Showing posts with label Fjalor Zoologjik. Show all posts
Showing posts with label Fjalor Zoologjik. Show all posts

Fjalor Zoologjik - GJ - J

Fjalor Zoologjik
GJ - J



GJAKFTOHTË
Që ka gjak të ftohtë, që i ndryshon temperatura e trupit sipas mjedisit ku jeton.

GJAKPIRËS
Kafshë a kandërr që ushqehet duke thithur gjak.

GJAKPIRËS
Që ushqehet duke thithur gjak. Kafshë gjakpirëse. Insekt gjakpirës.

GJANËS
Peshk me trup të gjatë e të shtypur, me kurriz në ngjyrë të trëndafiltë e me anët si të argjendta.

GJARPËR
Zvarranik pa këmbë, me trup të gjatë, të lakueshëm e dredhues, me lëkurë me luspa, që ka dhëmbë me helm ose që i mbështillet gjahut rretheqark dhe e shtrëngon. Gjarpër i madh (i gjatë). Gjarpër helmues. Gjarpër i verbër. Gjarpër me pika. Gjarpër uji (deti). Gjarpër guri. Gjarpër me syze (me gjyzlykë) kobra. Gjarpër me zile gjarpër helmues, që ka në fund të bishtit një hapësirë konike, me të cilën bën një zhurmë tingëlluese. Lëkurë gjarpri. Helmi i gjarprit.

GJASHTËKËMBËSH
Kandërr me gjashtë këmbë ose me tre çifte këmbësh.

GJEL
Mashkulli i pulës, këndes.

GJEL DETI
Mashkulli i pulës së detit; gjeldet, misërok.

GJEL I EGËR
Shpend i madh i ngjashëm me këndesin, me pendë të zeza, me zë të çjerrë, që rron nëpër pyje; gjelegër.

GJEL UJËS
Shpend i egër me trup të madh, me qafë të gjatë, me pendë si të murrme, që rron nëpër ujëra.

GJELAC
1. Shpend i egër me pendë të zeza, të kuqe e të bardha, që jeton buzë ujërave.
2. Qukapik.

GJELAMAN
Flutur me trup në ngjyrë të gjelbër të errët e me vija të verdha, me krahë të mëdhenj e të zgjatur si bisht dallëndysheje, që dëmton gjethet e pemëve frutore.

GJELAZEZ
Shpend i egër me trup të gjatë, me pendë të zeza, që ushqehet me peshq.

GJELBËRUSHE
Zog pak më i madh se trumcaku, me pupla të gjelbra në të verdheme, që nuk shtegton.

GJELDET
Gjel deti.

GJELDETËS
Gjel deti.

GJELE
Gjelëz.

GJELEGËR
Gjel i egër.

GJELËZ
Shpend i egër uji sa një pëllumb, me sqep të gjatë e të verdhë, me pendë të zeza e me majat e krahëve të bardha.

GJELUJËS
Gjel ujës.

GJEMB
Flutura e gjembave, lloj fluture dëmtuese, vemjet e së cilës janë të përhimëta, me dy vija anësore të verdha dhe me gjemba të verdhë ose kafe.

GJEMBAÇ
Iriq.

GJER
Brejtës i vogël pylli, me qime të dendura e të buta në ngjyrë të përhime, me bisht të gjatë e si furçë, që e kalon dimrin në gjumë. Strofka e gjerit. Lëkura e gjerit.

GJERAK
Mashkulli i gjeraqinës, petrit.

GJERAQINË
Shpend i madh grabitqar, me pendë të larme, me krahë të gjatë dhe me kthetra; petrit.

GJERORE
Femra e gjerit.

GJETULL
Shigjetull.

GJETHENGRËNËS
Që ha gjethet, që ushqehet me gjethet e bimëve. Krimb (brumbull) gjethengrënës. Vemje gjethengrënëse.

GJILPËRËZ
Peshk deti me trup të hollë e të gjatë si ngjalë, bistër.

GJINATORE
Kandërr e ngjashme me arëzën, me ngjyrë të verdhë, me këmbë të gjata, e cila mbledh deltinën në lëmshe të vegjël.

GJINKALLË
Kandërr me ngjyrë të murrme, me kokë të gjerë e të shtypur, me sy të dalë e me krahë të mëdhenj e të tejdukshëm, që lëshon në vapë një zë të zgjatur e gumëzhitës; cinxër.

GJINOKUQ
Gushëkuq.

GJIRAFË
Kafshë gjitare përtypëse dythundrake, me trup të madh, me qafë e me këmbë shumë të gjata, me qime të verdha në të kuqe e me njolla të mëdha të murrme, që jeton në Afrikë.

GJITAR
Kafshët kërbishtore më të larta, që kanë gjak të kuq e të ngrohtë, mushkëri për të marrë frymë etj. dhe që bëjnë të vegjël, të cilët i ushqen femra me qumështin e vet; sisor. Klasa e gjitarëve.

GJON
Shpend grabitqar me pendë të murrme, pak më i vogël se kukuvajka, që këndon natën në verë, qokth. Zëri i gjonit. Këndon gjoni.

GJONTH
Morri i pemëve. Gjethe me gjontha.

GJUHCË
Peshk i vogël i ujërave të ëmbla, me mish të shijshëm, që zakonisht përdoret i tymosur ose i konservuar.

GJUHËZ
Peshk i ujërave të kripura me trup petashuq si gjuhë, me të dy sytë në njërën anë, me ngjyrë të murrme, me mish të shijshëm e pa hala; shojzë deti. Gjuhëza e detit.

GJYSMAMI
1. Cinxami, çerr, ferrak.
2. Lakuriqësi i natës.

GJYSMAZOG
Cinxami, çerr, ferrak.

GJYSMËFLATRORË
Rend kandrrash me dy palë krahë, prej të cilëve, zakonisht, dy të përparmit janë të brirtë.

HAMBAR
Flutura e hambarëve
Tenja e hambarëve

HAMURIK
Urith.

HARABEL
Zog i vogël, me pendët e kokës e të shpinës ngjyrëkafe dhe ato të pjesës së poshtme ngjyrëhiri, me sqep të madh e me këmbë të shkurtra, që jeton në tufë zakonisht pranë qendrave të banuara dhe që ushqehet kryesisht me drithë; trumcak. Harabeli i shtëpive. Harabel misri. Tufë harabelash.

HARDHI
Tenja e hardhisë.
Pleshti i hardhisë.
Merimanga e hardhisë
Zhuzhaku i hardhisë.
Turigjati (hundëgjati) i hardhisë.
Këpusha e hardhisë.

HARDHJE
1. Zvarranik i vogël, me trup të zgjatur e në ngjyrë të murrme, me katër këmbë të shkurtra dhe me bisht të gjatë. Hardhja e mureve (e gardheve). E shkathët si hardhja. Ngjitet si hardhje.
2. Hardhja e blertë, zhapiu.

HARDHUCË
Hardhje

HARENGË
Peshk deti i vogël, me trup të shtypur, që jeton në tufa dhe hahet i freskët, i kripur ose i thatë. Harenga të kripura. Gjuetia e harengave.

HARRJE
Kandërr shumë e vogël, me krahë të bardhë e të tejdukshëm, që del zakonisht në kohë të vapës, fluturon tufa-tufa duke lëshuar një zë të hollë, që hyn në sy a në vesh ose të pickon lëkurën.

HERËKEQE
Kukuvajkë.

HËNËZ
Peshk i madh me trup të shtypur e me bark të bardhë, që jeton zakonisht në thellësi të detit dhe ushqehet me peshq të tjerë të vegjël.

HIBRID
Bimë a kafshë me tipare të veçanta, që del nga kryqëzimi i dy llojeve a i dy racave të afërta.

HIBRIDIZOJ
Kryqëzoj dy lloje ose dy raca të afërta bimësh a kafshësh për të nxjerrë një lloj a një racë me veti e tipare të reja. Hibridizoj misrin (duhanin). Hibridizoj kafshët (bagëtitë).

HIBRIDIZUAR
Që është nxjerrë nga kryqëzimi i dy llojeve a i dy racave të afërta, që është nxjerrë me anë të hibridizimit. Bimë (kafshë) e hibridizuar. Farë e hibridizuar.

HIDËR
Kafshë shumë e vogël, pa shtyllë kurrizore, me trupin si qese e zgjatur, që ka në njërën anë gojën me disa fije të holla e të përkulshme dhe që jeton në ujëra të qeta të lumenjve ose nëpër pellgje. Hidra e ujit të ëmbël.

HIENË
Kafshë e egër gjitare, mishngrënëse e grabitqare, me trup sa të ujkut, me qimet ngjyrë hiri a të kuqërreme, që rron në vendet e shkreta të Azisë e të Afrikës dhe që ushqehet zakonisht me kërma. Hiena laramane. Britma e hienës

HIPOPOTAM
Kafshë e egër gjitare, barngrënëse, me trup të madh e të rëndë me kokë katërkëndëshe e me gojë të gjerë, me këmbë të shkurtra, me lëkurë shumë të trashë, pa qime e të zeshkët, që rron në Afrikë nëpër lumenj, liqene e moçale.

HIRTË
Krimbi i hirtë.
Miu i hirtë.

HITHËR DETI 
Kandil deti.

HUNDËBRI
1. Rinoqeront. Hundëbriri afrikan. Hundëbriri indian.
2. Një lloj brumbulli i madh, me ngjyrë të murrme, që ka në kokë një bri.

HUNDËGJATË
Kandërr brejtëse si buburrec, me turi të gjatë, që është në disa lloje dhe që dëmton bimë të ndryshme. Hundëgjati i panxharit. Hundëgjati i hardhisë. Hundëgjati i lakrës. Hundëgjati i jonxhës. Hundëgjati i pemëve. Hundëgjati i ullirit. Hundëgjati i grurit. Hundëgjati i lëvores.

HURUVEJKË
Kukuvajkë.

HUT
Një lloj bufi, me kokë të madhe e të rrumbullakët, me sqep të shkurtër e të kthyer, që rron nëpër pyje dhe këndon natën sikur vajton. Huti me veshë buf me veshë. Zog huti. Kënga e hutit.

HUTË
1. Femra e hutit. Zogu i hutës. Ra huta në pula.
2. Shpend grabitqar, me kokë dhe me gushë të mbuluar me pupla, me qafë të rrjepur, me kthetra të mëdha, të forta e pak të kthyera, që rron nëpër pyje.
3. Huta e bardhë, kali i qyqes.
4. Hutë deti,  pulëbardhë.

HUTËRROJË
Hutë

HUTIN
Hut. Hutini me veshë.

IRIQ
1. Kafshë e vogël gjitare, që e ka trupin të mbuluar nga sipër me gjemba të fortë dhe që mblidhet si top për t’u mbrojtur nga rreziku. Gjembat e iriqit.
2. Iriq deti, kafshë e vogël deti pa bosht kurrizor, me trup të rrumbullakët dhe me një guaskë gëlqerore të mbuluar me gjemba që lëvizin.

JAGUAR
Kafshë gjitare e egër, e ngjashme me leopardin, që rron në Amerikë dhe që ushqehet me mish.

JAK
Kafshë e madhe përtypëse, me brirë të mëdhenj e me lesh të gjatë, e ngjashme me buallin, që jeton në malet e larta të Azisë Qendrore dhe shërben kryesisht si kafshë barre.

JARGAVEC
Kërmill pa guaskë, jargës, ligavec. Dolën jargavecët.

JONXHË
Hundëgjati i jonxhës.


Fjalor Zoologjik

Fjalor Zoologjik - R - S

Fjalor Zoologjik
R - S



RABECKË
Harabel. Çerdhe rabeckash. I vogël sa një rabeckë.

RACË
1. Grup kafshësh, zakonisht shtëpiake, që kanë tipare e cilësi të përbashkëta të trashëgueshme, të cilat zhvillohen nën ndikimin e mjedisit dhe përmirësohen me punën e kujdesin e njeriut. Racë e pastër (e përzier, e mirë, e keqe). Racë kuajsh (lopësh, dhensh, derrash, pulash ...). Përmirësimi i racës. Kryqëzimi i racës. Nxjerr një racë të re.
2. Grup kafshësh shtëpiake me tipare të jashtme dhe me cilësi prodhimi shumë të mira, lloj i zgjedhur. Kalë (dele, qen ...) race. Lë (mbaj) për racë.

RENË
Lloj dreri i vendeve veriore me brirë shumë të degëzuar, që mbahet për qumësht, për mish dhe për të tërhequr rrëshqitëset. Kope renash. Rene shtëpiake (e egër). Qumësht rene.

RIGASH
Gjeldeti.

RIKAN
Mashkulli i rosës, rosak. Rika e rikani.

RIKË
1. Zog rose, bibë rose; rosë.
2. Pulëdeti.

RINOQERONT
Kafshë gjitare barngrënëse e viseve të nxehta të Afrikës e të Azisë, me trup të madh e me kokë të zgjatur, që ka në turi një bri a dy brirë; hundëbri. Rinoqeront afrikan (indian).

RIPËRTYPËS
Që e kthen ushqimin nga stomaku dhe e përtyp për së dyti në gojë (për disa kafshë si kau, lopa, dhia, delja etj.). Kafshë ripërtypëse. Gjitarë ripërtypës.

ROSAK
Mashkulli i rosës. Rosak i bardhë (i zi).

ROSË
Shpend uji me qafë të shkurtër, me sqep të gjerë, të rrafshët e të verdhë dhe me këmbë si pëllëmbë të hapura anash. Rosë e bardhë (e zezë). Rosë laramane. Rosë shtëpiake. Rosë e egër shpend ujë i egër me trup më të vogël, me kokë e me qafë të murrme në të kuqe dhe me kurriz të përhimë; zhytarak. Rosë deti lloj rose me trup më të madh se rosa e zakonshme e me sqep më të gjatë. Zog (bibë) rose. Vezë (mish) rose. Tufë rosak. Gjuetia e rosave. Ecën si rosë

RRA
Rre.

RRAJË
Peshk me trup të gjerë, me lëkurë të fortë, që e ka kokën si të breshkës.

RRAJZË
Glistër, krimb shiu.

RRAXHË
Peshk deti me trup petashuq në trajtë rombi që ka bisht të hollë e të gjatë.

RRE
Krimb që jeton si parazit në zorrët e fëmijëve, bubë.

RREMË
Këmbë të rreme, zgjatime që u shërbejnë disa kafshëve të vogla në vend të këmbëve.

RRËFESHK
Kryeartëz, ferracak.

RRËQEBULL
Kafshë e egër mishngrënëse e ngjashme me macen, me trup deri një metër të gjatë, me qime të butë, të dendur e me ngjyrë të murrme lara-lara, me veshë të ngritur e me bisht të shkurtër; luqerbull.

RRËSHAJË
Nepërkë.

RRËSHQANËS
Rrëshqanor

RRËSHQANOR
Zvarranik. Rrëshqanorët tokësorë (ujorë).

RRIME
Krimb shiu. Ishte si rrime.

RRIQËR
Këpushë.

SALAMANDËR
Kafshë e vogël, që jeton në ujë dhe në tokë, e ngjashme me hardhucën, me bisht dhe me lëkurë të zezë ose me njolla të verdha; pikëlore. Salamandër e zezë. Bishti i salamandrës.

SALMON
Peshk i madh i deteve të ftohta, me mish të kuq e të shijshëm, që largohet nga deti e futet në lumenj në kohën e riprodhimit. Salmon i kripur (i tymosur, i konservuar). Mish salmoni.

SARDELE
Peshk i vogël deti që jeton në tufa të mëdha, me mish të shijshëm e që përdoret shpesh i konservuar. Sardele në vaj ulliri. Një kuti sardele. Tufë sardelesh. Gjuetia e sardeles.

SEPJE
Butak deti me trup vezak si qeskë e vogël, që ka dhjetë brirthë rreth gojës, një guaskë të brendshme dhe një fshikëz me lëng të zi, të cilin e lëshon për të turbulluar ujin që të mbrohet.

SFUNGJER
Kafshë deti shumëqelizore me ndërtim të thjeshtë, që rron e ngulur së bashku me të tjerat në një skelet të lehtë e tërë vrima prej lënde të brirtë ose gëlqerore.

SFURK
Akrep.

SISOR
Gjitar

SKADHINË
Peshk deti i madh, me trup të gjerë e të shtypur dhe me pendët e gjoksit të mëdha.

SKATHAR
Lloj kandrre e zezë që dëmton vreshtat.

SKIFTER
Shpend grabitqar me sqep të kthyer e me kthetra të fuqishme, që rron nëpër shkëmbinj; fajkua.

SKILE
Dhelpër.

SKLLOP
Shpend uji i murrmë, i madh sa një pulë.

SKOBUZ
Njilë.

SKORT
Peshk i vogël i ujërave të ëmbla, me trup të zgjatur dhe të shtypur anash, me kokë të shkurtër e me turi të hollë. Skort i bardhë gurnec. Skorti i zi.

SKRAPTH
1. Gjarpër helmues me trup të hollë, me ngjyrë të verdhë në të kuqërremtë dhe me një njollë rrëzë fytit.
2. Kandërr e zezë helmuese, që i ngjan brumbullit.

SKUMBRI
Peshk deti deri gjysmë metri i gjatë, me ngjyrë blu të shkëlqyeshme dhe me vija të gjelbra, me mish të bardhë e të shijshëm.

SOKOL
Shpend grabitqar me sqep të kthyer dhe me krahë e thonj të fuqishëm; petrit.

SORKADH
Kaproll.

SORKADHE
Femra e kaprollit, kaprolle.

SORRAK
Mashkulli i sorrës.

SORRË
1. Shpend me pendë të zeza të ndritshme e me sqep të kthyer, që ndërton çerdhe nëpër godina të braktisura e mbi drurë të lartë dhe që dëmton të mbjellat e pemët.
2. Stërqokë.

SOVAL
Kastriq.

SPALCË
Peshk deti me trup të gjerë e të shtypur anash, me luspa të ndritshme si argjend, me mish të bardhë e të shijshëm; kocë e vogël.

SPURDHIQ
Spurdhjak.

SPURDHJAK
Trumcak, harabel; zog i vogël në përgjithësi.

SQEPADRUTH
Qukapik.

SQEPGJATË
1. Shpend i brigjeve të detit me trup mesatar, me kokë dhe qafë të zezë, me bark të bardhë e me sqep të kuq.
2. Shaptore, shapkë.

SQEPKUQ
Që e ka sqepin në ngjyrë të kuqe. Korb sqepkuq

SQEPLUGË
Lloj rose e egër me pendë të bardha dhe me sqep të madh, të gjerë e si lugë, e cila rron zakonisht nëpër këneta.

SQEPTORE
Shaptore, shapkë.

SQEPTRASHË
Zog i ngjashëm me trumcakun, me pendë të murrme në të kuqërremta, me gushë të bardhë dhe me sqep të trashë e shumë të fortë.

STËRQOK
Mashkulli i stërqokës.

STËRQOKË
Shpend i familjes së korbave, me trup pak më të vogël se sorra, me bisht të gjatë, me pendë të zeza në trup e të bardheme në qafë e në bark; cirikokë. Stërqokë mali.

STRAGË
Kubël në moshën mbi një vit deri në pjekjen seksuale.

STRUC
Shpend me trup të madh, me krahë pak të zhvilluar, me qafë e me këmbë të gjata, që vrapon shpejt dhe që rron në shkretëtira e në stepat e vendeve të nxehta.

SUTË
Femra e drerit, drenushë.

SUVAL
Gjarpër i madh e i trashë që përmendet në tregimet popullore, në të cilat thuhet se i mbështjell kafshët dhe u zë frymën.





Fjalor Zoologjik