Fjalor historik
CENS
Regjistrimi që i bëhej çdo pesë vjet
pasurisë së qytetarëve në Romën e lashtë për t'i ndarë në kategori, sipas të
cilave paguheshin taksat. Viti i censit. Bëhej censi.
CENSOR
Zyrtar i lartë në Romën e lashtë, që
drejtonte regjistrimin e vlerësimin e pasurisë së qytetarëve për vjeljen e
taksave dhe mbikëqyrte sjelljen e qytetarëve.
CENTURIE
1. Njësi prej njëqind ushtarësh kalorës në
Romën e lashtë; qindëshe. Centuriet e kohortës.
2. Grup prej njëqind qytetarësh në Romën e
lashtë, i krijuar në ndarjen e popullsisë sipas censit të pasurisë për qëllime
politike e administrative; qindëshe.
CENTURION
Komandant i një centurieje në ushtrinë e
Romës së lashtë; komandant i qindëshes, kryeqindës.
CINIK
1. Pasues i cinizmit, ithtar i cinizmit në
Greqinë e vjetër.
2. Njeri që përbuz e tall normat e moralit
të shoqërisë, njeri cinik.
CINIZËM
Doktrinë filozofike (në Greqinë e vjetër),
e cila predikonte mospërfilljen dhe përbuzjen e hapët të zakoneve, të normave
të njohura shoqërore e të kulturës, pavarësinë e njeriut nga bota që e rrethon,
kthimin në gjendjen primitive dhe asketizmin, për të ruajtur, sipas kësaj
doktrinë, virtytin.
CITADELË
Kështjellë në vend të ngritur nga mund të
vështrohej një qytet, që duhej mbrojtur; pjesë e përforcuar brenda mureve të
një kështjellë, që shërbente si mbështetja e fundit gjatë sulmeve.
ÇAUSH
1. Nënoficer me gradën e rreshterit në
ushtrinë e Perandorisë osmane. Çaush këmbësor (kalorës).
2. Ushtarak pranë një oficeri të lartë ose
një komandanti për të kryer detyra të ndryshme. Çaushët ngrinin çadrat.
3. Polic bashkie në Shqipëri para Çlirimit.
4. Kryepunëtor në punë botore para Çlirimit
ÇELNIKATË
1. Bashkimi i disa barinjve shtegtarë me
një çelnik në krye për t’i kullotur tufat e tyre e për të punuar bulmetin
bashkërisht.
2. Taksë që u paguanin bejlerëve barinjtë
shtegtarë për kullotën.
ÇETË
1. Grup i vogël njerëzish të armatosur me
një kryetar a komandant në krye, që kryejnë veprime të përbashkëta. Çetat e
kreshnikëve. Çetë luftëtarësh.
2. Njësi e vogël partizanësh me rreth
pesëdhjetë veta, me një komandant dhe një komisar në krye, gjatë Luftës
Nacionalçlirimtare. Çetë partizane.
ÇIFÇI
Bujk pa tokë, që punonte një copë nga
pronat e çifligarit dhe që mbante për vete vetëm një pjesë të prodhimit (në
vendet me marrëdhënie feudale në prodhim; në të kaluarën edhe në Shqipëri).
Familje çifçinjsh. Fshatarët çifçinj. Lufta e çifçinjve. Punonte tokën me
çifçinj.
ÇIFLIG
1. Pronë tokë e trashëgueshme e feudalëve
ose e çifligarëve, që punohet nga bujqit (në vendet me marrëdhënie feudale në
prodhim; në të kaluarën edhe në Shqipëri). Çiflig i madh. Pronari i çifligut.
Sistemi i çifligjeve. Të ardhurat nga çifligu. Shkatërrimi i çifligjeve. Vinin
çifligje. I linin çifligjet trashëgim. I shpronësuam çifligjet.
2. Shtëpia e një çifligari në fshat, së
bashku me ndërtesat e tjera dhe me tokat përreth. Banon në çiflig. Shkonin
verën në çiflig.
ÇIRAK
1. Djalë që punonte si ndihmës te një
zejtar për disa vjet pa shpërblim për të fituar mjeshtërinë. Çiraku i armëtarit
(i këpucarit). Hynin çirakë. E futi çirak.
2. Djalë i vogël që bënte punë ndihmëse për
mjeshtrin a për të zotin e dyqanit.
ÇMESËTAR
1. Ai që çmonte dëmin e bërë, ai që
caktonte vleftën që duhej paguar për një dëm të bërë. Çmesëtari i fshatit.
2. Ai që përcaktonte me afërsi prodhimin që
do të jepte një arë e mbjellë, një pemë etj.; çmues.
Fjalor historik
No comments:
Post a Comment