Fjalor Zoologjik - R - S

Fjalor Zoologjik
R - S



RABECKË
Harabel. Çerdhe rabeckash. I vogël sa një rabeckë.

RACË
1. Grup kafshësh, zakonisht shtëpiake, që kanë tipare e cilësi të përbashkëta të trashëgueshme, të cilat zhvillohen nën ndikimin e mjedisit dhe përmirësohen me punën e kujdesin e njeriut. Racë e pastër (e përzier, e mirë, e keqe). Racë kuajsh (lopësh, dhensh, derrash, pulash ...). Përmirësimi i racës. Kryqëzimi i racës. Nxjerr një racë të re.
2. Grup kafshësh shtëpiake me tipare të jashtme dhe me cilësi prodhimi shumë të mira, lloj i zgjedhur. Kalë (dele, qen ...) race. Lë (mbaj) për racë.

RENË
Lloj dreri i vendeve veriore me brirë shumë të degëzuar, që mbahet për qumësht, për mish dhe për të tërhequr rrëshqitëset. Kope renash. Rene shtëpiake (e egër). Qumësht rene.

RIGASH
Gjeldeti.

RIKAN
Mashkulli i rosës, rosak. Rika e rikani.

RIKË
1. Zog rose, bibë rose; rosë.
2. Pulëdeti.

RINOQERONT
Kafshë gjitare barngrënëse e viseve të nxehta të Afrikës e të Azisë, me trup të madh e me kokë të zgjatur, që ka në turi një bri a dy brirë; hundëbri. Rinoqeront afrikan (indian).

RIPËRTYPËS
Që e kthen ushqimin nga stomaku dhe e përtyp për së dyti në gojë (për disa kafshë si kau, lopa, dhia, delja etj.). Kafshë ripërtypëse. Gjitarë ripërtypës.

ROSAK
Mashkulli i rosës. Rosak i bardhë (i zi).

ROSË
Shpend uji me qafë të shkurtër, me sqep të gjerë, të rrafshët e të verdhë dhe me këmbë si pëllëmbë të hapura anash. Rosë e bardhë (e zezë). Rosë laramane. Rosë shtëpiake. Rosë e egër shpend ujë i egër me trup më të vogël, me kokë e me qafë të murrme në të kuqe dhe me kurriz të përhimë; zhytarak. Rosë deti lloj rose me trup më të madh se rosa e zakonshme e me sqep më të gjatë. Zog (bibë) rose. Vezë (mish) rose. Tufë rosak. Gjuetia e rosave. Ecën si rosë

RRA
Rre.

RRAJË
Peshk me trup të gjerë, me lëkurë të fortë, që e ka kokën si të breshkës.

RRAJZË
Glistër, krimb shiu.

RRAXHË
Peshk deti me trup petashuq në trajtë rombi që ka bisht të hollë e të gjatë.

RRE
Krimb që jeton si parazit në zorrët e fëmijëve, bubë.

RREMË
Këmbë të rreme, zgjatime që u shërbejnë disa kafshëve të vogla në vend të këmbëve.

RRËFESHK
Kryeartëz, ferracak.

RRËQEBULL
Kafshë e egër mishngrënëse e ngjashme me macen, me trup deri një metër të gjatë, me qime të butë, të dendur e me ngjyrë të murrme lara-lara, me veshë të ngritur e me bisht të shkurtër; luqerbull.

RRËSHAJË
Nepërkë.

RRËSHQANËS
Rrëshqanor

RRËSHQANOR
Zvarranik. Rrëshqanorët tokësorë (ujorë).

RRIME
Krimb shiu. Ishte si rrime.

RRIQËR
Këpushë.

SALAMANDËR
Kafshë e vogël, që jeton në ujë dhe në tokë, e ngjashme me hardhucën, me bisht dhe me lëkurë të zezë ose me njolla të verdha; pikëlore. Salamandër e zezë. Bishti i salamandrës.

SALMON
Peshk i madh i deteve të ftohta, me mish të kuq e të shijshëm, që largohet nga deti e futet në lumenj në kohën e riprodhimit. Salmon i kripur (i tymosur, i konservuar). Mish salmoni.

SARDELE
Peshk i vogël deti që jeton në tufa të mëdha, me mish të shijshëm e që përdoret shpesh i konservuar. Sardele në vaj ulliri. Një kuti sardele. Tufë sardelesh. Gjuetia e sardeles.

SEPJE
Butak deti me trup vezak si qeskë e vogël, që ka dhjetë brirthë rreth gojës, një guaskë të brendshme dhe një fshikëz me lëng të zi, të cilin e lëshon për të turbulluar ujin që të mbrohet.

SFUNGJER
Kafshë deti shumëqelizore me ndërtim të thjeshtë, që rron e ngulur së bashku me të tjerat në një skelet të lehtë e tërë vrima prej lënde të brirtë ose gëlqerore.

SFURK
Akrep.

SISOR
Gjitar

SKADHINË
Peshk deti i madh, me trup të gjerë e të shtypur dhe me pendët e gjoksit të mëdha.

SKATHAR
Lloj kandrre e zezë që dëmton vreshtat.

SKIFTER
Shpend grabitqar me sqep të kthyer e me kthetra të fuqishme, që rron nëpër shkëmbinj; fajkua.

SKILE
Dhelpër.

SKLLOP
Shpend uji i murrmë, i madh sa një pulë.

SKOBUZ
Njilë.

SKORT
Peshk i vogël i ujërave të ëmbla, me trup të zgjatur dhe të shtypur anash, me kokë të shkurtër e me turi të hollë. Skort i bardhë gurnec. Skorti i zi.

SKRAPTH
1. Gjarpër helmues me trup të hollë, me ngjyrë të verdhë në të kuqërremtë dhe me një njollë rrëzë fytit.
2. Kandërr e zezë helmuese, që i ngjan brumbullit.

SKUMBRI
Peshk deti deri gjysmë metri i gjatë, me ngjyrë blu të shkëlqyeshme dhe me vija të gjelbra, me mish të bardhë e të shijshëm.

SOKOL
Shpend grabitqar me sqep të kthyer dhe me krahë e thonj të fuqishëm; petrit.

SORKADH
Kaproll.

SORKADHE
Femra e kaprollit, kaprolle.

SORRAK
Mashkulli i sorrës.

SORRË
1. Shpend me pendë të zeza të ndritshme e me sqep të kthyer, që ndërton çerdhe nëpër godina të braktisura e mbi drurë të lartë dhe që dëmton të mbjellat e pemët.
2. Stërqokë.

SOVAL
Kastriq.

SPALCË
Peshk deti me trup të gjerë e të shtypur anash, me luspa të ndritshme si argjend, me mish të bardhë e të shijshëm; kocë e vogël.

SPURDHIQ
Spurdhjak.

SPURDHJAK
Trumcak, harabel; zog i vogël në përgjithësi.

SQEPADRUTH
Qukapik.

SQEPGJATË
1. Shpend i brigjeve të detit me trup mesatar, me kokë dhe qafë të zezë, me bark të bardhë e me sqep të kuq.
2. Shaptore, shapkë.

SQEPKUQ
Që e ka sqepin në ngjyrë të kuqe. Korb sqepkuq

SQEPLUGË
Lloj rose e egër me pendë të bardha dhe me sqep të madh, të gjerë e si lugë, e cila rron zakonisht nëpër këneta.

SQEPTORE
Shaptore, shapkë.

SQEPTRASHË
Zog i ngjashëm me trumcakun, me pendë të murrme në të kuqërremta, me gushë të bardhë dhe me sqep të trashë e shumë të fortë.

STËRQOK
Mashkulli i stërqokës.

STËRQOKË
Shpend i familjes së korbave, me trup pak më të vogël se sorra, me bisht të gjatë, me pendë të zeza në trup e të bardheme në qafë e në bark; cirikokë. Stërqokë mali.

STRAGË
Kubël në moshën mbi një vit deri në pjekjen seksuale.

STRUC
Shpend me trup të madh, me krahë pak të zhvilluar, me qafë e me këmbë të gjata, që vrapon shpejt dhe që rron në shkretëtira e në stepat e vendeve të nxehta.

SUTË
Femra e drerit, drenushë.

SUVAL
Gjarpër i madh e i trashë që përmendet në tregimet popullore, në të cilat thuhet se i mbështjell kafshët dhe u zë frymën.





Fjalor Zoologjik

No comments:

Post a Comment