FJALOR EKONOMIK SHQIP GERMA M
MANDATARKËTIM
Dokument zyrtar që i dërgohet arkës për të arkëtuar një shumë të hollash.
Lëshoi (preu) mandatarkëtimin. Çdo hyrje në arkë vërtetohet me mandatarkëtim.
MANDATPAGESË
Dokument zyrtar që i dërgohet arkës ose bankës për të bërë një pagesë,
urdhërpagesë. Mbushi (nënshkroi) mandatpagesën. Çdo dalje nga arka
vërtetohet me mandatpagesë.
MBART
E marr një të dhënë në shifra nga një dokument dhe e hedh në një tjetër
sipas disa rregullave financiare. Mbart një shumë lekësh.
MBETURA
Shuma e parave që mbetet pa u harxhuar; shuma që mbetet nga zbritja e
një shume tjetër. Të mbeturat e muajit (e vitit) të kaluar. Të mbeturat nga
huaja. Të mbeturat e papaguara të prapambeturat.
MBITAKSË
Taksë e re që i shtohet një takse të mëparshme, shtesë takse (në vendet ku ka
taksa). Mbitaksë doganore. Mbitaksë mbi të ardhurat. Vënia (heqja) e
mbitaksës. Ngritja (ulja) e mbitaksës. Marrja e një mbitakse.
MBULESË
Sasia e arit ose e valutës që ruhet në një bankë për të mbuluar sasinë e
kartëmonedhave të vëna në qarkullim; depozitë, rezervë. Mbulesë ari.
MBULIM
Mbulimi i shpenzimeve.
MBULOJ
Siguroj mjetet e nevojshme financiare për të përballuar një shpenzim a
detyrim; përballoj, shlyej. Mbuloi borxhin. I mbuloi shpenzimet vetëm 50%. I
mbuloi humbjet. Mbulon nevojat e ndërmarrjes. Të ardhurat u përdorën për të
mbuluar ndërtimet e reja.
MBYLL
E mbyllën planin vjetor një muaj para afatit. E mbyllën buxhetin. E mbylli llogarinë.
No comments:
Post a Comment