Fjalor gjeografie - T - ZH


Fjalor gjeografie

T - ZH

TAJFUN
Ciklon tropikal me fuqi shkatërruese të madhe, që fryn kryesisht në muajt gusht-shtator në Oqeanin Indian dhe në pjesën perëndimore të Oqeanit të Qetë; tufan i fuqishëm që fryn gjatë gjithë bregdetit të Azisë Juglindore. Tajfun i tmerrshëm. Zhvendosja e tajfunit. Shpërtheu (fryu) një tajfun.

TAJGË
Brez pyjesh të dendur me drunj halorë, që shtrihet në veri të Amerikës, të Evropës dhe të Azisë, poshtë zonës së tundrës.

TROPIK
Secili nga të dy brezat e vegjël të rruzullit, që janë paralel me ekuatorin dhe që ndodhen në një largësi prej 23° 27' në veri e në jug të tij; zona e rruzulli tokësor që shtrihet ndërmjet këtyre dy brezave. Tropiku i Gaforres (i Veriut). Tropiku i Sqapit (i Jugut). Zona e tropikut. Dielli i tropikut.

TUNDËR
Tokë e gjerë pa pyje e me bimësi të varfër në pjesën jugore të brezave arktikë, me klimë të ashpër dhe me ngrica të përhershëm.

UJDHESË
Ishull. Ujdhesa e Sazanit.

UJËMBAJTËS
Që mban ujë, që ka sasi të madhe uji. Shtresë (zonë) ujëmbajtëse. Pellg ujëmbajtës.

UJËNDARËS
Që ndan rrjedhjen e ujërave të lumenjve në dy anë të ndryshme, që ndan pellgjet rrjedhjes së dy lumenjve. Vijë ujëndarëse. Vargmal ujëndarës.

UJËNDARËSE
Kreshtë, majë ose rrafshnaltë, që ndan pellgjet e rrjedhjes së dy lumenjve në drejtime të ndryshme.

ULTËSIRË
Fushë a vend i hapur, që shtrihet jo më lart se dyqind metra mbi nivelin e detit; vend i ulët. Ultësirë e madhe. Ultësirë bregdetare.  Ultësira e Adriatikut.

VARGMAL
Varg malesh që kanë pothuaj të njëjtën lartësi dhe shtrihen në të njëjtin drejtim. Vargmale të larta. Majat e vargmaleve. Kaloi vargmalin.

VERI
Pika e horizontit që është përkundrejt jugut, drejtimi në të kundërtën e jugut, ana që është në të majtë kur kthehemi me fytyrë nga lind dielli. Poli i Veriut.

VERIOR
Që gjendet në veri të diçkaje; që është i viseve, të cilat ndodhen në veri; i veriut. Gjysmërruzulli Verior. Tropiku verior. Gjerësi gjeografike veriore, largësia e një vendi  nga Ekuatori në drejtim të Polit të Veriut.

VIJË
Vija e horizontit. Vija e ekuatorit.

VULLKAN
Grykë e madhe e hapur, zakonisht në majë të një mali, nga e cila dalin prej thellësisë së tokës gazra të nxehtë,  tymra e lavë. Vullkan i shuar. Vullkan veprues (aktiv). Grykë vullkani. Krateri i vullkanit. Shpërthen (shuhet) vullkani. Zien si vullkan. Buçet si vullkan

ZONË
Pjesë e një brezi të Tokës që ka klimë, lagështirë,  bimësi dhe pamje të jashtme pak a shumë të njëjtë. Zona  subtropikale e Evropës.

Fjalor gjeografie

No comments:

Post a Comment