Fjalori i Letersisë -P- Fjalor Letrar



Fjalori i Letersisë 

-P-



PAMFLET
Shkrim i shkurtër satirik, me temë aktuale, që godet
ashpër një njeri a një shfaqje të jetës shoqërore e
politike. Pamflet politik. Pamflet i ashpër

PARAFRAZË
1. Fjali a shprehje që jep në mënyrë përshkruese
kuptimin e një fjale a të një shprehjeje të caktuar,
parafrazim (p.sh. «ajo që e ka lindur e rritur» në vend
të «e ëma», «ai që shkruan këtë letër» ose «autori i
kësaj letre» në vend të «unë» etj.).
2. Shpjegimi me fjalët e veta i një pjese letrare të
vështirë a të errët; shpjegimi me fjalë të tjera i
përmbajtjes së një vepre, i ideve të saj etj.
3. Përkthim i lirë dhe i zgjeruar i një vepre, i një
vjershe etj.

PARAFRAZIM
Veprimi dhe rrjedhimi i tij sipas kuptimeve të foljes parafrazoj

PARAFRAZOJ
1. Jap në mënyrë përshkruese përmbajtjen e një
fjale a të një shprehjeje të caktuar; përsërit me fjalët e
mia mendimin e një tjetri ose diçka që kam lexuar a
dëgjuar. Nuk i ka dhënë fjalë për fjalë ato që dëgjoi
por i ka parafrazuar.
2. Shpjegoj me fjalët e mia një pjesë letrare të
vështirë a të errët; shpjegoj me fjalë të tjera
përmbajtjen e një vepre, idetë e saj etj. Parafrazoi
tregimin.
3. Përkthej në mënyrë të lirë dhe të zgjeruar një
vepër, një tekst, një vjershë etj.

PARAFUNDOR
1. Që gjendet para rrokjes së fundit të një fjale;
që bie në rrokjen e parafundit. Rrokja parafundore.
Theks parafundor.
2. Që krijohet nga rënia e theksit në rrokjen e
parafundit të dy fjalëve, të cilat bëjnë rimë. Rimë
parafundore.

PARALELIZËM
Krahasim i zgjeruar ndërmjet dy a më shumë
sendesh, dukurish etj. me anë ndërtimesh sintaksore të
ngjashme, që vihen njëri pas tjetrit. Paralelizëm i
figurshëm.

PARITËM
Që nuk ka ritëm. Varg i paritëm.

PARODI
Imitim qesharak a satirik i një vepre letrare, i stilit
të saj etj.; vepër letrare satirike që imiton në mënyrë
qesharake a satirike një vepër letrare serioze, stilin e
saj etj.; pjesë e tillë për teatrin e estradës, që zakonisht
shoqërohet me muzikë. Parodi e njohur. Parodi e miteve biblike.

PARODIZOJ
Imitoj një vepër letrare, stilin e saj etj. në mënyrë
qesharake e satirike; e kthej një vepër, një pjesë etj. në
parodi; shkruaj një parodi.

PASTHIRRMË
Figurë retorike, me anë të së cilës autori shpreh
një ndjenjë të fortë një thirrje çudie, urrejtje, gëzim, frikë etj.

PATOS
Frymëzimi emocional dhe tërësia e ndjenjave të
ngritura, që përshkojnë një vepër letrare a artistike;
idetë e larta e të zjarrta që përshkojnë veprën artistike
ose ekzekutimin e saj. Patos ideor (patriotik). Patosi i
veprës. I këndon me patos.

PEIZAZH
Përshkrimi i natyrës në një vepër letrare.
Mjeshtër peizazhi. Peizazhet e romanit «Lumi i
vdekur».

PERIFRAZË
Shprehje a grup fjalësh që përdoren në vend të
emrit të një njeriu, të emërtimit të një sendi, të një
dukurie etj. për të nxjerrë në pah shenja të
qenësishme, tipare, veti a cilësi të tyre ose për të
paraqitur në mënyrë të gjallë e më artistikisht figurën e
tyre.

PERSONAZH
Individualiteti i krijuar nga shkrimtari në një vepër
nëpërmjet tipareve vetjake të të cilit mishërohen disa
anë tipik të një karakteri shoqëror, të kuptuara dhe ta
vlerësuara sipas një botëkuptimi të caktuar ideologjik.
Personazh kryesor (i dorës së dytë). Personazh
pozitiv (negativ). Personazh tipik.

PERSONIFIKIM
1. Veprimi sipas, kuptimeve të foljes personifikoj.
2. Figurë që krijohet kur i veshim një kafshe, një
sendi, etj. vetitë a tiparet e një njeriu. Ka shumë
personifikime.

PESËKËMBËSH
Që përbëhet nga pesë këmbë si masë vargu. Varg
pesëkëmbësh.

PESËRROKËSH
Që ka pesë rrokje. Fjalë pesërrokëshe. Varg pesërrokësh.

PESËSH
Që përbëhet nga pesë njësi ose që ka një pjesë me
pesë njësi. Strofë pesëshe, strofë me pesë vargje.

PËRKTHESË
Refren.

PËRLIGJJE
Përputhja e veprimeve të një personazhi me
gjendjen a me prejardhjen e tij shoqërore, me nivelin e
tij, me mjedisin ku jeton etj., motivim.

PËRSËRITJE
Figurë stilistike që krijohet duke përdorur disa
herë me radhë të njëjtën fjalë ose frazë për të shprehur
diçka me forcë të veçantë (p.sh. Krujë o qytet i bekuar
/ Prite, prite Skënderbenë.).

PËRSHKRIM
Lloj tregimtar i prozës së shkurtër letrare a
publicistike, në të cilin jepen, pa hyrë në analizën e
lidhjeve të brendshme të gjërave, tiparet e një njeriu, të
natyrës etj. ose përshkruhet një dukuri e jetës, një
ngjarje etj. Përshkrim letrar. Përshkrim i shkurtër (i
goditur). Botoi një përshkrim tërheqës.

PËRSHTATJE
Vepër letrare e përkthyer lirisht, së cilës i janë
bërë disa ndryshime lidhur me mjedisin, me rrethanat,
me vendin e me kohën kur zhvillohet ngjarja etj., pa iu
larguar në përgjithësi origjinalit. Përshtatje me vlerë
artistike (e bërë me mjeshtëri).

PLEONAZËM
Figurë stilistike që përbëhet nga disa fjalë me
kuptim të njëjtë ose shumë të afërt dhe që përdoret
zakonisht për t'i dhënë forcë e gjallëri shprehjes (p.sh.
Ishte shumë plak, i vjetër, i thyer.).

POEMË
Vepër e gjatë lirike ose epike e shkruar në
vargje. Poemë lirike. Poemë epike. Poemë satirike.
Poema e Naimit «Bagëti e Bujqësi».

POETIK
Që ka të bëjë me poezinë, që i përket poezisë, i
poezisë; që është karakteristik për poezinë; që është
në vargje; që përmban vjersha. Krijimtaria poetike.
Vepër poetike. Vëllim poetik vëllim me vjersha.

POETIKË
1. Degë e shkencës për letërsinë që merret me
studimin e veçorive të krijimtarisë letrare (të rrëfimit, të
subjektit, të ndërtimit dhe të mjeteve të tjera artistike).
2. Tërësia e mjeteve artistike dhe veçoritë e stilit të një
shkrimtari ose të një drejtimi letrar. Poetika popullore.
Poetika e romantizmit. Poetika e Ndre Mjedës.

PORTRET
Përshkrimi i pamjes së jashtme të një njeriu së
bashku me vetitë e tij shpirtërore e morale; përshkrimi i
një sendi a dukurie; lloj shkrimi që bën përshkrim të
tillë. Portreti i komunistit. Portreti i gruas në letërsi.
Portreti i fshatit.

PORTRETIZOJ
Përshkruaj pamjen e jashtme të një njeriu, së
bashku me vetitë e tij shpirtërore e morale, bëj portretin
e dikujt a të diçkaje. Portretizon heroin e ditëve tona. E
portretizon me mjeshtëri.

PROLOG
Hyrje në një vepër letrare (roman, dramë etj.),
zakonisht në trajtë monologu, që e lidh lexuesin me
temën e veprës ose e njeh me disa ngjarje që kanë
ndodhur më parë, por nuk trajtohen në vepër; kund.
epilog. Prologu i romanit (i dramës, i filmit).

PROTAGONIST
Personazhi kryesor i një vepre letrare (kryesisht
në prozë); personazhi kryesor pozitiv, heroi kryesor.
Protagonisti i veprës.

PROTOTIP
Njeriu i vërtetë që mishëron tiparet kryesore të
një grupi njerëzish dhe i shërben shkrimtarit për të
krijuar një tip të caktuar në veprën e tij letrare.

PROZAIK
Që i ngjan tepër prozës; që i mungon fryma
poetike, që përmban prozaizma (zakonisht për një
vepër poetike). Vepër prozaike. Është prozaike.

PROZAIZËM
Mungesë e frymës poetike në një vepër artistike,
nënvlerësim i mjeteve shprehëse që janë karakteristike
për artin. Prozaizëm i rëndomtë (i theksuar). Ra në
prozaizëm. Poema vuan nga prozaizmi.

PROZODI
Tërësia e elementeve gjuhësore e ritmike (gjatësia dhe
shkurtësia e zanoreve, theksi, rima, ritmi, ngritja e ulja e
tonit etj.), sipas të cilave ndërtohet një sistem i caktuar
vjershërimi; metrikë.

PROZODIK
Që ka të bëjë me prozodinë, që i përket prozodisë, i
prozodisë. Mjete prozodike.

PULËZA
Shenjëzat.

PUTHUR
Rimë e puthur: rimë në strofa ku vargjet rimojnë dy e
nga dy njëri pas tjetrit.




Fjalori i letersise indeksi
-------------------------------------------------------------------------------

No comments:

Post a Comment