Shkronja B

Fjalor ushtrie B

BAJONETË
1. Armë e bardhë si thikë, që mbërthehet te gryka e
tytës së pushkës a të automatikut ose që e mban
ushtari në brez. Bajonetë thikë (shtizë). Maja e
bajonetës. Goditje (sulm) me bajonetë. Mur
bajonetash. Plagë bajonete.
2. Ushtar i këmbësorisë (si njësi numërimi). Detashment
me një mijë bajoneta.

BARAZH
Pengesë e krijuar me zjarrin e armëve ose me
mjete të tjera, për të ndaluar sulmet dhe përparimin e
kundërshtarit. Barazh ajror. Barazh artilerie (me mina).
Shkatërruan barazhin armik.

BATALION
Njësi ushtarake, që ka disa kompani të armëve
të ndryshme dhe që hyn si nënrepart taktik në
përbërjen e një regjimenti. Batalion këmbësorie.
Batalion tankesh. Batalion autonom. Batalion sulmues.
Batalion rezervë. Batalion partizan. Shtabi i batalionit.
Komandanti (komisari) i batalionit.

BATERI
Njësi artilerie që përbëhet prej disa togash dhe
që ka katër deri në gjashtë gryka zjarri; ushtarët që
shërbejnë në këtë njësi. Bateri topash (mortajash,
raketash). Bateri kundërajrore (bregdetare).
Komandant baterie. Qëllon me bateri

BAZË
Vend ku janë përqendruar trupa dhe mjete
ushtarake për qëllime luftarake; pikëmbështetje për
nisjen e veprimeve luftarake, për furnizimin e trupave etj.
Bazë ushtarake (detare, ajrore). Bazë bërthamore.
Bazë raketash (nëndetësesh).
Baza e nisjes. Ndërtoi (ngriti) një bazë. Mban baza. U
nisën nga baza.

BAZOHEM
Vendosem në një bazë ushtarake; përdor si
bazë, kam si bazë.

BAZUKË
Armë zjarri reaktive, që përbëhet prej një gypi (të cilën
luftëtari e mbështet në sup) dhe që përdoret zakonisht
kundër tankeve. Predhë bazuke. Qëlloj me bazukë.

BLINDAZH
Ndërtim me një mbulesë të fortë, që i qëndron zjarrit të
artilerisë dhe që shërben për mbrojtjen e forcave të
gjalla; strehim i blinduar. Frëngjitë e blindazhit. Hyj në
blindazh.

BLINDË
Mburojë prej çeliku, me të cilën vishen makinat
luftarake, anijet, trenat etj.; koracë. Blindë çeliku. Blinda
e armikut (e trenit). Trashësia e blindës.

BLINDËSHPUES
1. Luftëtar i pajisur me armë blindëshpuese.
2. Që shpon blindën; që përdoret për të goditur objektet e
blinduara. Predhë blindëshpuese. Armë blindëshpuese.

BLINDOJ
Pajis një mjet a një strehim me mburojë çeliku ose e
përforcoj për ta bërë të qëndrueshëm kundër predhave,
vesh me blindë. Blinduan trenin (makinat).

BLINDUAR
1. Që është i veshur me blindë, i koracuar. Mjete të
blinduara. Tank (tren, automjet) i blinduar. Makinë
(anije) e blinduar. Kullë e blinduar. Strehim i blinduar.
2. Që është i pajisur me mjete të blinduara. Divizion
(regjiment, detashment) i blinduar. Kolonë (njësi) e
blinduar. Trupa të blinduara.

BLLOKADË
Rrethim i plotë i një kështjelle, i një qyteti, i një
ushtrie ose i një vendi nga forcat e armatosura të
kundërshtarit, me qëllim që të mos marrë ndihma e
ushqime, të mos jetë në gjendje të veprojë dhe të
detyrohet të dorëzohet. Bllokadë ushtarake. Bllokadë
tokësore (detare). Vendosi bllokadën. E çanë
bllokadën. Hoqën bllokadën.

BLLOKOJ
Rrethoj një kështjellë, një qytet, një ushtri ose
një vend për ta shkëputur e për ta veçuar, që të mos
marrë ndihma e ushqime, të mos jetë në gjendje të
veprojë dhe të detyrohet të dorëzohet. Bllokuan qytetin
(bregdetin, portin).

BLLOKUAR
Që është rrethuar plotësisht dhe është veçuar
për të mos marrë ndihma e ushqime, me qëllim që të
mos jetë në gjendje të veprojë dhe të detyrohet të
dorëzohet. Qytet i bllokuar.

BOMBAHEDHËS
1. Granatahedhës.
2. Që shërben për të hedhur bomba. Armë bombahedhëse.

BOMBAHEDHËSE
Granatahedhëse. Gjuaj me bombahedhëse.

BOMBARDUES
Aeroplan luftarak, që shërben për të hedhur bomba.
Bombardues i rëndë (i lehtë). Bombardues
katërmotorësh. Bombardues strategjik. Bombardues
reaktiv. Bombardues atomik. Skuadrilje bombarduesish.

BREGDETAR
Bregdetas, Ushtar i mbrojtjes bregdetare.

BRESHËRI
Të shtëna të menjëhershme me armë
automatike ose me shumë armë së bashku. Breshëri
automatiku (mitralozi, pushkësh, armësh, topash,
artilerie). Breshëri zjarri. Qitje me një breshëri. Me
breshërinë e parë. Shtie (qëlloj) me breshëri.

BREZ
Brezi i sulmit (brezi i kalitjes), vend i pajisur me gardhe, me
gropa, me tarabë, me llogore etj., ku zhvillohet stërvitja
ushtarake e nxënësve në shkolla, e ushtarëve në reparte etj.

BRIGADË
Njësi ushtarake e organizuar, që përbëhet nga
disa regjimente ose nënreparte (batalione, grupe,
kompani); njësi e flotës detare ushtarake, që përbëhet
nga disa anije lufte të një lloji. Brigadë këmbësorie
(artilerie). Brigadë tankiste (xheniere).

BUNKER
Strehim i posaçëm, zakonisht i futur përgjysmë
në tokë, me mure të trasha betoni e me frëngji, që
shërben si pikë zjarri. Bunker i fshehtë (i maskuar).
Frëngjitë e bunkerit. Qëllonte nga bunkeri.

Fjalor ushtrie B

No comments:

Post a Comment