Fjalori i Letersisë -E- Fjalor Letrar


EKSPRESIONIST
Që krijon sipas ekspresionizmit; që mbështetet në 
ekspresionizëm. Art ekspresionist. Letërsi 
ekspresioniste. Shkrimtar ekspresionist. Pikturë 
(muzikë) ekspresioniste.

EKSPRESIONIZËM
Drejtim dekadent e formalist në letërsinë e në artin 
borgjez të shekullit XX, sipas të cilit qëllimi kryesor i artit 
dhe i letërsisë duhet të jetë shprehja e botës së 
brendshme subjektive të krijuesit.

ELEGJI
Poezi lirike a pjesë muzikore me përmbajtje të trishtuar, 
të përvajshme e plot dhembje shpirtërore. Elegji 
politike. Elegjitë e Çajupit (e Nolit). 

EMFAZË
Shprehësi e theksuar emocionale në të folur a 
në të shkruar, që arrihet me mjete të ndryshme retorike 
dhe me anë të intonacionit. Emfazë retorike. Emfazë e 
tepruar. Interpreton me emfazë.

EPIGRAF
Citat i shkurtër a një fjalë e urtë popullore, që një 
autor e vë në krye të veprës ose në fillim të një kapitulli, 
për të treguar frymën a idenë themelore që përshkon 
veprën. Epigraf i goditur. Vë një epigraf.

EPIGRAM
Vjershë e shkurtër, zakonisht satirike, që 
përmban një mendim të mprehtë e thumbues. Shkruaj 
një epigram.

EPIK
Që ka të bëjë me epikën, që i përket epikës; që 
shkruan vepra tregimtare. Gjini (poezi) epike. Vepër 
(poemë) epike. Figurë epike. Varg (stil) epik. Poet epik.

EPIKË
Njëra ndër tri gjinitë kryesore të krijimtarisë letrare që 
paraqet në formë tregimi, në vargje ose në prozë, 
ngjarje a vepra heroike e të lavdishme të një populli 
ose të një njeriu; tërësia e veprave të këtij lloji. Epika 
historike. Epika legjendare. Epika shqiptare. Epika 
botërore (ballkanike).

EPIKO-LIRIK 
Që ka të bëjë me epikën dhe me lirikën, që ka karakter 
epik dhe lirik. Poezi epiko-lirike. Krijime epiko-lirike.

EPILOG
Kapitull i fundit ose pjesë përmbyllëse në një vepër 
letrare, ku jepet zgjidhja e veprës a përfundimi i 
ngjarjeve që shtjellohen në të ose flitet për fatin e 
mëtejshëm të personazheve pasi ka kaluar një farë 
kohe që nga ngjarjet e treguara.

EPISOD
1. Secila nga ngjarjet që shtjellohen në një vepër 
letrare me karakter tregimtar e që kanë një farë 
mëvetësie brenda kësaj vepre. Episod dramatik 
(tragjik, komik).
2. Veprim i shkurtër a i pjesshëm që jepej në 
dramat e grekëve të vjetër ndërmjet koreve.

EPITET
Fjalë përcaktuese që i shtohet emrit të një 
frymori, të një sendi etj. për ta cilësuar e për të vënë në 
dukje një tipar karakteristik të tij ose për t'i dhënë 
ligjërimit forcë shprehëse e bukuri artistike; emër që i 
ngjitet dikujt për ta lavdëruar ose për ta fyer. Epitet i 
bukur (i goditur, i zgjedhur). Epitet fyes (përbuzës).

EPOPE
Lloj i letërsisë epike, poemë e madhe epike ose 
vepër e madhe tregimtare ku përshkruhen ngjarje e 
punë legjendare historike, që kanë të bëjnë me jetën e 
një populli a të një kombi. Epopetë e Homerit. Shkruaj 
një epope.

EPOS
1. Tërësia e krijimeve epike të një populli, në të cilat 
tregohen ngjarjet e mëdha historike ose bëmat e 
trimëritë e heronjve të tij legjendarë. Eposi popullor. 
Eposi heroik. Eposi i kreshnikëve.
2. Gjini tregimtare zakonisht në vargje, lloj i poezisë 
tregimtare që dallohet nga lirika dhe nga drama.

EROTIK
Që ka të bëjë me dashurinë, që i këndon dashurisë, i 
dashurisë. Poezi (vargje, vjershë) erotike. Tregime 
erotike. Lirika erotike.

ESE
Artikull i gjatë a studim me karakter kritik ose publicistik, 
i cili trajton në mënyrë të përgjithshme, të lirë e jo të 
gjithanshme a shteruese çështje shoqërore, shkencore, 
letrare, kulturore etj.; vepër e përbërë prej disa 
artikujsh, zakonisht të shkurtër e të ndryshëm, që 
trajtojnë një temë e që kanë një titull të përbashkët; 
sprovë. Ese kritike. Ese filozofike (shkencore, historike)




Fjalori i letersise indeksi
-------------------------------------------------------------------------------

No comments:

Post a Comment