Fjalor gjuhesor T - TH

Fjalor gjuhesor T - TH


TABU
Ndalim për të kryer një veprim të caktuar, për
të zënë në gojë një fjalë, për të përdorur një send etj., që
zbatohej te fiset primitive (ose që zbatohet edhe sot te disa
popuj në gjendje fisnore) dhe që nuk duhej të shkelej, sepse,
sipas besëtytnive, ndëshkohej nga fuqitë e mbinatyrshme;
veprimi, sendi a fjala, që ndalohej a ndalohet në këtë mënyrë.
Vuri dorë në një tabu. Ishte bërë tabu.

TAKT
Pjesa më e shkurtër e kuptimshme e frazës, që
veçohet gjatë të folurit me anë të intonacionit dhe të ritmit.
Takti i ligjërimit (ligjërimor).

TANISHËM
Koha e tanishme, koha e tashme.

TASHËM / TASHME
Koha e tashme, kohë, në të cilën folja tregon se veprimi
a gjendja e shprehur prej saj ndodh ose vihet re në çastin që
flasim a shkruajmë.

TEJFUNDOR
Që është e treta nga fundi (për rrokjen); që bie mbi rrokjen e
tretë para fundit
(për theksin); që e ka theksin në rrokjen e tretë që nga fundi
(për fjalën).
Rrokje tejfundore. Fjalë me theks tejfundor. Fjalë tejfundore.

TEJSHKRIM
Transkriptim

TEJSHKUAR
Që ka shumë kohë që ka kaluar, mjaft i largët. Ngjarje të
tejshkuara.  E kryer e tejshkuar.

TEMË
Pjesë e fjalës që mbetet po t’i hiqen kësaj mbaresat,
pjesa e fjalës pa mbaresat. Temë e parme (e prejardhur).
Temë emërore (mbiemërore, përemërore foljore, ndajfoljore).
Temë fjalëformuese pjesa e një fjale që shërben si bazë a
burim për formimin e fjalëve të reja p.sh. gur- t, gur-ore, i
n-gur-të, gur-th etj.; bukur- te bukur-i, bukur-ezë, bukur-osh,
z-bukur-oj, bukurshkrim etj.

TERMINOLOGJI
Tërësia e termave të një fushe të shkencës, të teknikës, të
artit, të jetës shoqërore etj.; tërësia e termave të një gjuhe.
Terminologjia politike (teknike, shkencore). Terminologjia
popullore. Zhvillimi i terminologjisë në gjuhën shqipe.

TERMINOLOGJIK
Që ka të bëjë me termat ose me terminologjinë; që përfshin
termat e një fushe të caktuar. Përdorim i ngushtë
terminologjik. Fjalor terminologjik.
Leksiku terminologjik.

TËRTHORTË
I zhdrejtë, Rasë e tërthortë

TINGËLLIM
Mënyra si tingëllon një fjalë; tërësia e tingujve nga të
cilët përbëhet një fjalë, veshja tingullore e fjalës.

TINGËLLON
Ka një tingëllim të caktuar. Kjo fjalë tingëllon (nuk
tingëllon) bukur.

TINGULL
Zë me një shqiptim, të shkoqur; që prodhohet me anë
të lëvizjeve të organeve të të folurit; njësia më e thjeshtë e të
folurit. Tingull zanor (bashkëtingëllor). Tingull hundor. Tingull i
zhurmët. Tingull shushuritës. Tinguj fonetikë. Tingujt e të
folurit. Shqiptimi i tingujve. Bashkimi i tingujve. Rënia e tingujve.

TINGULLIMITIM
Fjalë e krijuar nga bashkimi i tingujve të të folurit, që
jep përafërsisht zërin a zhurmën e një qenieje, të një sendi, të
një dukurie etj. (si mjau, kikiku, ciu-ciu, ham-hum
etj.);onomatope.

TINGULLIMITUES
Që është krijuar duke imituar zërat a zhurmat e
qenieve, të sendeve, të dukurive etj.; që është krijuar sipas
tingullimitimit ose mbi bazën e tingull imitimit; onomatopeik.
Fjalë tingullimituese.

TINGULLT
Që ka tingull, me tingull, tingullor. Bashkëtingëllore të tingullta.

TIPOLOGJI
Klasifikimi i qenieve, sendeve, i gjuhëve dhe i dukurive të
ndryshme sipas tipareve thelbësore të përbashkëta, ndarja e
tyre në tipa. Tipologjia e gjuhëve.

TOG
Grup i përbërë prej dy a më shumë njësish gjuhësore
të lidhura ngushtë ndërmjet tyre. Tog zanor (bashkëtingëllor).
Tog foljor. Tog i qëndrueshëm.
Tog frazeologjik. Tog fjalësh.

TONIK
I theksuar, Theks tonik theks lartësie.

TOPONIM
Emër vendi (krahine, qyteti, fshati, lumi, përroi, deti, liqeni,
mali, are etj.). Toponimet e Shqipërisë. Vend i pastruar me
toponime. Mbledh toponimet.

TOPONIMI
Tërësia e emrave, e vendeve (të krahinave, të qyteteve, të
fshatrave, të lumenjve, të përrenjve, të maleve, të arave etj.),
toponimet. Toponimi vendëse. Toponimia historike (e lashtë).
Toponimia e fshatit. Studimi i toponimisë.

TOSKËRISHTE
Tërësia e të folmeve të krahinave jugore të Shqipërisë,
dialekti jugor i shqipes.
Të folmet e toskërishtes. Toskërishtja jugore (veriore).
Veçoritë e toskërishtes.

TRAJTË
Mjet gjuhësor, që shpreh kategoritë gramatikore të një
fjale dhe lidhjet midis fjalëve e fjalive; formë në të cilën
shprehet kuptimi gramatikor i një fjale; formë. Trajta e shquar
(e pashquar) e emrit. Trajtë e rregullt (e parregullt).
Trajtë vetore (jovetore) e foljes. Trajtë e plotë. Trajta e
shkurtër e përemrit vetor. Trajtat e njëjësit (e shumësit).

TRAJTËFORMIM
Tërësia e mënyrave dhe e mjeteve që përdoren për të
formuar trajtat e fjalëve, formimi i trajtave. Trajtëformimi në
gjuhën shqipe. Nga ana (nga pikëpamja) e trajtëformimi.

TRAJTËFORMUES
Që përdoret për të formuar një trajtë të një fjale; që formëson
trajtën e një fjale. Prapashtesë trajtëformuese.

TRANSKRIPTOJ
1. Kthej në shkrimin e sotëm një tekst të shkruar me
shkronja e me shenja që ndryshojnë nga sistemi i sotëm i
shkrimit. Transkriptoi «Mesharin» e Gjon Buzukut. Transkriptoj
një tekst (një dorëshkrim).
2. Shënoj tingujt e të folurit me të gjitha dallimet e holla
të shqiptimit, duke përdorur disa shenja të veçanta.

TRERROKËSH
Që është i përbërë nga tri rrokje. Fjalë trerrokëshe. Varg
trerrokësh.

TURQIZËM
Fjali a shprehje turke, që ka hyrë në gjuhën tonë ose në një
gjuhë tjetër. Turqizmat në gjuhën shqipe. E pastruan gjuhën
nga turqizmat.

THEKS
1. Shqiptim me zë më të fortë ose me ton më të ngritur i
një rrokjeje a i një zanoreje në fjalë, dallim që i bëhet një
rrokjeje a një zanoreje në fjalë gjatë të folurit; shenjë e
posaçme që, kur shkruajmë, vihet mbi zanoren e shqiptuar në
këtë mënyrë. Theks i lëvizshëm (i lirë, i ngulët ose i
palëvizshëm). Theksat ritmikë theksat e një vargu. Theksi i
fjalës. Thinja e theksit. Lëvizja (shpërngulja) e theksit. Theksi
bie mbi rrokjen e parafundit. Vuri theksat.
2. Shqiptim me zë më të fortë ose me ton më të ngritur i
një fjale a i një pjese të fjalisë, dallim që i bëhet një fjale a një
pjese të fjalisë për të vënë në dukje rëndësinë kuptimore të
saj, peshën emocionale që ka etj. Theksi logjik (kuptimor).
Theksi emocional. Theksi i fjalisë.

THEKSOJ
1. Shqiptoj me zë më të fortë ose me ton më të ngritur
një rrokje a një zanore në fjalë, bëj që të dallohet, rrokje a një
zanore në fjalë gjatë të folurit; vë shenjën e posaçme të
theksit kur shkruaj. Theksoj zanoret (rrokjet). Theksoj me
forcë. E theksoj mirë.
2. Shqiptoj me zë më të fort ose me ton më të ngritur një
fjalë a një pjesë të fjalisë, për të vënë në dukje rëndësinë
kuptimore të saj, peshën emocionale që ka etj.
Theksoj fjalën (fjalinë).
3. Shqiptoj në një mënyrë të veçantë tingujt, fjalët ose fjalitë
në të folur; ndryshoj zërin (e ngre, e ul, e forcoj, e dobësoj
etj.), kur shpreh ndjenja të caktuara.
E theksoi mirë (drejt, keq, shtrembër). E theksoi ëmbël
(rëndë, ashpër).

THEKSUAR
1. Që shqiptohet me zë më të fortë ose me ton më të
ngritur në të folur, që theksohet (për rrokjet a zanoret në
fjalë). Zanore (rrokje) e theksuar.
Fjalë e theksuar fjalë që ka një rrokje me theks.
2. Që shqiptohet me zë më të fortë ose me ton më të
ngritur në të folur, që dallohet për të vënë në dukje rëndësinë
kuptimore të saj, peshën emocionale që ka etj. (për një fjalë a
për një pjesë të fjalisë). Fjala e theksuar në fjali.
3. I fortë i madh; që shquhet, që bie në sy, i dukshëm.
Ngjyrë e theksuar.
Pjerrësi e theksuar.

THËNIE
Togje prej dy-tri fjalësh, që hasen dendur
në gjuhë e në ligjërim dhe që jepen në fjalorë për të sqaruar
më mirë kuptimet themelore e më të zakonshme të fjalëve a
për të treguar përdorimin e tyre; togje të tilla që shërbejnë për
emërtimet e sendeve të përdorimit të përditshëm. Jepen
thëniet më të përdorshme.

THIRRMË
Pasthirrmë.

THIRROR
Gjymtyrë e dytë e fjalisë, që shprehet me një fjalë ose me një
togfjalësh dhe që, tregon njeriun a sendin, të cilit i drejtohemi
a i bëjmë thirrje. Thirror i shoqëruar me pasthirrma. Është në
funksion të thirrorit.

THIRROR
Që shpreh një thirrje, që përdoret për t'iu drejtuar dikujt a
diçkaje. Plotës thirror. Përdorim thirror. Rasa (trajta) thirrore.
Fjalia thirrore.

THIRRORE
Trajtë që marrin emrat ose përemrat, kur përdoren për t'iu
drejtuar dikujt a diçkaje, për të thirrur dikë a diçka; rasa që ka
këtë trajtë, rasa thirrore.

THJESHTË
Numërorët e thjeshtë, Numërorë nga një deri në dhjetë
Fjali e thjeshtë, një fjali e vetme.
Fjalë e thjeshtë, fjalë që ka vetëm rrënjën e mbaresat.
Kohët e thjeshta, kohë, në të cilat folja zgjedhohet pa foljet ndihmëse.
Kallëzues i thjeshtë, kallëzues që shprehet me një folje të vetme
Ligjërimi i thjeshtë, thjeshtligjërimi.

THJESHTLIGJËRIM
Shkalla më e ulët e ligjërimit nga pikëpamja e normës letrare,
që karakterizohet nga shkelje të kësaj norme, nga përzierje
dialektore, nga një bazë shoqërore jo e gjerë dhe nga
përdorimi i dendur i fjalëve e i shprehjeve me ngjyrim
emocional keqësues e të rëndë; ligjërimi i thjeshtë. Fjali
(shprehje) të thjeshtligjërimit.

THJESHTLIGJËRIMOR
Që i përket thjeshtligjërimit; që lidhet me thjeshtligjërimin, që
është karakteristik për thjeshtligjërimin. Stil thjeshtligjërimor.
Fjalë thjeshtligjërimore.

THONJËZA
Shenja pikësimi në trajtë të dy presjeve a të dy
gjysmëkllapave këndore të cilat vihen në shkrim në fillim dhe
në fund të atyre fjalëve që përsëriten pikë për pikë ashtu siç
janë thënë prej dikujt ose theksohen me qëllim (përdoren me
ironi, me tallje, me mosbesim, me përçmim etj). Vuri (hapi,
mbylli) thonjëzat.


Fjalor gjuhesor T - TH

No comments:

Post a Comment