Fjalor Matematike Q - SH

Fjalor Matematike 




QINDËSHE
Numër që përbëhet nga njëqind njësi; njësia e rendit të tretë dhe shifra e tretë nga fundi në një numër. Veprimet deri në qindëshen e parë. Sa qindëshe ka numri 2600? I zbresim një qindëshe. Mbledh qindëshet.

QINDOR
Që ndahet në njëqind pjesë të njëjta; që mbështetet në numrin njëqind. Sistem qindor.

RACIONAL
Që mund të jepet në trajtën e një thyese me numra të plotë (për numrat); që nuk përmban një rrënjor (për shprehjet algjebrike). Numrat racionale. Shprehje racionale.

REAL
Numrat realë, numrat e zakonshëm të dalluar nga numrat imagjinarë.

RRAFSHOR
Që lidhet me rrafshet, që ka të bëjë me studimin e rrafsheve. Gjeometria rrafshore planimetria.

RRETHSHKRUAJ
Bëj një rreth rrotull një trekëndëshi, katërkëndëshi etj. duke prekur të gjitha kulmet. Rrethshkruaj një trekëndësh.

RRETHSHKRUAR
Që ka rrotull një rreth, i cili i prek të gjitha këndet nga jashtë (për figurat shumëkëndëshe). Trekëndësh (shumëkëndësh) i rrethshkruar.

RRËNJË
Numër a shprehje algjebrike, që, kur ngrihet në fuqi, jep madhësinë e dhënë më parë; numër që shërben si zgjidhje e një barazimi. Rrënjë katrore (kubike). Rrënjët aritmetike (algjebrike). Rrënja e një thyese. Shenja e rrënjës. Nxjerr (gjej) rrënjën katrore të një numri. Ngre në fuqi një rrënjë.

RRËNJOR
Shenjë në trajtë të shkronjës V me krahun e djathtë të zgjatur drejt, e cila vihet mbi një numër a shprehje algjebrike për të nxjerrë rrënjën në atë shkallë, që shënohet me një shifër në krahun e majtë të kësaj shenje; përfundimi që del nga nxjerrja e një rrënje.

RRITËS
Që është më e madhe se kufiza paraardhëse (në vargun e numrave);

RRJEDHIM
Pasojë e drejtpërdrejtë e një teoreme të vërtetuar më parë.

SEKONDË
Njësi matjeje për këndet dhe për harqet, e barabartë me një të gjashtëdhjetën e një minute ose me një të tremijegjashtëqindën e një grade dhe që shënohet me dy vijëza të shkurtra sipër pas shifrës përkatëse. Dy gradë, tre minuta e dhjetë sekonda (2°3'10")

SERI
Një tërësi numrash ose madhësish të renditura sipas një rregulli të caktuar. Seri konvergjente. Seri pozitive.

SFERË
Trup i rrumbullakët, që i ka të gjitha pikat e sipërfaqes të baraslarguara nga qendra e vet, rruzull. Vëllimi i sferës. Sipërfaqja (rrezja) e sferës. Në trajtë sfere.

SINUS
Një nga funksionet trigonometrike që në rastin e një këndi të ngushtë (të trekëndëshit kënddrejtë) është raporti i katetit përballë me hipotenuzën. Sinusi i një këndi. Rritet (zvogëlohet) sinusi.

SIPËRFAQE
Pjesë e një rrafshi të drejtë a të përkulur, e kufizuar në çdo anë nga një vijë e thyer ose e lakuar dhe që shprehet me njësi katrore si shumëzim i gjatësisë e i gjerësisë; syprinë. Sipërfaqja e katrorit (e trekëndëshit). Ka një sipërfaqe prej njëqind metrash katrorë.

SPIRALE
Lakore që bën një sërë rrotullimesh rreth një pike a një boshti duke u zgjeruar në mënyrë të njëtrajtshme. Spirale kërmillore. Bën (vizaton) një spirale.

SHENJË
simbole që përdoren për të shënuar veprime ose vlera të ndryshme matematike

SHIFËR
Shenjë e veçantë që shënon një numër. Shifra arabe (romake). Shifra dhjetore. Numër me shumë shifra.

SHKALLË
Treguesi më i madh i fuqisë të së panjohurës në një ekuacion ose i ndryshores në një polinom, gradë. Shkalla e një ekuacioni (e një polinomi). Ekuacion i shkallës së parë (së dytë)

SHKRONJOR
Që shprehet a që shënohet me shkronja; që kryhet me shkronja. Ekuacion shkronjor. Shprehje shkronjore. Njehsim shkronjor.

SHNDËRRIM
Shndërrim algjebrik, veprimi me anën e të cilit një shprehjeje algjebrike ose një ekuacioni i jepet një formë tjetër.

SHPREHJE
Tërësi madhësish të lidhura ndërmjet tyre me shenja të veprimeve matematike. Shprehje thyesore. Shprehje algjebrike (aritmetike). Të njehsohet vlera e shprehjes.

SHUMË
Përfundimi i mbledhjes së disa numrave a të disa madhësive të njëllojta. Shumë aritmetike (algjebrike). Shuma e përgjithshme përfundimi i mbledhjes së disa shumave të veçanta. Shuma e dy (e tre...) numrave. Shuma e këndeve të një trekëndëshi.

SHUMËFISH
Numër i plotë që pjesëtohet pa mbetje me një numër të plotë më të vogël; Shumëfishi i përbashkët. Shumëfishat e dhjetës. Gjej shumëfishat e një numri.

SHUMËFISHTË
Që pjesëtohet pa mbetje me një numër të plotë. Numër i shumëfishtë.

SHUMËGJYMTYRËSH
Polinom.

SHUMËZIM
jë nga katër veprimet themelore të matematikës, me anën e të cilit nga dy numra (të quajtur «i shumëzueshmi» dhe «shumëzuesi») nxirret një numër i tretë (i quajtur «prodhim»), i barabartë me shumën që del nga mbledhja e të shumëzueshmit me veten e tij aq herë sa tregon shumëzuesi. Tabela e shumëzimit. Prova e shumëzimit.

SHUMËZOJ
Bëj veprimin e shumëzimit. Shumëzoj dy numra. Shumëzoj shtatën me tetë.

SHUMËZUES
Numri me të cilin shumëzojmë një numër tjetër. Shumëzues me dy (me tri) shifra.

SHUMËZUESHËM
Numri që shumëzohet me një numër tjetër. I shumëzueshmi shkruhet sipër.



Fjalor Matematike 

No comments:

Post a Comment