Fjalor Zoologjik - SH -TH

Fjalor Zoologjik

SH -TH


SHAPKË
Shaptore, pulëdushke. Shapkë ujëse (uji) lloj shpendi i tillë, që rron nëpër moçalishte.

SHAPTORE
Shpend i murrmë lara-lara, me sqep të gjatë, të hollë e të drejtë, që rron nëpër shkorrete e pyje me lagështirë dhe ka mish të shijshëm; shapkë, pulëdushke.

SHARDE
Bollësharde

SHARRUES
Sharruesi i drithërave: insekt shumë i vogël me ngjyrë të zezë, me unaza të verdha në trup e me krahë të tejdukshëm, që dëmton drithërat.

SHIGJETË
Shigjetull.

SHIGJETULL
Një lloj gjarpri i gjatë helmues, me ngjyrë si në të verdhë, që hidhet si shigjetë.

SHIMPANZE
Majmun i madh që rron në pyjet e Afrikës tropikale, që i ngjan më shumë njeriut dhe është më i zhvilluar e më i zgjuar se majmunët e tjerë.

SHIRIT
Krimb i gjatë me trup të përbërë prej një numri të madh unazash të shtypura, që jeton si parazit në zorrët e njeriut dhe të disa kafshëve gjitare; lëvrizë. Shiriti i njeriut (i kaut, i derrit, i qengjave, i qenit).

SHKABË
1. Shpend i madh grabitqar me ngjyrë të përhime në të kuqërremtë, me qafë të zhveshur, me sqep të kthyer e me kthetra të forta, që ushqehet më tepër me kafshë të ngordhura.
2. Shqiponjë.

SHKATËRR
Peshk deti i madh e grabitqar, me trupin petashuq e pa luspa, me bisht të mprehtë dhe i pajisur me organe që prodhojnë shkarkime të forta elektrike. Shkatrra nuk hahet.

SHKËNDIJË
1. Xixëllonjë, shkëndijëz.
2. Kandërr me trup të zi ose ngjyrëkafe të hapur, me flatra të mëdha e me këmbë të gjata, që shfaqet në kohën e lulëzimit të pemëve dhe dëmton lulet e tyre

SHKËNDIJËZ
Xixëllonjë.

SHKRAP
Akrep, sfurk.

SHKURTË
Zog shtegtar që i ngjan thëllëzës, me pendë të murrme e lara-lara, me këmbë të shkurtra dhe me mish shumë të shijshëm; shkurtëz.

SHKURTËZ
Shkurtë.

SHLLIGË
Nepërkë.

SHOJZË
Peshk i ujërave të kripura e të ëmbla, me trup vezak e petashuq, i murrmë nga sipër e në të bardhë nga poshtë, me të dy sytë të vendosur nga ana e djathtë e trupit dhe me mish të shijshëm.

SHOTAN
Mashkulli i shotës.

SHOTË
Një lloj rose e madhe; rosë. Shota të egra.

SHPEND
1. Kafshë kurrizore me trup të mbuluar me pendë e me pupla, me dy krahë, me dy këmbë e me sqep, që bën vezë dhe që në përgjithësi mund të fluturojë; klasa e këtyre kafshëve. Shpendët shtëpiakë. Shpendët e egër. Shpendë shtegtarë (të përhershëm, endacakë). Shpendë ujës (uji).

SHPENDKEQ
Kukuvajkë, herëkeqe.

SHPESË
Shpend. Shpesët shtëpiake. Shpesët e egra.

SHPUES
Shpuesi i frutave, insekt i vogël, me trup në ngjyrë qielli të errët, të mbuluar me qime të shkurtra e të rralla, i cili dëmton mollët, dardhët, kajsitë, pjeshkat, kumbullat etj.

SHQARTH
Kafshë grabitqare më e vogël se dhelpra, me gëzof të çmueshëm, zakonisht në ngjyrë të murrme, që ngjitet me shkathtësi nëpër pemë dhe ha pulat; kunadhe; gëzofi i kësaj
kafshe.

SHQEPADRU
Qukapik.

SHQIPE
Shqiponjë.

SHQIPONJË
Shpend i madh grabitqar, me sqep të kthyer, me kthetra të gjata e të forta dhe me sy të mprehtë, që rron në male e në stepa dhe mbahet nga shqiptarët si simbol i lirisë e i trimërisë; shqipe, shkabë.

SHQIPONJË DETI
Fregatë.

SHQIRËZ
Thëllëzë fushe.

SHTËRPI
Zvarranik, rrëshqanor (si gjarpri, zhapiu, hardhuca etj.).

SHTREP
Krimba të vegjël e të bardhë, që zë një lloj djathi.

SHTRIGË
Flutur që hyn natën në koshere dhe ha mjaltin; flutur nate që tërhiqet nga drita e vjen rreth llambës.

SHTURË
Zog i vogël shtegtar, i ngjashëm me harabelin, me pupla të zeza e me cirka të bardha në krahët e në bark, me sqep të shtypur në majë, i cili është shumë i shkathët e i lëvizshëm dhe këndon bukur.

SHUMËKËMBËSH
Kafshë e vogël, me trup të ndarë në shumë unaza, të cilat kanë çdonjëra nga një palë ose nga dy palë këmbë të nyjëtuara; këmbëshumëz, dyzetkëmbësh.

SHUSHUNJË
1. Krimb parazitar i ujërave të ëmbla, me trup unazor shumë të zhdërvjellët, që ushqehet me gjakun e kafshëve të ndryshme duke u ngjitur në trupin e tyre dhe që përdoret edhe në mjekësinë popullore për të marrë gjak. Shushunjë mjekësore. Shushunjë kali.
2. Shushunja e dardhës, kandërr me ngjyrë të zezë të ndritshme e me flatra të tejdukshme, që dëmton dardhën, vishnjën, qershinë e pemë të tjera. Shushunja e të lashtave (e drithërave), lloj buburreci me ngjyrë blu në të gjelbër e me shkëlqim metalik, që dëmton të lashtat.

TAKLLORE
Qukapiku, pikthi; femra e qukapikut.

TAMBLUC
Lloj hardhuce e vogël, me kokë të madhe, me sy të mëdhenj e me këmbë të shkurtra, që rri nëpër mure e në faqet e shkëmbinjve.

TARTABIQE
Kandërr vogël me trup të rrumbullakët e të shtypur, me ngjyrë vishnje të errët e me një erë të rëndë, që jeton si parazit në banesa, nëpër plasat a vrimat e mureve, të dërrasave, të shtretërve etj. ose në vende të errëta dhe që u thith njerëzve gjakun kur flenë; çimkë.

TENJË
Flutur me madhësi e ngjyra të ndryshme, që e ka larvën si vemje të hollë dhe që bren e dëmton shumë bimët ose ushqehet me dyllin e bletëve, me miell etj.Tenja e patates (e hardhisë). Tenja e ullirit. Tenja e drithit. Tenja e lakrës. Tenja e qepës. Tenja e miellit (e hambarit). Tenja e dyllit.

TERMITE
Miza të mëdha si milingona, me trupin të mbuluar me një cipë, që rrojnë bashkë në vende të nxehta dhe ndërtojnë fole zakonisht nëpër drurë.

TETËKËMBËSH
Butak deti pa guaskë, me trup të mbledhur si qeskë, të butë e pa hala, me tetë krahë, me ventuza e me dy sy të mëdhenj, që lëshon një lëng të zi për t’u mbrojtur; likurishtë, oktapod.

TIGËR
Kafshë e madhe grabitqare e familjes së maceve, me trup të gjatë e të mbuluar me qime të verdha në të kuqe, me breza të zinj për së gjeri dhe me bisht të gjatë, që jeton në Azi

TOJË
Kurrillë. Tufë tojash. Fluturimi i tojave.

TON
Peshk i madh grabitqar, deri në pesë metra i gjatë e me peshë deri në pesëqind kilogramë, me kurriz në ngjyrë blu të errët e me bark pulla -pulla, që rron zakonisht në detet e ngrohta. Gjuetia e tonit. Konserva toni.

TRINGEC
Trishtil.

TROFTË
Peshk grabitqar i ujërave të ëmbla, me trup të gjatë e me dy fletë në shpinë, me gojë të madhe e me nofulla të forta, që e ka mishin zakonisht pak si të kuqërremtë dhe shumë të shijshëm; koran. Trofta pikaloshe. Troftë liqeni (lumi). Trofta e malit. Gjuetia e troftave

TRUMCAK
Harabel. Trumcaku i zakonshëm. Trumcaku i livadheve. Cicërima e trumcakut. Tufë trumcakësh. Sa një trumcak.

TUNDUBISHTJE
Bishtatundës.

TURTULL
Zog shtegtar, më i vogël se pëllumbi, me kokë të vogël, me bisht të gjatë e me pendë të përhime, që jeton nëpër pyje e që këndon bukur. Mish turtulli.

TUSHË
Lloj mëllenje, me sqep të drejtë të shtypur e të verdhë, me pupla të zeza e me lara të bardha në krahët, në bark dhe nën bisht që jeton në tufë. Tushë mali lloj mëllenje me pupla të përhime që rron më shumë në male.

THËLLËZË
og i madh sa një pëllumb, zakonisht me ngjyrë të murrmenë të përhime me sqep të kuq, që jeton në tufa fushave e maleve dhe që këndon bukur.

THITHAK
Thimthi i kandrrave. Thithaku i bletës.

THITHËLOPË
Një lloj bretkose e madhe, me lëkurë të gjelbër e tërë rrudha, e cila jeton në ujë vetëm gjatë kohës së shumëzimit dhe për të cilën besohej se i ngjitej lopës në sisë e ia thithte qumështin.

THIUL
Një lloj rose e egër, me kokë të madhe e me qafë të trashë.

THJESHTË
Kafshët e thjeshta, kafshë që i përkasin një faze të ulët të zhvillimit biologjik.

THNEGËL
Milingonë, mizë përdhese, mizë dheu.

THUMBUES
Rendi i kandrrave që kanë thumb.

THUMBVERDHË
1. Sqepverdhë.
2. THUMBVERDHË, Mëllenjë thumbverdhë.

THUNDRAK
Që ka thundër. Kafshë thundrake. Rend gjitarësh, ku hyjnë kafshë me trup të madh si kali, gomari, kau, delja etj., që kanë thundra në fund të këmbëve. Rendi i thundrakëve.

THUNDROR
Thundrak. Kafshë thundrore. 


Fjalor Zoologjik - SH -TH

No comments:

Post a Comment