Fjalori i Zoologjise
P - Q
PALLUA
Shpend i madh sa një pulë deti, me një
xhufkë në kokë, me pendë shumëngjyrëshe e të ndritshme, shumë të gjata në
bisht, të cilin e hap si erashkë.
PANTERË
Kafshë gjitare e egër, mishngrënëse, me
trup të madh e me lëkurë të verdhë me njolla të zeza. Pantera e zezë.
PANXHAR
Breshkëza e panxharit.
PAPAGALL
Zog i vendeve të nxehta me sqep të verdhë,
të gjatë e të kthyer nga poshtë, me pupla shumëngjyrëshe, që ka aftësi të
shqiptojë fjalë duke imituar njeriun.
PASTËR
Pastër deti, yll deti.
PATATE
Buburreci (vrugu) i patates.
PATË
Shpend më i madh se rosa, me qafë të gjatë,
me sqep të madh, të rrafshët e të verdhë, me këmbë në trajtë të pëllëmbës, që
mbahet si shpend shtëpiak ose që rron si shpend i egër në vende me ujë.
Patë e bardhë (e murrme).
Patat e egra.
Patë deti.
PATOK
Mashkulli i patës.
PELIGORGË
Bregcë.
PENDËKUQ
Një lloj krapi.
PESHK
Kafshë kurrizore e ujërave të ëmbla e të
kripura, me trup shpatuk e të zgjatur si bosht, zakonisht të mbuluar me luspa,
me pendë të forta anash e mbi shpinë, që merr frymë me anë të verzave.
Peshk i kuq.
Peshk deti (lumi, liqeni).
Peshk elektrik, peshk deti me trup të
rrumbullakët, të sheshtë dhe me bisht, i pajisur me organe të posaçme që
lëshojnë ngarkesa elektrike.
Peshk fluturak, peshk fluturues.
Peshk fluturues, peshk deti me dy pendët
çifte të gjoksit si krahë, me të cilat fluturon ulët mbi sipërfaqen e ujit në
një larësi rreth dyqind metrash.
Peshk guri, peshk i vogël deti, zakonisht
me kurriz të murrmë, që jeton në thellësi, zakonisht nën gurë re shkëmbinj e
nuk hahet.
Peshk pëllumb, peshk deti grabitqar, i
familjes së peshkaqenëve, pa brinjë kërcore.
PESHKAQEN
Peshk deti grabitqar, me trup të madh, të
fuqishëm e të mbuluar me lëkurë të ashpër, me gojë të lakuar si hark në pjesën
e poshtme dhe me dhëmbë të fortë e të mprehtë.
PESHK-KAVALL
Peshk me trup të zgjatur si të ngjalës, me
turi të rrumbullakët. Që ka pesë deri shtatë vrima në të dy anët e trupit fill
pas kokës.
PESHK-SHARRË
Peshk deti që ka përpara një zgjatim të
pajisur anash me dhëmbëza si sharrë.
PESHK-SHIGJETË
Peshk deti me trup të zgjatur si bosht dhe
me turi të hollë, që noton drejt si shigjetë.
PESHK-SHIRIT
Peshk deti me trup të zgjatur e të hollë
dhe me ngjyrë të kuqërremtë.
PESHK-SHPATË
Peshk deti, me trup të ndritshëm, petak e
të gjatë deri në katër metra dhe me turi të mprehta si shpatë.
PESHKTH
1. Peshk i vogël
2. Një lloj mole e hollë që dëmton rrobat.
PETRIT
hpend grabitqar i ngjashëm me skifterin, me
kurrizin të murrmë a të hirtë, me barkun të bardhë e me këmbët të verdha, që ka
sqep të kthyer dhe thonj e krahë të fuqishëm; sokol.
PËLLUMB
Shpend i butë a i egër me krahë të
shkurtër, me pendë të bardha ose ngjyrë hiri në të kaltër, me gushë pak të dalë
dhe me pupla në këmbë, që mund të bëjë fluturime të gjata dhe që mbahet si
simbol i butësisë, i pastërtisë, i bukurisë dhe i paqes.
PËRÇOLLAK
Akrep, sfurk.
PËRDHES
Mizë përdhese, milingonë, mizë dheu.
PËRHERSHËM
Shpendë të përhershëm, shpendë që qëndrojnë
në një vend gjatë gjithë vitit
PËRTYPËS
Ripërtypës
PICËRRAK
Zvarranik i ngjashëm me hardhucën, por më i
madh se ajo, me pika të verdha në trup, që del zakonisht në pranverë pas shiut;
pikëlore, salamandër.
PICKATË
Mushicë.
PIKËLORE
Picërrak, salamandër.
PIKTH
Qukapik.
PILIVESË
Kandërr me trup të hollë, me krahë të
gjatë, të tejdukshëm e me deje, që i lëshon larvat në vende me lagështirë
PINGUIN
Shpend uji kryesisht i viseve të
Antarktikut, me trup të madh e me bisht të shkurtër, me krimbë si pëllëmbë e me
krahë të pazhvilluar, që nuk fluturon, por zhytet në ujë e noton mirë.
PISËRËNGË
Pikëlore, salamandër.
PISKË
Shpend shtegtar që rron nëpër ujëra, me
trup sa një laraskë, me pendë të larme, me kokë të madhe, me qafë të shkurtër e
me një kaçulitë mbi krye; kërthingël.
PITON
Gjarpër i madh e pa helm i viseve
tropikale, me trup të gjatë deri në dhjetë metra.
PJESHKË
Krimbi i pjeshkës.
Vemja e pjeshkës.
Morri i pjeshkës.
PLANOS
1. Beng, fikës.
2. Shpend i vogël (turtull, thëllëzë etj.),
që e vënë në kafaz për të ndjellë e për të kapur shpendë të tjerë.
PLESHT
1. Parazit i njeriut e i kafshëve, me trup
shumë të vogël e në ngjyrë kafe të errët, që kërcen shumë, pickon e thith gjak.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta
për disa lloje kandrrash të vogla, me madhësi dhe ngjyra të ndryshme, që
dëmtojnë zakonisht gjethet e perimeve, të pemëve etj. Pleshti i gjelbër kandërr
e vogël me ngjyrë të gjelbër në të verdhë, që bren e dëmton zakonisht trangujt,
jonxhën etj.
Pleshti i bletës morri i bletës.
Pleshti i drithërave.
Pleshti
i hardhisë (i mollës).
Pleshti i panxharit (i lakrës, i patates).
Plesht rëre kandërr si pleshti i zakonshëm,
por që nuk kërcen.
Pleshti i tokës kandërr si pleshti i
zakonshëm, me trup vezak e ngjyrë hiri, që dimëron në të çarat e tokës, në
gjethet e thata etj. dhe që dëmton gjethet e lakrës, të rrepës, të panxharit të
sheqerit etj.
3. Plesht uji (deti), gaforre e vogël, që
jeton në ujëra të ëmbla e lëviz
duke kërcyer.
PLLASHICË
Cironkë; gjuhëz.
PORTOKALL
Miza e portokajve.
PREKËL
Brirth, antenë.
PROTOZOAR
Njëqelizor. Kafshët protozoare.
PUÇIBABË
Lloj karkaleci me këmbë të gjata e pa
krahë.
PULEGËR
Pulë e egër.
PULË
1. Shpend shtëpiak, me trup të vogël e me
krahë të shkurtër, që mbahet për vezët dhe për mishin; femra e gjelit; tërësia
e këtyre shpendëve (meshkuj e femra).
PULË
DETI
Shpend i madh shtëpiak, me pupla zakonisht
në ngjyrë të errët e pika-pika, me krahë të shkurtër, me kokën dhe një pjesë të
qafës pa pupla, që rritet kryesisht për mish; femra e gjelit të detit, bibë,
misëroke.
PULË
DUSHKE
Shaptore, shapkë.
PULË E
EGËR
Shpend i egër me trup sa një pëllumb, me
pendë zakonisht ngjyrë kafe në të kuqërremtë, me kokën të verdhë me njolla të
murrme e me sqep ngjyrë kafe të mbyllur, që jeton në pyje të mëdhenj; femra e
gjelit të egër.
PULË HINI
Pulëhine.
PULË UJI
Shpend i egër, i ngjashëm me shaptoren, me
këmbë të gjata, që jeton në vende moçalore dhe ushqehet me peshk.
PULËBARDHË
Shpend uji, me trup pothuaj sa një pulë, me
këmbë të shkurtra, me pendë të dendura e të bardha, që fluturon shpejt, rron në
brigjet e deteve a të liqeneve dhe ushqehet me peshk; çafkëbardhë. Tufë
pulëbardhash. Klithma e pulëbardhave.
PULËDUSHKE
Shapkë, shaptore.
PULORË
Familje shpendësh, në të cilën hyjnë pula,
shaptorja etj.
PUMË
Kafshë e egër mishngrënëse, e ngjashme me
luanin, me gëzof ngjyrë hiri në të kuqërremtë, pa krifë e pa xhufkë në bisht, e
cila jeton në pyjet e Amerikës dhe sulmon sidomos delet; macja e egër
amerikane, luani i përhimët a ngjyrë argjendi.
PUPË
Pupëz.
PUPËZ
1. Zog shtegtar me trup sa të pëllumbit, të
mbuluar me pupla të ndritshme e ngjyra-ngjyra, me sqep të gjatë e të hollë dhe
me një xhufkë në kokë.
2. Çafkëlore.
QAFËGJATË
Shpend uji i madh, i ngjashëm me çafkën, me
qafë të gjatë, me pendë të bardha, me këmbë të murrme e me sqep të zi, të cilit
në dimër i bien puplat e qafës dhe i zverdhet sqepi.
QEFULL
Peshk i ujërave të kripura dhe të ëmbla, me
kokë pak të shtypur, me trup të gjatë e të hollë, të mbuluar me luspa të mëdha
ngjyrë hiri të mbyllur në kurriz e ngjyrë argjendi në anët, i cili ka mish të
shijshëm. Qefull i bardhë. Qefulli i verës cumër. Qefulli i vjeshtës kryegjati.
QELBËS
Gjitar i egër sa një shqarth, me hundë të
ngritur, me lëkurë në ngjyrë të çelur në pjesën e sipërme dhe të errët poshtë,
që ha minj, pula etj. dhe që lëshon një erë të keqe për t'u mbrojtur nga
egërsirat e tjera.
QEN
Kafshë gjitare shtëpiake, mishngrënëse, me
trup mesatar, që ka nuhatje shumë të mirë, që afrohet shpejt me njeriun dhe që
mbahet për të ruajtur shtëpinë, bagëtinë etj., për gjah e për punë të tjera
QEN DETI
Peshkaqen.
QIFT
1. Shpend i madh grabitqar, me krahë të
mëdhenj zakonisht të zinj, me kokë si në të bardhë, me sqep të kthyer e me
bisht të bigëzuar, që ushqehet me kafshë të vogla e me zogj.
2. Skifter.
QIMEGJALLË
Qime e gjallë.
QOFKË
Mëllenjë.
Qofka e murrme, mëllenja e zezë.
QOK
Gjon
QOKAÇ
Qukapik, pikth.
QOLE
Zog këngëtar i ngjashëm me laureshën, që
jeton nëpër ara
dhe në drurë.
QUKAN
Gjel deti.
QUKAPIK
Zog që jeton në zgavrat e drurëve nëpër
pyje dhe që ka sqep të gjatë e të fortë, me të cilin godet lëvoren e drurëve që
të nxjerrë krimba e kandrra për t'u ushqyer; pikth, bredrure. Qukapik i gjelbër
(larosh, i zi). Fole qukapiku.
QUKË
1. Pulëdeti, misëroke.
2. Kukuvajkë.
QUKËL
1. Qukë e vogël.
2. Mëllenjë e zezë.
QYQE
1. Zog shtegtar i pyjeve, me pendë ngjyrë
hiri në të zezë, me sqep të përkulur e me këmbë të shkurtra, që këndon me një
zë të përvajshëm dhe që nuk bën fole, por i lëshon vezët në çerdhet e zogjve të
tjerë.
2. Kali i qyqes, huta e bardhë.
QYRLEK
Kllinzë.
No comments:
Post a Comment