Fjalori i historise Th - ZH

Fjalori i historise



THURAK
Këmishë e gjatë, e thurur si rrjetë me rripa a me fije të trasha prej metali, që e vishnin luftëtarët në kohë të vjetra për t'u mbrojtur nga armët e ftohta; parzmore e thurur. Pëqiri i thurakut pjesa e thurakut që mbronte pëqinë dhe kofshët.

UPRI
1. Grup fshatarësh që shkonin për të ndihmuar falas në punët bujqësore ndonjërin prej bashkëfshatarëve të tyre. Shkonte upria. E ndihmoi (e shpëtoi) upria. Kishte uprinë atë ditë. I kishte ardhur upria.
2. Ndihma që i jepte ky grup fshatarësh një tjetri.

URDHËR
Bashkësi ushtarako-fetare në mesjetë, e krijuar nga shtetet feudale e nga papa për qëllime pushtuese e grabitqare. Urdhri teuton. Urdhri i kryqtarëve.

VAKËF
1. Pasuri e patundshme, që ishte pronë e një xhamie, e një kishe, e një teqeje a e një manastiri.
2. Vend i shenjtë, sipas përfytyrimeve mistike fetare.

VALI
Qeveritari më i lartë, i emëruar nga sulltani, në një vilajet të Perandorisë Osmane.

VANDAL
Pjesëtar i një popullsie të hershme gjermanike, e cila në shekullin V u dynd nga brigjet e lumit Oder, pushtoi një pjesë të Perandorisë Romake, plaçkiti Romën dhe shkatërroi shumë monumente të artit e të kulturës. Shteti i vandalëve. Sulmet e vandalëve.

VASAL
Feudal që i nënshtrohej një feudalit tjetër më të madh, një princi ose një mbreti.

VENEDIKAS
Banor i Venedikut ose ai që e kishte prejardhjen nga Venediku.

VENOM
1. E drejtë zakonore e pashkruar, që vepronte në një krahinë a në disa krahina dhe ruhej e zbatohej nga të gjithë; përmbledhje a tërësi rregullash, normash e zakonesh të pashkruara, që ruheshin e zbatoheshin nga të gjithë, kanun. Vendosën një venom.
2. E drejtë e veçantë që gëzonte dikush sipas kanunit.

VERGJI
Taksa që paguhej për banesën, për dyqanin etj. Vergji e rëndë. Paguanin vergjinë.

VEZIR
Nëpunësi më i lartë qeveritar në Perandorinë Osmane dhe në disa vende të Lindjes së Afërt; titull i pashallarëve vendës që kanë sunduar në Shkodër dhe në Janinë në shekujt XVIII e XIX. Veziri i madh kryeministri i ish-perandorisë turke. Veziri i Shkodrës (i Janinës).

VILAJET
Ndarje e madhe administrative në Perandorinë Osmane, që kishte në krye një vali. Qendra e vilajetit. Ndahej në vilajete.

VILË
Çifligu i skllavopronarit në Romën e Vjetër.

VOJVODË
I ngarkuar i qeverisë osmane për një krahinë të caktuar në Shqipërinë e Veriut në shekullin XIX, i cili ndiqte zbatimin e urdhrave të qeverisë sidomos pas reformës së Tanzimatit; detyra e këtij të ngarkuari. I dëbuan vojvodët.

XHELEP
Tatim që paguhej për bagëtinë në kohën e pushtimit osman dhe të regjimeve të kaluara. Paguanin xhelepin. U kërkonin (u merrnin) xhelepin.

XHELEPÇI
Ai që mblidhte xhelepin. Vinin xhelepçinjtë. I dëbuan xhelepçinjtë.

XHONTURK
Pjesëmarrës të lëvizjes politike borgjeze dhe të organizatës «Bashkim e përparim», që synonte ta kufizonte pushtetin absolut të sulltanit në Perandorinë Osmane dhe ta kthente Turqinë në një monarki kushtetuese borgjeze, duke ruajtur gjithnjë shtypjen e popujve të tjerë të perandorisë e të masave punonjëse (në fund të shek. XIX e në fillim të shek. XX); turqit e rinj. Lëvizja e xhonturqve. Revolucioni i xhonturqve. Vegla të xhonturqve. Lufta kundër xhonturqve.

YSHYR
Taksë a e dhjetë në natyrë që u merrej bujqve gjatë sundimit osman. Yshyri i tokës. Jepnin yshyrin

ZAKON
Kanun.

ZHAVELLË
Lloj shtize jo shumë e gjatë.


________
Fjalori i historise



No comments:

Post a Comment