Fjalor gjeografik N - SH


Fjalor gjeografik

N - SH

NADIR
Pikë e përfytyruar në kupën e qiellit nga ana e kundërt e gjysmërruzullit ku ndodhemi, e cila del po të hiqet një vijë kulmore nëpër qendrën e Tokës; e kundërta, zenit.

NAFTËMBAJTËS
Që përmban naftë, që ka naftë në shtresat e veta.

NËNTOKËSOR
Që gjendet nën sipërfaqen ose në brendësinë e tokës; që ndodh ose që bëhet në thellësi të tokës. Shpërthime nëntokësore. Pasuritë nëntokësore.

OQEAN
Hapësirë e madhe me ujë të kripur, që shtrihet ndërmjet kontinentesh. Oqeani Paqësor (i Qetë). Oqeani Indian. Oqeani i Ngrirë i Veriut. Fundi i oqeanit. Oqeani botëror (i përbotshëm) hidrosfera.

PARALEL
Secili nga rrathët e përfytyruar të lëmshit të Tokës, që shkojnë paralel me ekuatorin në të dy anët e tij deri te polet dhe që shërbejnë për të përcaktuar gjerësinë gjeografike. Paralelet dhe mesditësit. Në paralelin pesëdhjetë. Kaluan (kapërcyen) paralelin. Shqipëria është ndërmjet paraleleve 39 gradë e 38 minuta edhe 42 gradë e 39 minuta të gjerësisë veriore.

PELLG
1. Trevë që laget nga një lumë a nga degët e tij; tërësia e mëngëve të një lumi; sipërfaqe ku rrjedhin e ku mblidhen ujëra, burime etj. Pellg lumor.
2. Trevë e gjerë që përfshin një det pak a shumë të mbyllur dhe viset rreth tij. Pellgu i Egjeut (i Adriatikut, i Mesdheut).
3. Trevë e ulët fushore, e rrethuar prej malesh; ultësirë; rrafsh i gjerë, i rrethuar me male. Pellgu i Shkodrës. Pellgu i Korçës.

PERËNDIMOR
Që gjendet në perëndim, që është në atë anë a në atë drejtim nga perëndon dielli; i perëndimit. Pjesa (ana) perëndimore. Gjysmërruzulli perëndimor. Gjatësia gjeografike perëndimore. largësia e një vendi nga meridiani i parë (nga meridiani i Grinuiçit) në drejtim të perënditnit, që matet me gradë.

PIKË
Drejtim, anë. Pikat e horizontit. Katër pikat kryesore të drejtimit.

PLLAJË
Vend pak a shumë i rrafshët, që ngrihet butë mbi pesëqind metra; rrafshinë në një vend të lartë; rrafshnaltë. Pllajë e lartë rrafshnaltë. Pllajë e zhveshur. Pllajë me grurë. Pllajë me borë. Në male e pllaja.

POL
Secili nga dy skajet e boshtit të përfytyruar të Tokës, që mendohen si pika të palëvizshme gjatë rrotullimit të rruzullit rreth vetes; vendi a zona rreth këtyre pikave. Poli Verior (i Veriut). Poli Jugor (i Jugut).

Pol gjeografik vendi ku bashkohen meridianët. Pol magnetik pikë afër Polit të Veriut ose të Jugut, drejt së cilës kthehet gjilpëra e busullës.

POZITË
Vendi a pika në rruzullin tokësor ku shtrihet një shtet, një krahinë etj. Pozitë strategjike. Pozita gjeografike e Shqipërisë.

REGJIM
Kushtet në të cilat ndodh a zhvillohet një dukuri meteorologjike ose e lidhur me ujërat, rregullsia e përsëritjes së një dukurie të tillë. Regjimi ujor. Regjimi i lumit ndryshimi i sasisë së ujit të lumit gjatë stinëve. Regjimi i reshjeve. Regjimi termik (i tokës, i atmosferës).

RELIEV
Tërësia e të ngriturave dhe e të ulurave në sipërfaqen e tokës, pamja e sipërfaqes së tokës me male, kodra dhe me ultësira e lugina; paraqitja e zvogëluar e sipërfaqes së tokës me të ngriturat dhe të ulurat. Reliev malor. Reliev i thyer (i ngritur, i lartë). Reliev akullnajor. Relievi i Tokës. Relievi i Shqipërisë. Harta e relievit.

RRAFSHNALTË
Fushë shumë e gjerë që shtrihet në lartësi të madhe mbi nivelin e detit, rrafsh shumë i hapët në vise të larta malore. Rrafshnaltë e ashpër. Rrafshnaltë gurore (liqenore). Rrafshnalta e Kolonjës (e Çajupit).

RRAFSHULËT
Fushë shumë e gjerë që shtrihet në një lartësi të vogël mbi nivelin e detit; ultësirë. Rruga kalon nëpër rrafshulëta.

RRJEDHJE
Shtrati i një lumi ose një pjesë e tij; viset nëpër të cilat kalon një lumë ose një pjesë e tyre. Rrjedhja e sipërme (e mesme, e poshtme). Rrjedhja e Drinit (e Shkumbinit). E kapërceu në rrjedhjen e sipërme.

RRUSHKULLUES
Vijë rrushkulluese: vijë e lakuar në hartë ose në rrafsh, që bashkon pikat me të njëjtën lartësi. Mbi (nën) vijën rrushkulluese. Në drejtim të vijës rrushkulluese. Ndjek vijën rrushkulluese të malit.

SAVANË
Treva fushore me bar të lartë dhe me pemë e shkurre të rralla, që shtrihet në të dy anët e ekuatorit dhe që ka një stinë, të thatë e një stinë me lagështi. Savanat afrikane. Savanat e Amerikës së Jugut. Bari i savanave. Kafshët e savanave.

STEPË
Vend i gjerë fushor pa drurë, me bimësi të varfër barishtore dhe me klimë të thatë. Stepë e thatë. Stepat livadhore. Zona e stepave. Bimësia e stepave. Dhelpra e stepës.

STEPOR
1. Që ka të bëjë me stepën, i stepës; që është me stepa. Zonë stepore. Brez stepor.
2. Që rritet a jeton në stepë; që është karakteristik për stepën. Bimësi stepore. Toka të zeza stepore.

SHARRË
Shkëmb a varg shkëmbinjsh të thepisur, që gjenden brenda në det dhe janë të rrezikshëm për anijet.

SHIGJETË
Ledh rëre që ndan një gji nga deti i hapur.

SHIMBLEDHËS
Që mbledh ujin e shiut, ujëmbledhës. Pellg shimbledhës.

SHKALLË
Udhë e përpjetë dhe e ngushtë në një grykë mali, që është si me shkallare; vend me shkëmbinj e me gurë të mëdhenj në një faqe mali. Shkalla e malit. Shkalla e Tujanit (e Priskës, e Mirakës, e Valshit).

SHKRETËTIRË
Hapësirë e gjerë, zakonisht e mbuluar me rërë, pothuajse pa bimësi e pa botë shtazore, ku reshjet janë shumë të pakta. Shkretëtirë ranore (deltinore, shkëmbore). Shkretëtirë akulli (akullnajore) hapësirë e gjerë e mbuluar me akuj të përjetshëm. Shkretëtirë pa fund. Bimë (kafshë) të shkretëtirave. Oazet e shkretëtirës. Karvanët e shkretëtirave.

Fjalor gjeografik

No comments:

Post a Comment