Fjalori gjeografik - F - H

Fjalori gjeografik
F - H




FJORD
Gji deti, i thellë e i ngushtë, me brigje të larta e të thepisura. Fjord i vogël. Fjordet e Norvegjisë.

FOLËS
Që tregon diçka me anë të shenjave e të shkronjave, që i ka të shënuar emrat gjeografikë; Hartë folëse. e kundërta hartë memece

FORMACION
Tërësia e shtresave të tokës, që janë formuar në kushte të njëjta gjeologjike, kanë të njëjtën prejardhje dhe përbërje. Formacione gëlqerore.

GADISHULL
Tokë e rrethuar nga tri anë me ujë dhe vetëm në njërën anë e lidhur me kontinentin. Gadishulli i Karaburunit. Gadishulli Ballkanik. Gadishulli Iberik.

GADISHULLOR
Që ka të bëjë me gadishullin, që i përket gadishullit, i gadishullit; që është gadishull. Pjesa gadishullore.

GAFORRE
Tropiku i Gaforres

GAZMBAJTËS
Që ka gaz të djegshëm natyror (për shtresat e tokës). Shtresë (zonë) gazmbajtëse.

GEJZER
Burim me ujëra të nxehta ose me avuj uji, që shpërthejnë herë pas here si shatërvan, në zonat vullkanike.

GOTULL
Gji i vogël deti; gji i rrumbullakët i formuar pranë grykës së lumit. Gotulla e lumit.

GRADË
Njësi matjeje e barabartë me një të treqindegjashtëdhjetën pjesë të paralelit a të meridianit. Gradë gjeografike. Gradë e gjerësisë veriore (jugore).

GROPË
Fushë e madhe e rrethuar me kodra a me male; vend i gjerë që ka një nivel më të ulët se tokat përreth; pellg. Gropa e Shkodrës.

GROPËSIRË
Fushë e rrethuar me kodra a me male, gropë.

GROPORE
Vend jo shumë i gjerë, me një nivel më të ulët se tokat përreth; fushë jo shumë e gjerë, e rrethuar me kodra a me male; gropë.

GRYKAJË
Grykë e gjerë e një lumi që derdhet në det ose në oqean dhe që zakonisht ka trajtën e një hinke.

GRYKË
1. Vend i ngushtë dhe i thellë midis dy maleve, zakonisht gjatë rrjedhës së një lumi a përroi; ngushticë a shteg i thellë mali ku mund të kalohet. Grykë shkëmbore. Grykë mali. Grykë lumi (përroi).
2. Vendi ku derdhet lumi në det, në oqean etj.
3. Gji në det ose në liqen midis brigjesh të larta, pjesa e detit që hyn si një rrip brenda në tokë. Grykë deti.

GJATËSI
Largësia e një vendi a e një pike nga mesditësi bazë, që matet me gradë. Gjatësia gjeografike. Gjatësi lindore (perëndimore).

GJERËSI
Largësia e një vendi a e një pike nga ekuatori, e cila matet me gradë; kryes. sh. vend ose krahinë me veçori të caktuara të klimës e të botës së gjallë sipas largësisë nga ekuatori. Gjerësia gjeografike. Gjerësi veriore (jugore). Është i përhapur në të gjitha gjerësitë.

GJI
Pjesë e futur në bregun e oqeanit, të detit a të liqenit. Gji i hapur (i mbyllur). Gji deti. Gjiri i liqenit. Gjiri i Vlorës (i Durrësit). Anija hyri në gji.

GJUHË
Rrip i gjatë e i ngushtë toke që zgjatet nga bregu në ujë. Gjuhë dheu (toke).

GJYSMËLËMSH
Gjysmërruzull

GJYSMËRRUZULLI
Gjysma e rruzullit tokësor, duke u nisur nga ekuatori ose nga një mesditës. Gjysmërruzulli verior (jugor).

GJYSMËSFERË
Gjysmërruzull.

GJYSMËSHKRETËTIRË
Vend që është në pjesën me të madhe shkretëtirë, vend pothuajse shkretëtirë. Gjysmëshkretëtirat e Azisë Qendrore.

HARTË
Vizatim që paraqit të zvogëluar gjithë sipërfaqen e Tokës a një pjesë të saj, sipërfaqen e një shteti, të një krahine etj., qiellin, sisteme yjesh, sipërfaqe të trupave qiellorë ose ndonjë dukuri tjetër të veçantë që lidhet me ta. Hartë gjeografike. Hartë fizike (politike, historike, ekonomike, topografike, pyjore, gjeologjike, arkeologjike). Hartë yjore (kozmike). Hartë detare. Hartë rrugore. Hartë memece. hartë pa emra. Hartë mësimore. Hartë muri. Harta e Shqipërisë. Harta e botës. Harta e kullotave. Tregues i hartës. Hedh në hartë.

HEMISFERË
Gjysmërruzulli i Tokës, i një trupi tjetër qiellor ose i sferës qiellore. Hemisfera veriore (jugore). Hemisfera lindore (perëndimore). Hemisferë qiellore. Hemisferat e Tokës. Harta e hemisferave.

HIDROSFERË
Tërësia e ujërave që shtrihen a që lëvizin në sipërfaqen e Tokës.

HUNDË
Kep. Hundë deti. Hundë dheu. Hunda e Karaburunit. 

SHKRETËTIRË
Hapësirë e gjerë, zakonisht e mbuluar me rërë, pothuajse pa bimësi e pa botë shtazore, ku reshjet janë shumë të pakta. Shkretëtirë ranore (deltinore, shkëmbore). Shkretëtirë akulli (akullnajore) hapësirë e gjerë e mbuluar me akuj të përjetshëm. Shkretëtirë pa fund. Bimë (kafshë) të shkretëtirave. Oazet e shkretëtirës. Karvanët e shkretëtirave.


Fjalori gjeografik 

No comments:

Post a Comment