Showing posts with label Fjalori Zoologjik. Show all posts
Showing posts with label Fjalori Zoologjik. Show all posts

Fjalori Zoologjik - C - D

Fjalori Zoologjik
C - D




CAKORRE
Kocë e vogël.

CECE
Miza cece, mizë e vendeve të Afrikës, që me pickimin e saj shkakton sëmundjen e gjumit te njerëzit ose helmimin e kafshëve.

CEFALOPODË
Klasa më e lartë e butakëve të detit, të cilët kanë rreth kokës zgjatime me ventuza, që i përdorin si këmbë për të lëvizur ose për të kapur ushqimin.

CETACE
Rend i gjitarëve të detit (si balena, delfini etj.) që e kanë trupin si peshk i madh dhe që marrin frymë me mushkëri.

CËPËZ
Zog me trupin sa të mullenjës, me ngjyrë të murrme në të hirtë, që rri në vende moçalore e në plehërishta.

CËRRE
Cirlë

CIGAREPËRDREDHËS
Cigartor

CIGARTOR
Kandërr e vogël me krahë të gjelbër ose të kaltër e me shkëlqim metalik, që del në pranverë, bren sythat e hardhisë e të pemëve të tjera dhe mbështillet si cigare me gjethen e tyre.

CIKË
Zog pak më i madh se trumcaku, që rron nëpër ara dhe që i ka pendët e krahëve të përhime në të verdhë e me pika të murrme, ndërsa ato të barkut të bardheme në të verdhë.

CIKLOP
Lloj gaforreje grabitqare, me trup të vogël e të zgjatur dhe me një sy përpara, që rron në ujëra të ndenjura ose në shtresat e sipërme të ujërave të detit.

CIKOFUA
Beng.

CIMBUR
Këpushë.

CINGUSH
Zog i vogël, me kokë të madhe, me pendë në ngjyra të ndryshme, që rron zakonisht në pyje.

CINKË
Trishtil.

CINXËR
Gjinkallë.

CIQE
Zog pak më i vogël se cirla, me bisht të gjatë, me pendë të murrme nga sipër e të kuqërremta nga poshtë, që rri nëpër ferra.

CIRIKOKË
Stërqokë.

CIRIPUPE
Zog me pendë të murrme më të bardhë, më i vogël se laraska, që ecën duke kërcyer; çililingë.

CIRLË
Zog si mullenja, me pendë të murrme e me pika të errëta ose të çelëta. Cirlë fushe mullibardhë.

CIRLUA
Shturë, gargull.

CIRONKË
Peshk i familjes së krapit, me trup të vogël e të mbuluar me luspa të ndritshme, që rron në ujëra të ëmbla; gjuhcë.

CIRUA
Cironkë

CJAP
Mashkulli i dhisë.

CJAP I EGËR
Kafshë përtypëse e ngjashme me cjapin, me brirë të gjatë që rron në male të larta e të thepisura.

CUMËR
Lloj qefulli me trup boshtor e të zhdërvjellët, qefulli i verës, gushtak.

CUMRAK
Cumër i vogël

CYLEK
Kllinzë.

ÇAFËR
Peshk pendëkuq i ujërave të ëmbla, i gjatë një pëllëmbë, me bark të gjerë e me shumë hala.

ÇAFKË
Shpend uji, që ka qafë të gjatë e këmbë të gjata, sqep të hollë dhe një tufë puplash të zeza në krye; gatë.
Çafka e bardhë.
Çafka e kuqe.
Çafka e përhime.
Çafkë deti.

ÇAFKËBARDHË
Shpend uji me sqep e me qafë pak me të shkurtër se të çafkës dhe me pendë të bardha.

ÇAFKËLORE
1. Zog këngëtar më i madh se harabeli, me ngjyrë të murrme, me një xhufkë pendësh në majë të kokës, që jeton arave; laureshë. Kënga e çafkëloreve. Ngrihen çafkëloret.
2. Pulë me një xhufkë pendësh të gjata në maje të kokës, pulë me çafkë.

ÇAFKËTHIME
Çafkë me pendë të përhime.

ÇAFKORE
Çafkëlore

ÇAJME
1. Çafkë, gatë. Çajme e kuqe. Tufë çajmesh.
2. Shpend grabitqar e këngëtar, i ngjashëm me harabelin, që ushqehet me kandrra. Çajme rrushi çajme që ushqehet me kokrra larushku.

ÇAKALL
Kafshë gjitarë grabitqare më e vogël se ujku, me qime të kuqërreme, që ushqehet zakonisht me ngordhësira dhe që nxjerr një angullimë të fortë.

ÇAUSH
Zog çaush

ÇEKIÇ THNEGLASH
Qukapiku.

ÇERDHUKËL
Zog pak me i madh se harabeli, me pupla të murrme pika-pika, që rron nëpër ara dhe që fluturon shumë lart duke kënduar e zbret pastaj pingul me krahë të mbyllur; laureshë e madhe. Tufë çerdhuklash. Kënga e çerdhuklës. Fluturimet e çerdhuklës.

ÇERR
1. Cinxami, ferrak. Tufë çerrash.
2. Zog i vogël pule, zakonisht i nxjerrë nga një shpend tjetër shtëpiak.

ÇIKË
1. Xixëllonjë.
2. Zog i vogël shtegtar që i ka puplat ngjyrë ulliri në pjesën e sipërme të trupit, të bardha në të verdhë në pjesën e poshtme.

ÇIKË E VOGËL
Zog i vogël me kaçule të verdhë në majë të kokës, me pupla ngjyrë ulliri në pjesën e sipërme të trupit dhe me dy rripa të bardhë e të hollë në krahë.

ÇIKËRR
Karkalec.

ÇIKËVERË
Xixëllonjë.

ÇILILINGË
Cipure

ÇIMËRR
Çimkë, tartabiqe.

ÇIMKË
1. Kandërr e vogël me trup të rrumbullakët të shtypur, me ngjyrë të kuqe të errët e me një erë të keqe, që jeton si parazit nëpër plasat e dhomave e të orendive shtëpiake dhe që u thith njerëzve gjakun kur flenë; tartabiqe. Bar çimkash. Erë çimke. Mbyt (zhduk) çimkat.
2. Emërtimi i përgjithshëm për disa lloje kandrrash të vogla parazite, që thithin lëngun e frutave ose që ushqehen me kokrrat e drithërave. Çimka e panxharit. Çimka e pambukut. Çimka e drithërave. Çimkat e pemëve. Çimkë uji.

ÇINËRR
Zog i vogël këngëtar sa një cinxami, me kokë të zezë e me sqep të mprehtë, me pendët e trupit të hirta në pjesën e sipërme e të verdha në anët e në gjoks, i cili e bën folenë zakonisht në zgavrat e drurëve. Kënga e çinrrave. Fole çinrrash.

ÇOBAN
Çafkëlore.

ÇOBANKË
Bishtatundës.

ÇOÇËR
Cinxami.

ÇOTË
1. Grifshë.
2. Femra e gjonit.

ÇUÇ
I  vogli i disa shpendëve, i cili sapo ka dalë nga veza; zog i porsadale. Çuçat e klloçkës. Fole me çuça zogjsh.

ÇUÇ GOMARI
Lloj zogu me sqep të trashë.

DAC DETI
Lloj peshkaqeni me kokë të gjerë, me trup në ngjyrë të çelur e me pika të murrme.

DAC I EGËR
Rrëqebull.

DALLËNDYSHE DETI
Lloj peshku, që rron zakonisht në fund të detit.

DASH DETI
Pelikan.

DEJKË
Zog shtegtar i ngjashëm me dallëndyshen, me pupla të murrme, që fluturon shumë shpejt dhe që e bën folenë zakonisht në ndërtesat e larta. Fole dejkash. I shpejtë si
dejka.

DELMERE
Bishtatundës.

DERVISH
Çafkëlore.

DERR DETI
Gjitar mishngrënës që jeton në det, më i vogël se delfini, me një feçkë të gjerë e të rrumbullakët dhe me fletë trekëndëshe.

DERRKUC
I vogli i dosës, gic.

DERRKUC INDIE
Kafshë e vogël brejtëse me lëkurë të lëmuar e me veshë të rrumbullakët, që e ka prejardhjen nga Amerika e Jugut.

DET
Breshkë deti
Dac deti.
Dallëndyshe deti.
Derr deti.
Elefant deti.
Elektrik deti.
Guaskë (gocë) deti.
Iriq deti.
Kali i detit.
Kandil deti.
Karkalec deti.
Lopë deti.
Luani i detit.
Plesht deti.
Qen deti.
Trëndafil deti.
Yll deti.

DEVE
Kafshë përtypëse trupmadhe me këmbë të gjata, me qafë të gjatë e të përkulur, me kokë të vogël dhe me një gungë ose me dy gunga në kurriz, që përdoret në shkretëtira e në stepa të thata si kafshë ngarkesë.

DIMËRAK
Borës.

DJERRADITËZ
Mashkulli i bletës, brumbull.

DOSË
Dosëz

DOSËBALË
Baldosë.

DOSËZ
Kandërr e ngjashme me bulkthin, me trup të gjatë deri pesë centimetra e të mbuluar me push të imët, me brirthë të trashë dhe me thonj të fuqishëm, e cila rri zakonisht brenda në tokë e dëmton rrënjët e bimëve bujqësore; arrç, bushtërz, këlysh dheu.

DRANGË
Peshk i ujërave të ëmbla, me trup të gjatë e me hala, që peshon deri një gjysmë kilogrami, lloskë.

DRE
Kafshë gjitare përtypëse e dythundrake, me brirë të gjatë ose të degëzuar (te mashkulli), që rron në tufa nëpër pyje malore.

DREDHËS
Dre mashkull me brirë të degëzuar.

DREJTFLATRORË
Rend i kandrrave që i kanë krahët e përparmë të kryqëzuar njërin mbi tjetrin dhe të prapmit të palosur gjatazi; kandrrat që bëjnë pjesë në këtë rend (si bulkthi, karkaleci, dosëza etj.).

DRENUSHË
Femra e drerit, sutë.

DRENJË
Shkurtë.

DRITHË
Miza e drithërave.
Sharruesi i drithërave.
Shushunja e drithërave.
Tenja e drithërave.

DRITHËNGRËNËS
Që i ha ose i dëmton drithërat (për kandrra). Kandërr drithëngrënëse.

DRIZAK
Zog me trup sa të mullenjës, në ngjyrë kafe të çelët, që e bën folenë nëpër driza.

DRUNGRËNËS
Që ha drurin e pemëve dhe e bën vrima-vrima, që bren drurët (për disa kandrra e vemje).

DUDI
Kumri.

DUHAN
Brumbulli (buburreci) i duhanit.

DYFLATRORË
Rend kandrrash me dy krahë, që kanë në kokë një thumb për të pickuar e për të thithur.

DYTHUNDRAK
Kafshët përtypëse, si lopa, derri, dreri etj., që e kanë thundrën të çarë me dysh.

DYZETKËMBËSH
Shumëkëmbësh.



Fjalori Zoologjik

Fjalori Zoologjik - DH - F

Fjalori Zoologjik
DH - F


DHE
1. Këlysh dheu.
2. Kërp dheu.
3. Mizë dheu, milingonë.


DHEN
Delet, deshtë dhe shqerrat.

DHËMBËSUTË
Guaskë e vogël deti e bardhë, e fortë, e shkëlqyer dhe e ngjashme me një dhëmb sute.

DHI E EGËR
Kafshë gjitare përtypëse e ngjashme me dhinë, me brirë shumë të gjatë e shumë e zhdërvjellët, e cila jeton zakonisht në male të larta e të thepisura.

DHJETËKËMBËSH
1. Që ka dhjetë këmbë, me dhjetë këmbë. Kafshë dhjetëkëmbëshe.
2. Kafshë jokërbishtore që jeton kryesisht në ujëra e rralle në vende me shumë lagështi, me trup të ndarë në unaza, të cilat kanë çdo njëra dy këmbë të nyjëtuara. Dhjetëkëmbësh deti (lumi, liqeni). Gaforrja është dhjetëkëmbësh.
3. Klasë që përfshin një varg kafshësh të tilla.

EGËR
Dac i egër
Dhi e egër
Gjel i egër
Mace e egër

ELEFANT
 Kafshë gjitare e viseve të ngrohta të Afrikës e të Azisë, me trup shumë të madh e të rëndë, me veshë të gjerë, me feçkë të gjatë dhe me dhëmbë të mëdhenj e të kthyer. Elefant i zi (i murrmë). Elefanti i Afrikës (i Azisë). Dhëmbë elefanti. Tufë elefantësh. Gjuetia e elefantëve.

 ELEFANT DETI
Lloj foke me feçkë si të elefantit.

ELEKTRIK
Elektrik deti, peshk elektrik.

ENDËZ
1. Vezët që lëshon miza në mish, në peshk etj.
2. Lloj fluture e vogël, si mushkonja, që zakonisht fluturon në tufë bashkë me të tjera e që ushqehet kryesisht me nektarin e luleve.

ERAK
Zog i egër grabitqar, i ngjashëm me bufin, po me trup me të vogël, që jeton gjithnjë në vetmi e që mund të qëndrojë në ajër pa lëvizur krahët.

ESH
Iriq.

FAJKORE
Femra e fajkoit.

FAJKUA
Shpend grabitqar me krahë të mëdhenj, me sqep të shkurtër e të kthyer, me kthetra të forta dhe me bisht të bardhë; skifter.

FAQEKUQ
Kryeartëz.

FARË
Veza e disa kandrrave ose e disa kafshëve, nga e cila zhvillohet larva.

FARËNGRËNËS
Buburrec i vogël, në ngjyrë të zezë, që ha farat e bimëve. Farëngrënësi i tërfilit.

FARJE
Matka e bletës, parëz.

FASULE
Miza e fasules.

FAZAN
Shpend i egër, me trup sa të gjelit, me bisht të gjatë, me pupla të bukura shumëngjyrëshe, që gjuhet për mishin e tij të shijshëm; mishi i këtij shpendi i gatuar si gjellë. Fazan mashkull (femër). Fazan i pjekur. Pendë (vezë) fazani.

FEÇKOR
Kandërr me kokë të zgjatur si feçkë, që bren sythet e bimëve a të pemëve ose shpon frytet e tyre e i bën vrima-vrima. Feçkori i mollës. Feçkori i lajthisë. Feçkori i luleshtrydhes.

FERRACAK
Peshk i vogël me hala, që ka gjemba në shpinë e në bark në vend të fletëve notuese; një lloj krapi i vogël.

FERRAK
Cinxami.

FERRË
Zog ferre (miu, shtrige)

FERRËGJATË
Gjitar nga rendi i brejtësve, që e ka shpinën të mbuluar me gjemba të fortë e me të gjatë se të iriqit.

FERRËS
Cinxami.

FIERKUQE
Gjarpër i madh helmues, me lëkurë të kuqe, që jeton nëpër fierishta.

FIKËS
Beng.

FIL
Elefant.

FILOKSERË
Kandërr e vogël parazite, e ngjashme me morrin e bimëve, e cila dëmton rëndë sidomos hardhitë. Filoksera e hardhisë. Filoksera e gjetheve (e rrënjëve).

FIQFIQ
Zog i vogël që nxjerr një cicërimë të hollë.

FISHNJAR
Kafshë mishngrënëse e ngjashme me shqarthin, me qime të murrme e me një njollë të bardhë në kraharor, me bisht shumë të gjatë e me këmbë të shkurtra, që gjuhet për lëkurën e saj të çmuar.

FLUTUR
1. Emërtim i përgjithshëm për disa lloje kandrrash fluturuese, me katër krahë të mbuluar me luspa të imëta si pluhur, me ngjyra të ndryshme, me feçkë e brirthë për të thithur dhe për të ndier, disa prej të cilave dëmtojnë bimët. Flutur shumëngjyrëshe. Flutur bishtartë. Flutur mashkull (femër). Flutura e bardhë e pemëve. Flutura e verdhë e jonxhës. Flutur nate. Flutura e mëndafshit. Flutura e lakrës. Flutura e duhanit. Flutura e misrit. Flutura e orizit. Flutura e hambarëve. Flutura e gjembave. Krahët e fluturës. Brirthët e fluturës. Vezë fluturash.
2. Krimb i shtypur si gjethe e vogël që rron në gypat e mëlçisë së zezë zakonisht te dhentë dhe shkakton sëmundjen e këlbazës. Flutura e këlbazës.

FLUTURAK
Peshk fluturak (fluturues)

FOKË
Gjitar i deteve polare, me trup të madh e me qafë të shkurtër, me këmbë si lopatë, me lëkurë të mbuluar me qime të shkurtra, që ushqehet me peshq dhe që gjuhet zakonisht për t’i marrë dhjamin e lëkurës. Mish (dhjamë, lëkurë) fokë. Gjuetia e fokave.

FREGATË
Shpend i fuqishëm që jeton në ishujt e oqeaneve e në detet tropikale, me krahë të mprehtë, me bisht të gjatë e të bigëzuar dhe me sqep të madh e të kthyer në majë; shqiponjë deti. Fluturojnë fregatat në stuhi.

FRUTË
Shpuesi i frutave

FUGË
Femra e bengut.

FULTERËZ
I vogli i bretkosës në fazën e parë të zhvillimit të tij, që ka një kokë të imët e të zezë dhe një bisht të gjatë. Lëvrinin fulterëzat.

FURUVEJKË
Kukuvajkë.

FURRËBUBËZ
Nusja e lalës, bukla.

FURRTARE
Lloj kandrre si brumbull, zakonisht e zezë ose e kuqë-rreme, që rron nëpër shtëpi e në vende ku mbahen ushqime dhe del natën për të ngrënë mbeturinat e ushqimeve; zhuzhull. Furrtarja e zezë. Furrtarja e kuqe (kuqaloshe). Kanë dalë furrtare. Zhduk furrtaret. 


Fjalori Zoologjik