Fjalor Zoologjik
GJ - J
GJAKFTOHTË
Që ka gjak të ftohtë, që i ndryshon
temperatura e trupit sipas mjedisit ku jeton.
GJAKPIRËS
Kafshë a kandërr që ushqehet duke thithur
gjak.
GJAKPIRËS
Që ushqehet duke thithur gjak. Kafshë
gjakpirëse. Insekt gjakpirës.
GJANËS
Peshk me trup të gjatë e të shtypur, me
kurriz në ngjyrë të trëndafiltë e me anët si të argjendta.
GJARPËR
Zvarranik pa këmbë, me trup të gjatë, të
lakueshëm e dredhues, me lëkurë me luspa, që ka dhëmbë me helm ose që i
mbështillet gjahut rretheqark dhe e shtrëngon. Gjarpër i madh (i gjatë).
Gjarpër helmues. Gjarpër i verbër. Gjarpër me pika. Gjarpër uji (deti). Gjarpër
guri. Gjarpër me syze (me gjyzlykë) kobra. Gjarpër me zile gjarpër helmues, që
ka në fund të bishtit një hapësirë konike, me të cilën bën një zhurmë
tingëlluese. Lëkurë gjarpri. Helmi i gjarprit.
GJASHTËKËMBËSH
Kandërr me gjashtë këmbë ose me tre çifte
këmbësh.
GJEL
Mashkulli i pulës, këndes.
GJEL
DETI
Mashkulli i pulës së detit; gjeldet,
misërok.
GJEL I
EGËR
Shpend i madh i ngjashëm me këndesin, me
pendë të zeza, me zë të çjerrë, që rron nëpër pyje; gjelegër.
GJEL UJËS
Shpend i egër me trup të madh, me qafë të
gjatë, me pendë si të murrme, që rron nëpër ujëra.
GJELAC
1. Shpend i egër me pendë të zeza, të kuqe
e të bardha, që jeton buzë ujërave.
2. Qukapik.
GJELAMAN
Flutur me trup në ngjyrë të gjelbër të
errët e me vija të verdha, me krahë të mëdhenj e të zgjatur si bisht
dallëndysheje, që dëmton gjethet e pemëve frutore.
GJELAZEZ
Shpend i egër me trup të gjatë, me pendë të
zeza, që ushqehet me peshq.
GJELBËRUSHE
Zog pak më i madh se trumcaku, me pupla të
gjelbra në të verdheme, që nuk shtegton.
GJELDET
Gjel deti.
GJELDETËS
Gjel deti.
GJELE
Gjelëz.
GJELEGËR
Gjel i egër.
GJELËZ
Shpend i egër uji sa një pëllumb, me sqep
të gjatë e të verdhë, me pendë të zeza e me majat e krahëve të bardha.
GJELUJËS
Gjel ujës.
GJEMB
Flutura e gjembave, lloj fluture dëmtuese,
vemjet e së cilës janë të përhimëta, me dy vija anësore të verdha dhe me gjemba
të verdhë ose kafe.
GJEMBAÇ
Iriq.
GJER
Brejtës i vogël pylli, me qime të dendura e
të buta në ngjyrë të përhime, me bisht të gjatë e si furçë, që e kalon dimrin
në gjumë. Strofka e gjerit. Lëkura e gjerit.
GJERAK
Mashkulli i gjeraqinës, petrit.
GJERAQINË
Shpend i madh grabitqar, me pendë të larme,
me krahë të gjatë dhe me kthetra; petrit.
GJERORE
Femra e gjerit.
GJETULL
Shigjetull.
GJETHENGRËNËS
Që ha gjethet, që ushqehet me gjethet e
bimëve. Krimb (brumbull) gjethengrënës. Vemje gjethengrënëse.
GJILPËRËZ
Peshk deti me trup të hollë e të gjatë si
ngjalë, bistër.
GJINATORE
Kandërr e ngjashme me arëzën, me ngjyrë të
verdhë, me këmbë të gjata, e cila mbledh deltinën në lëmshe të vegjël.
GJINKALLË
Kandërr me ngjyrë të murrme, me kokë të
gjerë e të shtypur, me sy të dalë e me krahë të mëdhenj e të tejdukshëm, që
lëshon në vapë një zë të zgjatur e gumëzhitës; cinxër.
GJINOKUQ
Gushëkuq.
GJIRAFË
Kafshë gjitare përtypëse dythundrake, me
trup të madh, me qafë e me këmbë shumë të gjata, me qime të verdha në të kuqe e
me njolla të mëdha të murrme, që jeton në Afrikë.
GJITAR
Kafshët kërbishtore më të larta, që kanë
gjak të kuq e të ngrohtë, mushkëri për të marrë frymë etj. dhe që bëjnë të
vegjël, të cilët i ushqen femra me qumështin e vet; sisor. Klasa e gjitarëve.
GJON
Shpend grabitqar me pendë të murrme, pak më
i vogël se kukuvajka, që këndon natën në verë, qokth. Zëri i gjonit. Këndon
gjoni.
GJONTH
Morri i pemëve. Gjethe me gjontha.
GJUHCË
Peshk i vogël i ujërave të ëmbla, me mish
të shijshëm, që zakonisht përdoret i tymosur ose i konservuar.
GJUHËZ
Peshk i ujërave të kripura me trup petashuq
si gjuhë, me të dy sytë në njërën anë, me ngjyrë të murrme, me mish të shijshëm
e pa hala; shojzë deti. Gjuhëza e detit.
GJYSMAMI
1. Cinxami, çerr, ferrak.
2. Lakuriqësi i natës.
GJYSMAZOG
Cinxami, çerr, ferrak.
GJYSMËFLATRORË
Rend kandrrash me dy palë krahë, prej të
cilëve, zakonisht, dy të përparmit janë të brirtë.
HAMBAR
Flutura e hambarëve
Tenja e hambarëve
HAMURIK
Urith.
HARABEL
Zog i vogël, me pendët e kokës e të shpinës
ngjyrëkafe dhe ato të pjesës së poshtme ngjyrëhiri, me sqep të madh e me këmbë
të shkurtra, që jeton në tufë zakonisht pranë qendrave të banuara dhe që
ushqehet kryesisht me drithë; trumcak. Harabeli i shtëpive. Harabel misri. Tufë
harabelash.
HARDHI
Tenja e hardhisë.
Pleshti i hardhisë.
Merimanga e hardhisë
Zhuzhaku i hardhisë.
Turigjati (hundëgjati) i hardhisë.
Këpusha e hardhisë.
HARDHJE
1. Zvarranik i vogël, me trup të zgjatur e
në ngjyrë të murrme, me katër këmbë të shkurtra dhe me bisht të gjatë. Hardhja
e mureve (e gardheve). E shkathët si hardhja. Ngjitet si hardhje.
2. Hardhja e blertë, zhapiu.
HARDHUCË
Hardhje
HARENGË
Peshk deti i vogël, me trup të shtypur, që
jeton në tufa dhe hahet i freskët, i kripur ose i thatë. Harenga të kripura.
Gjuetia e harengave.
HARRJE
Kandërr shumë e vogël, me krahë të bardhë e
të tejdukshëm, që del zakonisht në kohë të vapës, fluturon tufa-tufa duke
lëshuar një zë të hollë, që hyn në sy a në vesh ose të pickon lëkurën.
HERËKEQE
Kukuvajkë.
HËNËZ
Peshk i madh me trup të shtypur e me bark
të bardhë, që jeton zakonisht në thellësi të detit dhe ushqehet me peshq të
tjerë të vegjël.
HIBRID
Bimë a kafshë me tipare të veçanta, që del
nga kryqëzimi i dy llojeve a i dy racave të afërta.
HIBRIDIZOJ
Kryqëzoj dy lloje ose dy raca të afërta
bimësh a kafshësh për të nxjerrë një lloj a një racë me veti e tipare të reja.
Hibridizoj misrin (duhanin). Hibridizoj kafshët (bagëtitë).
HIBRIDIZUAR
Që është nxjerrë nga kryqëzimi i dy llojeve
a i dy racave të afërta, që është nxjerrë me anë të hibridizimit. Bimë (kafshë)
e hibridizuar. Farë e hibridizuar.
HIDËR
Kafshë shumë e vogël, pa shtyllë kurrizore,
me trupin si qese e zgjatur, që ka në njërën anë gojën me disa fije të holla e të
përkulshme dhe që jeton në ujëra të qeta të lumenjve ose nëpër pellgje. Hidra e
ujit të ëmbël.
HIENË
Kafshë e egër gjitare, mishngrënëse e
grabitqare, me trup sa të ujkut, me qimet ngjyrë hiri a të kuqërreme, që rron
në vendet e shkreta të Azisë e të Afrikës dhe që ushqehet zakonisht me kërma.
Hiena laramane. Britma e hienës
HIPOPOTAM
Kafshë e egër gjitare, barngrënëse, me trup
të madh e të rëndë me kokë katërkëndëshe e me gojë të gjerë, me këmbë të
shkurtra, me lëkurë shumë të trashë, pa qime e të zeshkët, që rron në Afrikë
nëpër lumenj, liqene e moçale.
HIRTË
Krimbi i hirtë.
Miu i hirtë.
HITHËR DETI
Kandil deti.
HUNDËBRI
1. Rinoqeront. Hundëbriri afrikan.
Hundëbriri indian.
2. Një lloj brumbulli i madh, me ngjyrë të
murrme, që ka në kokë një bri.
HUNDËGJATË
Kandërr brejtëse si buburrec, me turi të
gjatë, që është në disa lloje dhe që dëmton bimë të ndryshme. Hundëgjati i
panxharit. Hundëgjati i hardhisë. Hundëgjati i lakrës. Hundëgjati i jonxhës.
Hundëgjati i pemëve. Hundëgjati i ullirit. Hundëgjati i grurit. Hundëgjati i
lëvores.
HURUVEJKË
Kukuvajkë.
HUT
Një lloj bufi, me kokë të madhe e të
rrumbullakët, me sqep të shkurtër e të kthyer, që rron nëpër pyje dhe këndon
natën sikur vajton. Huti me veshë buf me veshë. Zog huti. Kënga e hutit.
HUTË
1. Femra e hutit. Zogu i hutës. Ra huta në
pula.
2. Shpend grabitqar, me kokë dhe me gushë
të mbuluar me pupla, me qafë të rrjepur, me kthetra të mëdha, të forta e pak të
kthyera, që rron nëpër pyje.
3. Huta e bardhë, kali i qyqes.
4. Hutë deti, pulëbardhë.
HUTËRROJË
Hutë
HUTIN
Hut. Hutini me veshë.
IRIQ
1. Kafshë e vogël gjitare, që e ka trupin
të mbuluar nga sipër me gjemba të fortë dhe që mblidhet si top për t’u mbrojtur
nga rreziku. Gjembat e iriqit.
2. Iriq deti, kafshë e vogël deti pa bosht
kurrizor, me trup të rrumbullakët dhe me një guaskë gëlqerore të mbuluar me
gjemba që lëvizin.
JAGUAR
Kafshë gjitare e egër, e ngjashme me
leopardin, që rron në Amerikë dhe që ushqehet me mish.
JAK
Kafshë e madhe përtypëse, me brirë të
mëdhenj e me lesh të gjatë, e ngjashme me buallin, që jeton në malet e larta të
Azisë Qendrore dhe shërben kryesisht si kafshë barre.
JARGAVEC
Kërmill pa guaskë, jargës, ligavec. Dolën
jargavecët.
JONXHË
Hundëgjati i jonxhës.
Fjalor Zoologjik
No comments:
Post a Comment