FJALORI I ARTEVE - GERMA T

FJALORI  I  ARTEVE

GERMA  T




TABLO 
1. Pikturë në pëlhurë, në letër, në dërrasë etj., që zakonisht është
e madhe e me ngjyra dhe varet në mur.
2. Pjesë e një vepre dramatike ose nënndarje e një akti, në
të cilën ndërron dekori, pamje; pjesë muzikore, artistike etj. e
mëvetësishme, që trajton një temë nga jeta.

TENDENCË
Përfundim, ku autori i një vepre artistike, sipas gjendjes
klasore dhe ideologjisë së tij, synon të të shpjerë me anë të tablove
të jetës e të karaktereve të paraqitura në këtë vepër.

TENDENCIOZ
Që përçohet nga ideja ku do të të shpjerë autori i një vepre
artistike, që përmban një tendencë të caktuar të autorit sipas
gjendjes klasore dhe ideologjisë së tij. Karakteri tendencioz i
veprës. Frymë tendencioze.

TENDENCIOZITET
Drejtim i caktuar ideologjik që ndiqet nga autori i një vepre
artistike sipas gjendjes klasore dhe ideologjisë së tij; karakteri
tendencioz që i jep autori një vepre artistike, fryma tendencioze e
një vepre artistike; të qenët tendencioz i një vepre të tillë.
Tendenciozitet i hapur (i theksuar). Tendenciozitet klasor (politik,
ideologjik). Tendencioziteti i veprës (i romanit, i operës). E trajton
me tendenciozitet.

TEORI
Tërësia e parimeve, e tezave dhe e përgjithësimeve, që
formojnë një shkencë a një degë të saj, bazat e përgjithshme të një
shkence; tërësia e rregullave dhe e ligjeve, që janë të
domosdoshme për të njohur thellë një mjeshtëri, një art etj.;
shkenca që ka si objekt studimin e këtyre parimeve, rregullave e
ligjeve.

TIP
Personazh në tiparet vetjake të të cilit mishërohen
artistikisht veçoritë e përbashkëta e më thelbësore të një klase a
shtrese shoqërore, të një kombësie a kombi etj.

TIPIK
Që mishëron artistikisht veçoritë e përbashkëta e më
thelbësore të një grupi shoqëror, të një klase, të një kombi a të
dukurive në një periudhë të caktuar historike, që bëhet
përfaqësues i tyre. Hero tipik. Personazhe tipike në rrethana tipike.

TIPIZIM
Veprimi sipas kuptimeve të foljeve TIPIZOJ, TIPIZOHET. Tipizim
krijues. let., art. Tipizimi i ndërtimeve. Tipizimi proceseve
teknologjike

TIPIZOJ
Zgjedh atë që është tipike për një grup të caktuar
njerëzish ose për një varg dukurish të jetës dhe e mishëroj atë të
përgjithësuar në mënyrë krijuese në figurat artistike duke theksuar
ato anë që zbulojnë më mirë thelbin e tyre dhe që shprehin më
qartë qëndrimin e shkrimtarit. Tipizon komunistët e ditëve tona.
Ka tipizuar luftën e së resë kundër së vjetrës.

TRADITË
Trashëgim i arritjeve më të mira në fushën e letërsisë e
të artit, gjithçka e mirë e përparimtare që na kanë lënë brezat e
kaluar në këtë fushë. Ruajtja e traditave. Mbështetja në traditën.

TRAGJIK
Veçori e botës emocionale që përshkon
një vepër letrare ose artistike, e dhënë nëpërmjet një gjendjeje pa
rrugëdalje që vjen nga mospërputhja ndërmjet synimeve të heroit e
mundësisë së realizimit të tyre dhe që e çon atë në një fund të
hidhur; tragjizëm. Tragjikja dhe komikja. Tragjikja dhe heroikja.
Pasqyrimi i tragjikes në letërsi.

TRAGJIZËM
Ana tragjike në një vepër letrare ose artistike, ajo që e
bën tragjike një vepër, karakteri tragjik i saj. Tragjizmi i romanit
(i karaktereve).


Indeksi

FJALORI  I  ARTEVE

No comments:

Post a Comment