Fjalori gjuhesor H - J



Fjalori gjuhesor 





HABITORE
Mënyra habitore.

HABITORE
Që shpreh diçka, të cilën e japim si të papritur, si të çuditshme a
si gjë që na habit. Fjali habitore.
Mënyra habitore një nga mënyrat e foljes në gjuhën shqipe, e
cila shpreh një veprim a një gjendje që kryhet ose ngjet papritur
dhe ngjall habi te folësi.

HAPUR
Rrokje e hapur, rrokje që mbaron me një zanore.
Zanore e hapur, zanore që shqiptohet me gojën më të çelur
se zakonisht.

HESHTJE
Ndalesë, pauzë. Pikat e heshtjes.

HIPOTETIK
Që ka fjali të varur kushtore dhe që shpreh një mendim, i
cili merret me mend a quhet sikur është i tillë. Periudhë (fjali)
hipotetike. Ndërtim hipotetik.

HISTORIZËM
Fjalë a shprehje që ka dalë nga përdorimi i gjallë, sepse
sendi a dukuria që shënon ajo i takojnë një periudhe historike të
kaluar. Përdorimi i historizmave.
Dallimi i historizmave nga arkaizmat.

HOMOGJEN
Që ka veti e tipare të njëjta a të njëllojta; që përbëhet prej njësish
a prej pjesësh të së njëjtës farë ose të njëjta nga natyra a nga
prejardhja e tyre; që është formuar nga lloje të njëjta, i papërzier;
kund. heterogjen. Trup homogjen. Lëndë homogjene. Përbërje
homogjene. Grupe homogjene. Gjymtyrët homogjene të fjalisë.

HOMONIM
1. Fjalë që tingëllon njësoj me një tjetër, por nga kuptimi
ndryshon prej saj (p.sh. verë I dhe verë II); një nga dy, a më
shumë njësi të ndryshme gjuhësore që përputhen nga ana
tingullore. Homonime të plota. Homonime leksikore
(gramatikore). Homonimet e gjuhës shqipe.
2. Që ka të njëjtin emër a titull me një tjetër.

HOMONIMI
Përputhja tingullore e dy a më shumë njësive të ndryshme
gjuhësore. Homonimi e mirëfilltë (e plotë). Homonimia e
pjesshme e trajtave. Homonimi leksikore (gramatikore).
Homonimia e prapashtesave. Homonimia në gjuhën shqipe.

HOMONIMIK
1. Që tingëllon njësoj me një tjetër, por që ndryshon nga
kuptimi.
Fjalë homonimike. Prapashtesa (parashtesa) homonimike.
2. Që ka të njëjtin emër a titull me një tjetër.

HUAJ
Huazoj. Çdo gjuhë ka huajtur fjalë nga gjuhë të tjera.

HUAJTUR
 huazuar. Fjalë e huajtur.

HUAZIM
Fjalë a njësi tjetër gjuhësore, që është marrë prej një
gjuhe tjetër dhe përdoret në gjuhën amtare. Huazim i
drejtpërdrejtë (i tërthortë). Huazim leksikor. Huazimet gjuhësore.
Huazimet latine (sllave, turke). Huazimet nga greqishtja.

HUAZOJ
Marr prej një gjuhe tjetër fjalë a njësi të tjera gjuhësore
dhe i përdor në gjuhën amtare.

HUAZUAR
Që është marrë prej një gjuhe të huaj dhe përdoret në
gjuhën amtare, që nuk është e brumit të gjuhës amtare. Fjalë
(prapashtesë) e huazuar.

HUNDAK
Hundor. Zanore hundake.

HUNDOR
Që shqiptohet duke kaluar ajri nëpër zgavrat e hundës,
që shqiptohet me hundë; që ka hundorësi. Zë (tingull) hundor.
Zanore (bashkëtingëllore) hundore.
Theks hundor. Shqiptim hundor.

HUNDORËSI
Shqiptimi hundor i tingujve. Hundorësia e zanoreve. Zhdukja e
hundorësisë.

HUNDORËZIM
Kalimi i një tingulli gojor në tingull hundor. Hundorëzimi i
zanoreve.

IDIOMË
Shprehje me ndërtim të veçantë, tërësisht a pjesërisht të
ngurosur, që përdoret në një gjuhë prej kohësh me kuptim të
njësishëm (i cili nuk del drejtpërdrejt nga shuma e kuptimeve të
fjalëve përbërëse) dhe që nuk mund të përkthehet fjalë për fjalë
në gjuhë të tjera; përngjitje frazeologjike; njësi frazeologjike (p.sh.
bëj pallë; i ra bretku; i bie më qafë; vret rëndë; e fjeti mendjen; rri
mbi gjemba; mori flakë; daulle e shpuar; dushk për gogla; fill e
për pe; sy ndër sy; pikë e gjak; për dhjamë qeni etj.); fjalë e
veçantë që përdoret në kuptim të figurshëm vetëm në një gjuhë e
që nuk mund të përkthehet drejtpërdrejt në gjuhë të tjera p.sh.
pikë në kuptimin «mes»: në pikë të verës (të dimrit, të natës...);
buzëdele, një bimë barishtore; gojëlidhuri, ujku etj.

INDOEVROPIAN
Që bën pjesë në familjen e madhe të disa gjuhëve të afërta, ku
përfshihen shqipja, indishtja, iranishtja, armenishtja, greqishtja,
latinishtja e gjuhët romane, gjuhët gjermanike, gjuhët sllave,
gjuhët baltike, kelte etj.; që ka të bëjë me këto gjuhë, që është
veçori e këtyre gjuhëve; që studion këto gjuhë. Gjuhët (e gjalla,
e vdekura) indoevropiane. Shtresa indoevropiane e leksikut.
Sistemi fonetik indoevropian.
Familja e gjuhëve indoevropiane. Me prejardhje indoevropiane.
Gjuhësia indoevropiane.

INTONACION
Ndryshimi i zërit në melodi dhe në ritëm gjatë të folurit,
melodia dhe ritmi si organizues të fjalisë; mënyra e shqiptimit që
është karakteristike për një gjuhë. Intonacion pyetës (përmbyllës,
tregues). Intonacioni i fjalisë. Intonacion në gjuhën shqipe.

JASHTËGJUHËSOR
Që nuk lidhet drejtpërdrejt me gjuhën a me dukuritë gjuhësore,
që nuk ka të bëjë me vetë sistemin e gjuhës; që nuk ka karakter
gjuhësor. Faktorë jashtëgjuhësorë.
Kushtet jashtëgjuhësore. Fakte jashtëgjuhësore.

JOFRYMOR
Që nuk shënon njerëz a kafshë, por shënon sende. Emra jofrymorë

JOHUNDOR
Që nuk shqiptohet me hundë, gojor. Tingull johundor. Zanore
johundore.

JOPRODHUES
Që nuk mund të krijojë fjalë të reja, që s'jep formime të
reja. Temë joprodhuese.

JOVETOR
Që nuk ka vetë, që s'mund të ndryshojë a nuk ndryshon sipas
vetës; e pashtjelluar (për format e ngurosura të foljes). Format
jovetore të foljeve.


Fjalori gjuhesor 



No comments:

Post a Comment