËRTHYERJE
Shmangia që pëson një rreze drite, një valë zëri
etj., kur kalon nga një mjedis a nga një trup në një tjetër
me përbërje ose me dendësi të ndryshme. Përthyerja e
rrezes së dritës (e vijave të forcës, e valëve elektronike).

PËRTHYES
Aparat i posaçëm që shërben për t'u ndërruar drejtimin
rrezeve të dritës.

PËRTHYESHMËRI
Të qenët i përthyeshëm; vetia e diçkaje që është e
përthyeshme. Përthyeshmëria e rrezeve të dritës në ujë.

PËRTHYHET
Ndërron drejtimin një rreze drite, një valë zëri etj.,
kur kalon nga një mjedis a nga një trup te një tjetër me
përbërje ose me dendësi të ndryshme. Përthyhet drita në ujë.

PIKË
Kufiri i temperaturës, ku fillon ndryshimi i
gjendjes së një trupi. Pika e ngrirjes (e shkrirjes). Pika e valimit.
Pikë e vdekur. a) pika ku një trup është në qetësi, nuk lëviz pa një
shtytje të re;  b) pikë ku zëri dëgjohet shumë pak ose nuk dëgjohet fare.

PILË
Aparat që shndërron një reaksion kimik, një reaksion
bërthamor ose nxehtësinë në energji elektrike; mjet që
shërben si burim i energjisë elektrike. Pilë elektrike.
Pilë atomike. Pila e Voltës pilë e përbërë prej disa
pllakëzash zinku, të ndara nga disa rrathë cohe të
ngopur me acid sulfurik. Pilë e thatë bateri.

PLOGËTI
Vetia që ka një trup të ruajë gjendjen e qetësisë
ose të lëvizjes drejtvizore të njëtrajtshme derisa të
veprojë mbi të një forcë e jashtme e ta detyrojë të
ndryshojë këtë gjendje.

POL
Secili nga dy skajet e kundërta të një qarku
elektrik, që kanë rrymë me shenjë të kundërt; secili nga
fundet e një magneti, të një elektromagneti ose të
gjilpërës magnetike. Pol pozitiv (negativ). Polet e
burimit pika ku burimi lidhet me qarkun e jashtëm. Polet
e magnetit.

POLAR
Që ka elektricitet edhe pozitiv edhe negativ;
magnetik. Bashkime polare.

POLARIZIM
Ndryshimi i drejtimit të lëkundjeve në valën e
dritës a në valët elektromagnetike gjatë pasqyrimit dhe
përthyerjes ose kur burimi i valëve futet në fushë
magnetike. Polarizimi i dritës.

POLARIZOJ
Bëj polarizimin e rrezeve të dritës a të
valëve elektromagnetike ose të elektrodave. Polarizon
elektrodat. Polarizon pilën.

POTENCIAL
Fuqi

POZITIV
Që ka elektricitet të përbërë nga një rrymë
protonesh, si ai që formohet duke fërkuar ebanitin me
një rrobë të leshtë;

POZITIVISHT
Me ngarkesë pozitive

PROTON
Secila prej grimcave të vogla që kanë ngarkesë
elektrike pozitive të barabartë me ato të elektroneve
dhe që përbëjnë së bashku me to bërthamën e atomit.
Ngarkesa e protonit. Bërthama e atomit të hidrogjenit
ka vetëm një proton.

PUNË
Rezultati i veprimit të një forcë mbi një trup, e cila
e zhvendos trupin në një drejtim të caktuar dhe
shoqërohet me harxhim energjie. Punë mekanike.
Njësitë e punës. Formula e punës. Treguesit e punës.

QARK
Varg përcjellësish të lidhur me pjesë a me pajisje
të ndryshme elektrike, nëpër të cilin kalon rryma
elektrike nga njëra anë e burimit dhe kthehet në tjetrën.
Qark elektrik. Qark i brendshëm. Qark i hapur. Qark i
shkurtër shkurtim i parregullt i rrugës së rrymës
elektrike në një varg përcjellësish e pajisjesh a pjesësh
elektrike, që sjell dëmtimin e tyre ose të burimit të
rrymës; lidhje e shkurtër. Hap (ndërpres) qarkun. Mbyll qarkun.

QENDËR
Pikë e baraslarguar nga të gjitha pikat e një
vije të lakuar a të një sipërfaqeje të përkulur; pikë e një
figure që ndan në dy pjesë të barabarta çdo vijë që
kalon nëpër të.

QËNDRESË
Vetia e një trupi për të përballuar një forcë a
një veprim që ushtrohet mbi të pa iu prishur forma ose
ndërtimi i brendshëm; qëndrueshmëri. Qëndresë e
madhe (e ulët).Qëndresë mekanike. Qëndresa në
shtypje (në përdredhje, në tërheqje). Qëndresa e
materialeve. Qëndresa e metalit (e drurit, e gurit, e betonit).

QËNDRUESHMËRI
Vetia e një trupi për të përballuar një forcë a
një ndikim që ushtrohet mbi të; qëndresë.
Qëndrueshmëri e madhe (e ulët). Qëndrueshmëri
mekanike (fizike, kimike). Qëndrueshmëria e metalit (e
drurit, e betonit). Humb qëndrueshmërinë.

QIRI
Njësia e matjes për forcën e dritës. Llambë 75 qirinjsh.


Fjalori i Fizikës

Fjalori i Fizikës R - RR

Fjalori i Fizikës R - RR



RADIOAKTIV
Që ka radioaktivitet; që ka të bëjë me radioaktivitetin
ose që shkaktohet nga radioaktiviteti. Elementet
radioaktive. Lëndë radioaktive. Pluhur (shi) radioaktiv.
Rrezatim radioaktiv. Rreze (rrymë) radioaktive. Zbërthim radioaktiv.

RADIOAKTIVITET
Veti që kanë disa elemente kimike (si radiumi, uraniumi
etj.) për të lëshuar rreze të padukshme gjatë zbërthimit
të vetvetishëm ose artificial të bërthamave të atomeve.
Radioaktivitet natyror (artificial). Radioaktiviteti i
uraniumit. Radioaktiviteti i tokës (i atmosferës).

REAKSION
Reaksion bërthamor. zbërthimi i bërthamave të
atomeve të një elementi, si pasojë e të cilit ai
shndërrohet në një element tjetër, duke lëshuar energji të madhe.
Reaksion zinxhir
a) shndërrim kimik ose zbërthim i pandërprerë
i elementeve dhe i lëndëve, gjatë të cilit produktet e
zbërthimit marrin pjesë në procesin e mëtejshëm;
b) varg veprimesh ose rrjedhimesh, që lidhen njëri
me tjetrin dhe që nisin nga një shkak i vetëm fillestar.

REFLEKTIM
Pasqyrim; Reflektim i dritës (i tingullit, i valëve). Reflektimi i botës së
jashtme (i sendeve, i jetës). Reflektimi i ndryshimeve. Këndi i reflektimit.

RELATIVITET
Teoria e relativitetit. teori mbi lidhjet
materiale të sendeve e të dukurive, sipas së cilës
ligjësoritë e hapësirës dhe të kohës varen nga lëvizja e
materies, duke e marrë lëvizjen brenda një sistemi të caktuar.

REZISTENCË
Qëndrueshmëria e një trupi për të
përballuar një forcë që ushtrohet mbi të. Rezistencë e
madhe (e ulët). Rezistencë mekanike (fizike, kimike).
Rezistenca e betonit (e gëlqerorëve, e rërës).
Rezistenca në shtypje (në përdredhje). Kufiri i
rezistencës. Rezistenca e materialeve shkenca që
studion qëndrueshmërinë dhe shtrembërimet që
pësojnë lëndët e pjesët e ndërtimit të makinave, të
ndërtesave etj.

REZONANCË
Rikumbim.

RËNDESË
Forca që i tërheq gjithë trupat drejt qendrës së
Tokës; gravitet. Forca e rëndesës. Fusha (qendra) e
rëndesës. Ligji i rëndesës.

RËNTGEN
1. Njësi për matjen e rrezeve rëntgen ose të rrezatimit
jonizues në përgjithësi.
2. Aparat që punon me rreze rëntgen dhe që
shërben për të parë ndërtimin e brendshëm të trupave.

RIKUMBIM
1. Dukuri e rritjes së gjerësisë së lëkundjeve të
tingujve ose të valëve të tjera, që ndodh nga ndikimi i
lëkundjeve të jashtme me të njëjtën denduri, rezonancë.
Rikumbim tingullor (elektrik, mekanik). Rikumbim i
zërit. Kutia e rikumbimit. Hyn në rikumbim. Është në
rikumbim me...
2. Veti e një salle ose e një hapësire të mbyllur, që e
përforcon një tingull kur përplaset në faqet e saj të
brendshme. Rikumbimi i sallës (i lokalit).

RRAVGIM
Prishje ose paqartësi e shëmbëllimeve të
sendeve, që vjen nga të metat e mjeteve optike.
Rravgim ngjyrash. Rravgim sferik.

RRAVGOJ
Prishet a bëhet i paqartë (për
shëmbëllimet e sendeve). Rravgojnë ngjyrat (rrezet).

RREGULL
Parim i nxjerrë nga lidhjet ligjësore të dukurive, i cili
shërben si mbështetje e si drejtim për ecurinë a për
zhvillimin e diçkaje ose për punën në një fushë,
rregullsi; normë a parim në sjelljen e në marrëdhëniet e njerëzve.
Rregulla e artë e mekanikës

RREZATUES
Që lind nga një rrezatim; që ka të bëjë me
rrezatimin, i rrezatimit. Energjia rrezatuese. Sipërfaqja
rrezatuese.

RREZE
1. Fill i hollë e i drejtë drite, që del nga një burim ose
nga një send tjetër i ndritshëm. Rreze të arta. Rrezet e
diellit (e hënës). Rrezet e dritës. Tufë rrezesh.
Pasqyrimi i rrezeve. Lëshon (nxjerr) rreze. Ra një
rreze. Përhapen (thyhen, përthyhen) rrezet.
2. Tufë grimcash ose valësh
elektromagnetike që dalin nga një trup e përhapen në
një drejtim të caktuar; rrezatim. Rreze të padukshme.
Rreze ultravjollcë. Rreze rëntgen (rreze X). Rreze
radioaktive (alfa, beta, gama). Rreze kozmike.

RRITËS
Që vjen duke u ngritur

Fjalori i Fizikës

Fjalori i Fizikës S - SH

Fjalori i Fizikës S - SH



SASI
Numri i sendeve, i dukurive a i qenieve të
bashkuara në një grumbull ose i anëve e i vetive të tyre,
kur numërohen a kur u matet pesha, vëllimi, masa etj.;
vetia e diçkaje që numërohet, matet, peshohet etj.

SIPËRVENDOSJE
Prania e disa forcave të ndryshme fizike të
ndërthurura në një pikë të vetme të hapësirës.
Sipërvendosja e shumë fushave magnetike.
Sipërvendosja e gjendjeve të baraspeshës.
Sipërvendosje e lëvizjeve të vogla.

SPECIFIK
Që ka të bëjë me njësitë e matjes së trupave e
të dukurive duke i krahasuar me diçka që merret si e
qëndrueshme.
Nxehtësia specifike. sasia e nxehtësisë që duhet
për të ngritur një gradë një gram të një lënde

SPEKTËR
1. Brez me ngjyrat e ylberit që përftohet nga kalimi i
rrezeve të dritës nëpër një prizëm ose nëpër një lëndë
tjetër e cila i thyen rrezet. Spektër i vazhdueshëm.
Spektri i dritës. Spektri shtatëngjyrësh. Spektri diellor.
2. Brez me vija e me rripa me ngjyra të ndryshme
karakteristike, që përftohet nga rrezatimi i një trupi ose i
një lënde të nxehur tepër dhe që përdoret për të
përcaktuar përbërjen kimike të trupave. Spektri i bakrit (i hidrogjenit).
3. Shkallëzimi i vlerave që mund të marrë një
madhësi e caktuar. Spektri i lëkundjeve. Spektri i
tingullit. Spektri magnetik mënyra e shpërndarjes së
vijave të forcës në një fushë magnetike.

STATIK
Që ka të bëjë me statikën; që lidhet me statikën, i
statikës. Problem statik.

STATIKË
Degë e mekanikës që merret me studimin e gjendjes së
trupave në baraspeshë dhe me ndryshimet nën
veprimin e forcave që nuk sjellin lëvizje. Statika e
trupave të ngurtë (e lëngjeve, e gazeve).

STUHI
Stuhi magnetike. trazim i papritur i fushës magnetike të Tokës që
shkakton lëvizje të parregullta të gjilpërës magnetike dhe çrregullime
në radiondërlidhje.

SHKËLQIM
Madhësi që karakterizon rrezatimin e një burimi
drite në një drejtim të caktuar.

SHMANGIE
Largimi i gjilpërës magnetike të busullës nga
meridiani magnetik për shkak të tërheqjes që ushtron
një vendburim hekuri; këndi që formohet midis drejtimit
të gjilpërës magnetike dhe meridianit (gjeografik) për
shkak të mospërputhjes së poleve gjeografike me polet
magnetike. Shmangie magnetike.

SHPEJTËSI
Raporti ndërmjet një largësie dhe kohës që duhet
për ta përshkuar atë me lëvizje të njëtrajtshme.
Shpejtësia mesatare. Shpejtësia fillestare. Shpejtësia e
parë e dytë dhe e tretë kozmike shpejtësia e
barabartë përkatësisht me 7,9, me 11,2 dhe me 16,7
kilometra në sekondë. Shpejtësia e dritës (e zërit, e
tingullit). Shpejtësia e predhës (e raketës). Shpejtësia
e përhapjes së valës. Shpejtësia e elektroneve. Mat (gjej) shpejtësinë.

SHPËRHAPJE
1. Depërtimi i dyanshëm i molekulave a i atomeve të një
trupi midis molekulave a atomeve të një trupi tjetër, me
të cilin është në kontakt. Shpërhapja e lëngjeve (e
gazeve). Koeficienti i shpërhapjes.
2. Përhapja e rrezeve të dritës, që kalojnë nëpër një
trup të tejdukshëm ose që bien në një sipërfaqe
jopasqyruese, në të gjitha drejtimet.

SHPËRNDARJE
Zbërthimi i një rrezeje drite të bardhë në rreze me
ngjyra të ndryshme, duke kaluar nëpër një prizëm qelqi.
Shpërndarja e dritës.

SHPOLARIZOHET
Dobësohet ose zhduket polarizimi i një tufë rrezesh drite

SHTYLLË
Lëndë e lëngët a e gaztë që lëviz lart e poshtë në
një gyp të vendosur pingul. Shtylla e zhivës (e termometrit). Shtyllë uji.

Fjalori i Fizikës S - SH

Fjalori i Fizikës T - TH -U

Fjalori i Fizikës T - TH -U



TEJPËRCJELLSHMËRI
Humbja e plotë ose e pjesshme e qëndresës së disa
metaleve në temperatura të caktuara shumë të ulëta.
Tejpërcjellshmëria e metaleve.

TEMPERATURË
1. Shkalla e nxehtësisë që ka një trup ose një lëndë në
një kohë të caktuar; shkalla e nxehtësisë së atmosferës
në një vend dhe në një kohë të caktuar; nxehtësia a
ftohtësia që kanë trupat si veti të tyre.
2. Temperatura absolute. shkallë nxehtësie, që merr
si fillim a si zero temperaturën —273°C.

TENSION
Shtypje ose tendosje në një trup a në një lëndë
për shkak të një force të jashtme, të nxehtësisë etj.; të
qenët e një trupi a të një lënde në gjendje shtypjeje ose
tendosjeje; forca a madhësia e kësaj shtypjeje ose
tendosjeje. Tension sipërfaqësor. Tension i madh (i
vogël). Tensioni i avullit (i gazit) forcë që ushtron avulli
(a gazi) mbi të gjitha pikat e enës ku ndodhet, forca që
ushtron ai mbi sipërfaqen e enës. Forca të tensionit.
Është në gjendje tensioni.

TERMODINAMIKË
Degë e fizikës që studion ligjet e shndërrimit të
nxehtësisë në forma të tjera të energjisë, si edhe
dukuritë që lidhen me ndikimin e saj në vetitë fizike të
trupave. Ligjet e termodinamikës.

TËRHEQJE
Rëndesë forca tërheqëse e një trupi a grimce.
Tërheqja molekulare. Ligji i tërheqjes. Forca tërheqjeje.
Fusha e tërheqjes. Qendra e tërheqjes.

TKURRËS
Që bën të zvogëlohet vëllimi i një trupi pa i ndryshuar
natyrën, që tkurr; kund. bymyes. Veprim tkurrës. Forcë
tkurrëse.

TKURRSHMËRI
Vetia e një trupi që mund të tkurret, të qenët i
tkurrshëm; kund. bymyeshmëri. Tkurrshmëria e trupave.

TOKËZOJ
Lidh një makinë elektrike, një aparat, një tel,
rrufepritësin etj. me tokën me anë të një përcjellësi për
të shkarkuar rrymën e tepërt elektrike; lidh me tokën
radion për të forcuar marrjen. Tokëzoj antenën. Tokëzoj
makinën larëse (frigoriferin, aparatin).

TRAJEKTORE
Vija që përshkon një pikë lëndore kur lëvizë në
hapësirë. Trajektore e lakuar (e përkulur). Trajektore
drejtvizore

TRANSISTOR
Pajisje elektronike me përmasa të vogla,
që përbëhet nga tri pjesë gjysmëpërçuese dhe që
përdoret për të përforcuar rrymën elektrike, për të
përftuar lëkundje elektrike dhe për qëllime të tjera.
Aparat me transistorë.

TRUP
Çdo qenie, send, lëndë a pjesë e saj, me tipare e
me veti të ndryshme dhe në trajta të ndryshme, që zë
një vend të caktuar në hapësirë; send lëndor. Trup i
ngurtë (i lëngët, i gaztë). Trup i thjeshtë (i përbërë).
Trup i lehtë (i rëndë). Trupat qiellorë planetët, yjet.
Trupat organikë (joorganikë). Trup elastik (plastik).
Trup i metaltë. Trup i huaj diçka e jashtme që na hyn në
sy, në vesh a në organizëm. Trup i lirë trup që lëviz në
hapësirë kur nuk vepron asnjë forcë mbi të. Lëvizja e
trupave. Pesha e trupave. Vetitë e trupave.

TRYS
Shtyp një trup të ngurtë, të lëngët ose të gaztë, e ngjesh
duke i zvogëluar vëllimin. Trys lëngjet. Trys avujt (ajrin, gazin).

TRYSNI
Forca e shtypjes që ushtron një trup i ngurtë, i
lëngët a i gaztë me peshën, ose me forcën e tij mbi një
trup tjetër; shtypje, presion. Trysnia e trupit (e ujit, e
gazit). Trysnia e ajrit. Forca e shtypjes prej një kilogrami
në çdo centimetër katror që ushtron ajri mbi sipërfaqen
e tokës. Trysnia e gjakut.

TUFË
Grumbull drejtëzash ose rrezesh që dalin
nga një pikë a nga një burim dhe që zgjaten në një
drejtim të caktuar. Tufë drejtëzash. Tufë drite. Tufë rrezesh.

THJERRË
rup i tejdukshëm, me dy faqe të përkulura (nga
jashtë ose nga brenda), që ka vetinë të përthyejë në
mënyrë të rregullt rrezet e dritës; xham i trashë në këtë
trajtë që ka vetinë të zmadhojë objektet që vështrojmë;
thjerrëz. Thjerrë e trash ë(e hollë, e lugët). Thjerrë
zmadhuese. Thjerrat e dylbive. Vatra e thjerrës.

THYEJ
I kthen drejtimin dritës, rrezes etj., e bën të
ndërrojë drejtimin, e përthyen.
Prizmi e thyen dritën. I thyen rrezet.

UJË
Ujë i rëndë. lëngë me dendësi më të madhe se
uji i zakonshëm, që del nga bashkimi kimik i izotopit të
hidrogjenit me oksigjenin dhe që përdoret në industrinë bërthamore.

ULTRATINGULL
Tingull që krijohet nga lëkundje me denduri shumë të
lartë dhe që nuk kapet dot nga veshi i njeriut. Valët e
ultratingujve. Aparat me ultratinguj. Përdorimi i
ultratingujve. Mjekim me ultratinguj. Nxjerr (lëshon) ultratinguj.

ULTRAVJOLLCË
Rreze ultravjollcë. rreze të padukshme, që kanë
gjatësi vale më të shkurtër se rrezet vjollcë dhe që
shtrihen përtej tyre në pjesën e padukshme të spektrit
të dritës.

Fjalori i Fizikës T - TH -U

Fjalori i Fizikës V - XH - Z

Fjalori i Fizikës 


VAT
Njësi e matjes së fuqisë, që i përgjigjet një pune prej një 
xhauli të kryer në një sekondë (shkurt. W). Rrymë me 
fuqi pesë vat. 

VATËR
Pika ku kryqëzohen a priten rrezet e një tufe 
drite, pasi kjo të ketë përshkuar një thjerrzë ose të jetë 
kthyer nga një pasqyrë e përkulur. Vatër shembëllimi. 
Vatra e pasqyrës (e thjerrzës). Vatra e xhamit zmadhues.

VEÇOR
Veçues, 
Pajisje e posaçme e bërë me lëndë jopërçuese, që 
përdoret zakonisht në shtyllat ose në nënstacionet 
elektrike për të lidhur dhe për të veçuar përcjellësit e 
rrymës elektrike, izolator. Veçor mbajtës (mbështetës). 
Veçor i tensionit të lartë. Vunë veçorët në shtyllë.

VEÇUES
Lëndë që nuk e përcjell rrymën elektrike, nxehtësinë, 
lagështirën ose zërin dhe që përdoret për të veçuar 
diçka si edhe për të bërë pajisje të posaçme për veçim; 
pajisje që bëhet me këtë lëndë, izolant. Veçues i mirë (i keq). 

VEKTOR
Segment që ka një drejtim dhe kah të caktuar; madhësi, 
që përveç vlerës numerike, ka edhe një drejtim dhe kah 
të caktuar në hapësirë. Vektorë paralelë. Vektori i 
shpejtësisë. Kahu i vektorit. Koordinatat e vektorit. 

VETËSHUARJE
Shuarje që bëhet vetiu a në mënyrë automatike. 
Vetëshuarja e harkut elektrik. 

VËLLIM
Shkalla e lartësisë a e intensitetit të tingullit, fuqia e zërit. 

VIJËLAKUAR
Që është si vijë e latuar, vijëpërkulur. Lëvizje vijëlakuar. 

VIJËPËRKULUR
Që është si vijë e përkulur, vijëlakuar. 

VLERË
Masë e një sasie a e një madhësie të 
ndryshueshme. Vlerë e njehsuar. Vlerë e përafërt. 
Vlerë absolute. Vlera mesatare. Vlerë numerike. Vlera 
e shprehjes. Vlera e forcës.

VOLT
Njësia bazë për matjen e tensionit të rrymës elektrike. 
Tension prej dyqind e njëzet voltësh. 

VOLTAZH
Sasia e voltëve që nevojitet për të vënë në punë një 
aparat elektrik; tensioni i qarkut elektrik i shprehur në 
volt. Voltazh i ulët (i lartë). Ndryshoj voltazhin. 

VOLTMATËS
Aparat që shërben për të matur tensionin e rrymës 
elektrike. Voltmatës elektromagnetik (elektronik). 
Voltmatës i rrymës së ndryshueshme. Mat me 
voltmatës. 

XHAUL
Njësi për matjen e punës, të energjisë ose të sasisë së 
nxehtësisë, që është e barabartë me punën e bërë për 
të zhvendosur një metër një trup, kur mbi të ushtrohet 
një forcë prej një njutoni, në drejtim të lëvizjes (shkurt. J). 

ZBRAZËTI
Hapësirë pa ajër a pa ndonjë gaz tjetër. Zbrazëti 
e plotë. Lëvizja në zbrazëti. 

ZERO
Zero absolute. temperatura — 273,16°C, në të cilën 
vëllimi i një gazi do të ishte i barabartë me zero.


Fjalori i Fizikës