Mallkimet popullore shqiptare A - Ç

Mallkimet popullore shqiptare 

AMULL
Të daltë amulli! mbetsh në vend pa lëvizur, u myksh.

ARKË
Arkivol.
Të vënça në arkë! vdeksh!

ARRËZ
Rruaza e parë e qafës, mbi të cilën mbështetet koka.
Thefsh arrëzën! Vdeksh!

ARRIJ
Vij deri në një kohë të caktuar, rroj deri në një kohë të
caktuar; mbush një moshë; jetoj që nga një kohë.
Mos arrifsh! Vdeksh i ri!

BAR
I zëntë shtëpia (oborri) bar! i vdekshin njerëzit e shtëpisë,
u shoftë me gjithsej, iu shoftë pragu.

BARK
Iu thaftë lëkura e barkut!

BAXHI
Gruaja e shkuar në moshë, që lante gratë e vdekura të myslimanëve;
E laftë baxhia!

BËHEM
U bëftë gur!
Mos u bëftë të bëhet!
M'u bëftë kurban!
Iu bëftë halë në grykë!

BËTAJË
Sëmundja e tokës, epilepsia.
I rëntë bëtaja!

BIE
I rëntë flama! I rëntë pika!
I rëntë (i ardhtë) pas veshit (pas qafës)!

BINA
U shoftë me bina! u shfarostë me gjithçka, mos i mbettë asnjë gjurmë!

BISHË
E hëngërt (e preftë) bisha!

BOJË
Mos iu duktë boja! Mos ia pafsha bojën!

BOTË
E pafsha nëpër dyert e botës! Mos bëftë prokopi.

BRENGËMADH
Që e zëntë një brengë e madhe! Që vuajttë nga brenga të mëdha.

BRENGËZËNË
Që e zëntë brenga!

BRESHKAMADH
Ai që ka në fyt gunga të ënjtura
Që i dalshin breshkëzat!

BRINJË
I dalçin brinjët! Iu thafshin brinjët!

BUBË
gogol
E fryftë buba!

BUKË
Mos pjektë dy bukë në një hi! mos e zëntë e nesërmja!

BUKËHARAM
Që e pastë bukën haram.

BUZËPLASUR
Ai që ka hequr shumë në jetë
Që i plastë buza!

CARAN
Secili nga të dy gurët e vendosur në anë të vatrës, midis të
cilëve vihen drutë për t'u djegur; gur vatre.
Iu shkimtë carani! mos i mbettë njeri në shtëpi, iu shoftë vatra!

CENGË
Shami, me të cilën i lidhin gojën të vdekurit. Të lidhsha cengën!

CERMË
Sëmundje e kyçeve të gjymtyrëve, që vjen nga mahisja dhe që
shfaqet me mpirje, dridhje e dhembje
Të zëntë cerma!

CEZË
kallam i hollë
Të dhënçin ujë me cezë! rënç i sëmurë e mos u ngritsh më!

ÇAJ
Të çaftë ujku!

ÇARÇAF
Të mbledhshin në çarçaf! vdeksh!

ÇATALLE
Vig druri për të mbajtur një të sëmurë a një të vdekur.
Të prufshin me çatalle! vdeksh!

ÇENGEL
Mjet me grremça hekuri, që përdorej për tortura.
Të pafsha në çengela!

ÇOJ
E çofshin me katër veta! vdektë!
Mos e çoftë kryet (kokën) shëndoshë! vdektë!

ÇUDË
Diçka që ngjall frikë

Të gjettë çuda! të gjettë e keqja!

Mallkimet popullore shqiptare 

No comments:

Post a Comment