Fjalori i Letersisë
-R-
RAPSOD
1. Këngëtar popullor, që këndon krijime të epikës
legjendare e historike; këngëtar popullor që këndon
dhe krijon këngë epike e trimërie nga jeta e sotme.
Rapsod popullor. Krijime të rapsodëve. Këndon
rapsodi me lahutë.
2. Këngëtar shëtitës në Greqinë e lashtë, që
këndonte këngë nga poemat e Homerit dhe këngë të
tjera legjendare.
RAPSODI
1. Këngë popullore legjendare ose trimërie, këngë
kreshnikësh; këngë e krijuar nga një rapsod me temë
nga ngjarjet e mëdha të jetës së sotme. Rapsodi
popullore. Rapsoditë e kreshnikëve. Rapsoditë e
Veriut. Përmbledhje rapsodish.
2. Pjesë nga poemat e Homerit ose nga një vepër
epike a legjendare, që këndohej nga rapsodët në
Greqinë e lashtë.
REALIST
Që mbështetet në parimet krijuese të
realizmit; që e pasqyron realitetin me vërtetësi. Vepër
realiste. Art realist. Shkrimtar realist. Drejtim realist.
REALIZËM
Metodë e njohjes dhe e pasqyrimit artistik të
jetës, sipas së cilës shkrimtari ose artisti i riprodhon
jetën dhe karakteret me vërtetësi dhe në lidhje me
rrethanat tipike të formimit e të zhvillimit të tyre; drejtim
në art dhe në letërsi, që ndjek parimet e kësaj metode;
paraqitja e jetës dhe e botës në një vepër letrare ose
artistike sipas kësaj metode.
REFREN
Strofë, varg a fjalë që përsëritet rregullisht në fund të
pjesëve të një vjershe ose të një kënge.
RETORIK
1. Që i përket retorikës, i retorikës; që bëhet sipas
rregullave të retorikës. Vepër retorike. Rregulla
retorike. Vjershë retorike. Mjete retorike. Figurë
retorike, figurë që përdoret për t'i dhënë më tepër
gjallëri stilit.
RIMË
Përputhje e plotë e rrokjeve të fundit të dy a më shumë
vargjeve, duke filluar nga zanorja e theksuar. Rimë e
brendshme (e puthur, e kryqëzuar, e mbyllur). Rimë
femërore përputhja e fjalëve me theks në rrokjen e
parafundit. Rimë mashkullore përputhja e fjalëve me
theks në rrokjen e fundit. Rimë foljore përputhja e plotë
e rrokjeve të foljeve në fund të vargjeve.
RIMON
Bën rimë.
RIMUAR
Që ka rimë, që është me rimë, që rimon me një tjetër.
Vargje të rimuar. Fjalë të rimuara.
RITËM
Përsëritje e rregullt e rrokjeve të theksuara e të
patheksuara ose e rrokjeve të gjata e të shkurtra në një
varg. Ritëm poetik. Ritmi i vargut. Skema e ritmit.
RITMIK
Që ka të bëjë me ritmin, i ritmit; që ka një
ritëm të caktuar. Theksi ritmik. Vargu ritmik.
RITMIKË
Mënyra e organizimit të ritmit në një poezi
ose në një pjesë muzikore; tërësia e veçorive të ritmit
në një vepër; dega e teorisë së letërsisë dhe e muzikës
që merret me studimin e kësaj mënyre dhe të këtyre
veçorive. Ritmika popullore.
ROMAN
Vepër letrare e gjatë, zakonisht në prozë, e cila
pasqyron një rreth të gjerë ngjarjesh e dukurish nga
jeta dhe karaktere, që shtjellohen në zhvillimin e tyre
dhe në lidhjet e ndërlikuara me kohën e me jetën e
shoqërisë; gjinia letrare që përfshin këto lloj veprash.
Roman i gjatë (i shkurtër). Roman shoqëror (historik,
epik, psikologjik). Roman kalorësiak (policor,
fantastik). Roman në vargje. Autor romanësh. Heroi i
romanit. Cikël romanësh. Shkruaj (botoj) një roman.
ROMANCË
Vjershë e shkurtër lirike, që u kushtohet
zakonisht ndjenjave dhe vihet në muzikë.
RUBAI
Strofë e poezisë lirike të popujve të Lindjes që përbëhet
nga katër vargje, nga të cilat vargu i parë, i dytë dhe i
katërt rimojnë në mes tyre, kurse i treti është i lirë.
Fjalori i letersise indeksi
-------------------------------------------------------------------------------
No comments:
Post a Comment