FJALORI BOTANIK GERMA H


FJALORI BOTANIK GERMA H





HALËZ
Bimë e egër barishtore, e helmët, me kërcell të 
ashpër në majë, me kallinj të blertë ose të 
kuqërremë, që rritet në toka me lagështirë.

HALMUCË 
Bimë barishtore njëvjeçare, që lëshon kalli me 
hala si gruri dhe që e ha shumë breshka; bar 
breshke.

HALOR
Familje drurësh si pisha, bredhi etj., që i kanë 
gjethet të holla e të gjata si gjilpëra dhe përherë 
të blerta, farat të mbledhura në një kokërr të 
vetme dhe drurin me shumë rrëshirë; dru që bën 
pjesë në këtë familje.

HALOR
Që është i hollë, i gjatë dhe me majë të 
mprehtë si halë; që i ka gjethet në këtë trajtë; që 
përbëhet nga halorë. 

HARDALL 
Sinap.

HARDHI 
Shkurre kacavarëse, me trung të hollë, të gjatë e 
të përdredhur, me lëvore ngjyrë hiri në të 
kuqërremtë e me plasa, me gjethe të gjera në 
trajtë të pëllëmbës, me lule të vogla, të 
grumbulluara në vile, të cilat japin si fryt rrushin;

HARDHIORE 
Familje shkurresh ku bëjnë pjesë lloje të 
ndryshme të hardhive etj.

HARMOÇ
Pisha e butë. 

HARTINË 
Pishë e lartë e vendeve malore, me lëvore ngjyrë 
hiri në të kuqe, me gjethe si halë të vendosura dy 
e nga dy dhe me kurorë vezake; pisha e butë.

HASHASH 
Bimë barishtore njëvjeçare, me kërcell të 
gjatë e të degëzuar, me lule të mëdha me petla si 
të lulëkuqes e me ngjyrë vjollce të hapët, që e ka 
frytin si kapsulë e të mbushur me fara të vogla.

HEJDË 
Hikërr

HELMARINË 
Bimë barishtore shumëvjeçare, e helmët, me lule 
në ngjyrë të kuqe të errët në vjollcë, me kokrra si 
ato të kullumbrisë, që përdoren në mjekësi.

HELME 
Shkurre me gjethe si të shelgut e me lëng të 
hidhur; helmës.

HELMËS 
Shkurre e helmët e viseve jugore, me gjethe të 
gjata e të ngushta që nuk bien në dimër, me lule 
të mëdha në ngjyrë trëndafili ose të bardha dhe 
të bashkuara si tufë. 

HELMËZ 
Bimë barishtore parazite me kërcell kacavarës e 
pa gjethe, që bën lule të verdha, të bashkuara si 
tufë dhe që dëmton rëndë bimët bujqësore; 
kuskutë. 

HEQËSE 
Këputje.

HERDHAQEN
1. Fshikakuq. 
2. Lloj fikubardhë, kokërrvogël, që piqet vonë.

HIDE 
Dru frutor me degë të shtrembra e plot gjemba, 
me gjethe të vogla, vezake e me dhëmbëza 
anash, që bën kokrra të zgjatura si ulli, të cilat kur 
piqen bëhen ngjyrëkafe në të kuq e të ëmbla; 
kokrrat e kësaj bime që hahen; xinxife.

HIDHËS
Hithër.

HIDHNAKTH 
Bimë barishtore njëvjeçare, me kërcell të lartë 
deri dy pëllëmbë e me lule të bardha, që mbin në 
toka të punuara, në djerrishta, në gërmadha, 
anës rrugëve etj., lulëzon nga prilli deri në vjeshtë 
dhe bën kokrra të zeza e shumë të hidhura.

HIDHNAQ 
Bimë shumëvjeçare kacavarëse me kërcell të 
drunjëzuar, me lule në ngjyrë të vjollcës ose të 
bardha, që lulëzon nga prilli deri në vjeshtë, bën 
kokrra vezake e të kuqe dhe përdoret si bimë 
mjekësore.

HIKËRR
1. Lloj drithi që bën kokrra të vogla me cipë të 
murrme e përbrenda të bardha, të cilat përdoren 
më shumë si tagji për kafshët; grurëzi, hejdë; 
kokrrat e këtij drithi.
2. Bimë e egër barishtore ose shkurre e 
livadheve, me shumë lloje, me gjethe të 
dhëmbëzuara si të domates që bën kokrra të 
vogla të rrumbullakëta.

HINARDH 
Angjinare.

HISËLL
Hithër.

HITHËR
1. Bimë e egër barishtore që në kërcellin e 
në gjethet e saj të dhëmbëzuara ka një push të 
imët djegës dhe që përdoret si bimë mjekësore e 
për ushqim. 

HITHËRORE
1. Familje bimësh barishtore, ku bëjnë pjesë 
lloje të ndryshme hithrash etj.

HITHËS 
1. Lloj vidhi me trung të lëmuar, me gjethe të 
dhëmbëzuara e me majë, të mbuluara nga lart me 
push të ashpër, me lule të vogla pa bisht, druri
të cilit përdoret për lëndë ndërtimi.

HITHKË
1. Ajdës.
2. Hithër.

HUDHËR
1. Bimë barishtore njëvjeçare me kërcell e 
me gjethe si të preshit, që bën në tokë një kokë 
me thelpinj të bashkuar, që ka erë të fortë e të 
djeg dhe që përdoret si ushqim a si bimë 
mjekësore.

HUNAP 
Shelgbutë. 

HURMË 
Pemë e vendeve të ngrohta, e lartë deri në 
dhjetë metra, me gjethe të gjata e vezake, me lule 
të bardha si në të verdhë, që bën kokrra të 
mëdha e të tulta si mollë, të cilat kur piqen, 
zbuten, marrin një ngjyrë të verdhë me të kuq dhe 
ëmbëlsohen; kokrrat e kësaj peme; kaki, hurmë deti. 

HYSHTËR
Boshtër.




FJALORI BOTANIK

No comments:

Post a Comment