Fjalori historik
KADI
Zyrtar në kohën e sundimit osman, që
kryente detyrën e gjykatësit dhe detyra të tjera civile e fetare; gjykatës,
zakonisht hoxhë, që gjykonte çështje civile e fetare sipas sheriatit.
KAJMEKAM
Zëvendës i guvernatorit në një krahinë,
mëkëmbës; zyrtari i parë që sundonte në një krahinë të caktuar (gjatë sundimit
osman); nënprefekt.
KALA
Vend i rrethuar me mure të larta e të
trasha dhe i pajisur me mjete luftarake për t'u mbrojtur për një kohë të gjatë;
kështjellë. Kala ilire (mesjetare). Kalaja e Krujës. Porta e kalasë. Muret
(kullat) e kalasë. E morën (e pushtuan) kalanë. Ra kalaja u dorëzua, u pushtua
kalaja.
KALIF
Titull që mbante në disa vende myslimane
kryesundimtari, i cili kishte në duart e veta pushtetin më të lartë politik e
fetar dhe e quante veten pasardhës të Muhametit (në vendet arabe deri në shek.
XIII dhe më vonë në Egjipt e në Turqi në kohën e sulltanëve). Kalifi i parë.
Kalifi i Bagdadit. U bë kalif.
KALORËS
1. Luftëtar i stërvitur për luftim mbi
kalë.
2. Titull që u jepej feudalëve oborrtarë;
feudal që i
përkiste shtresës së aristokracisë
ushtarake (në disa vende të Evropës).
KANIBAL
Njeri që ha mish njeriu, njeringrënës (në
fazat me të ulëta të zhvillimit të shoqërisë).
KANIBALIZËM
Përdorimi si ushqim i mishit të njeriut nga
njerëzit (në fazat më të ulëta të zhvillimit të shoqërisë).
KANOSJAR
1. Bekçi i fshehtë që caktohej nga pleqësia
e fshatit ose nga kryeplaku për të ruajtur arat, vreshtat etj.
2. Ai që gjobiste fshatarin, i cili kishte
dëmtuar vetë ose me bagëtitë e tij arën a mallin e dikujt.
KANUN
Përmbledhje ligjesh e normash të
pashkruara, të trashëguara brez pas brezi, që pasqyrojnë gjendjen
ekonomiko-shoqërore të periudhave të kaluara dhe që në kohën e vet mbronin
interesat e klasave e të shtresave të caktuara shoqërore; tërësia e normave të
së drejtës zakonore. Kanuni i Skënderbeut. Kanuni i Lek Dukagjinit.
KANUNIZOJ
E fut në kanun, e bëj ligj të pashkruar.
Kanunizuan zakonin e ekzogamisë.
KAPEDAN
1. Kryetari i një çete a i një ushtrie;
komandant trim.
2. Bajraktar.
KAPSOLLAQE
Pushkë e vjetër, e gjatë, që mbushej nga
gryka dhe shkrehej me shkëndijat që dilnin nga kapsolla.
KARTAGJENAS
Që lidhet me Kartagjenën (qytet e shtet i
lashtë në Afrikën e Veriut) ose me kartagjenasit, që ishte karakteristik për
Kartagjenën ose për kartagjenasit, i Kartagjenës ose i kartagjenasve; që është
krijuar nga kartagjenasit. Anije kartagjenase. Ushtria kartagjenase.
KATAKOMB
Galeri e nëndheshme me disa tunele të
gjata, ku, në Romën e vjetër, të krishterët e kohëve të para fshiheshin,
kryenin shërbesat fetare ose varrosnin të vdekurit. Katakombet e Romës.
KATAPULTË
Armë e vjetër që përdorej gjatë rrethimit
të një kështjelle për të goditur ushtrinë armike me gurë të mëdhenj a me trarë
të mprehur ose për të hedhur shigjeta me lëndë ndezëse (zift, katran etj.).
Katapultë romake.
KATUND
Bashkësi e njerëzve, që merreshin kryesisht
me blegtori e bënin një jetë shtegtare; vendbanimi i përkohshëm i këtyre
njerëzve; fshat i madh, me shtëpi të shpërndara e larg njëra-tjetrës.
KATUNDAR
Ai që ishte në krye të katundit, udhëheqësi
i katundit; çelnik.
KATUNDARI
1. Fshatarësi.
2. Bashki.
KAVALL
Pushkë e vjetër me një tytë, që mbushej nga
gryka dhe shkrepej me gur stralli.
KËMISHË
Këmishë hekuri. veshje e sipërme prej
metali, që mbanin kalorësit për t'u mbrojtur nga goditjet e shpatave ose të
shtizave.
KËMISHËKUQ
Vullnetar në ushtrinë e Garibaldit, që
luftonte për bashkimin e Italis ë(në shek. XIX).
KËSHTJELLAR
1. Feudali që ishte zot i një kështjelle.
2. Komandanti i luftëtarëve që mbronin një
kështjellë; luftëtari që mbronte një kështjellë.
KËSHTJELLË
Vend i rrethuar me mure të larta e të
trasha, i pajisur me sharapolle me bedena e me mjete të tjera për t`u mbrojtur
për një kohë të gjatë nga sulmet e armiqve; vendbanimi i feudalëve, i
fortifikuar dhe i mbrojtur mirë; banesë e fortifikuar feudale; kala. Kështjellë
e vjetër (mesjetare). Kështjella e Krujës (e Gjirokastrës). Kështjellë me katër
kulla. Muret (portat) e kështjellës. Ndërtoi kështjellën. U mbyll në
kështjellë. U pushtua (ra) kështjella.
KLAN
1. Grup shoqëror i përbërë nga njerëz të
një gjaku, që organizonte punën dhe jetën në mënyrë të veçuar nga të tjerët (në
bashkësinë primitive).
2. Grup njerëzish të një gjaku; fis.
KMESËTAR
1. Punëtor që pret ferra ose bën gjeth për
bagëtinë duke përdorur kmesën, ai që punon me kmesë.
2. Luftëtar që luftonte me kmesë (në
ushtrinë e Skënderbeut).
KOÇOBASH
Kryeplaku i fshatit (në kohën e sundimit
turk).
KOHORTË
Njësi ushtarake që ishte sa një e dhjeta e
legjionit në Romën e lashtë; njësi ushtarake me 300-600 luftëtarë. Kohortat
romake. Kohorta e Skënderbeut.
KOKËMBROJTËSE
Lloj helmete që e mbanin luftëtarët për të
mbrojtur kokën e fytyrën.
KOLABORACIONIST
1. Ai që ka bashkëpunuar me pushtuesit
fashistë e nazistë dhe ka tradhtuar Atdheun gjatë Luftës Nacionalçlirimtare.
2. Ai që bashkëpunon me pushtuesin dhe
tradhton atdheun e vet; tradhtar.
KOLABORACIONIZËM
Bashkëpunim i tradhtarëve të Atdheut ose i
përfaqësuesve të klasave sunduese me pushtuesit fashistë e nazistë gjatë Luftës
Nacionalçlirimtare.
KOLON
Skllav i liruar a fshatar i lirë, që merrte
me qira një copë tokë nga një pronar i madh dhe ishte i detyruar të paguante
për këtë një taksë në natyrë e në të holla (në Romën e vjetër).
KOLONË
Kolona e pestë
a) grup kundërrevolucionar, i përbërë prej
spiunësh, diversantësh, fashistësh dhe armiqsh të tjerë, që vepronin në
prapavijën e Spanjës republikane gjatë viteve 1936-1939;
b) grup kundërrevolucionar, zakonisht i
vënë nga zbulimi i huaj, që zhvillon veprimtari subversive antishtetërore në
vende me regjim demokratik e popullor; grup kundërrevolucionar që zhvillon
veprimtari përçarëse në gjirin e partive komuniste ose të një partie a
organizate përparimtare.
KOLONI
Vend a qytet i populluar me kolonë pushtues
(në kohën e Greqisë e të Romës së vjetër). Kolonitë greke. Koloni romake.
KOMIT
Kryengritës që dilte malit e luftonte për
lirinë e atdheut dhe për drejtësi shoqërore kundër shtypësve e shfrytëzuesve.
Çeta e komitëve. Doli komit.
KOMUNË
Njësi administrative lokale, që përfshin
zakonisht disa fshatra ose një krahinë; organ shtetëror lokal i një njësie të
tillë; ndërtesa ku është vendosur ky organ (në disa vende të tjera; në të
kaluarën edhe në Shqipëri).
KOMUNIKATË
Fletë e shtypur, nxirrej rregullisht gjatë
Luftës Nacionalçlirimtare, ku jepeshin njoftime për luftën e popullit tonë
kundër pushtuesve fashistë e kundër tradhtarëve të vendit dhe për luftën
antifashiste të popujve të tjerë.
KONSULL
Secili nga dy sunduesit e zgjedhur në
Republikën e Romës së vjetër, që kishin në dorë pushtetin e lartë; titulli që i
jepej secilit prej këtyre sunduesve.
KONSULLATË
Koha kur pushteti i lartë ishte në duart e
dy konsujve (në Republikën e Romës së vjetër).
KONT
Titull aristokratësh më i lartë se ai i
baronit dhe më i ulët se i markezit; ai që mbante këtë titull.
KONTESHË
E shoqja ose e bija e kontit.
KORDHË
Shpatë, që vjen pak e kthyer në majë dhe që
pret vetëm nga njëra anë; këllëç.
KORDHËTAR
1. Ai që luftonte me kordhë.
2. Luftëtar i madh e i shquar; njeri
revolucionar e i shquar në përpjekjet për liri, për drejtësi shoqërore e
përparim. Kordhëtarët e Rilindjes.
KORPARMATË
Njësia më e madhe në Ushtrinë tonë
nacionalçlirimtare.
KORPORATË
1. Bashkim zejtarësh a tregtarësh të një
vendi ose krahine në një organizatë për të mbrojtur më mirë interesat e tyre,
esnaf (në rendin feudal). Korporata e zejtarëve (e tregtarëve).
2. Organizatë e punonjësve të një
profesioni për të mbrojtur interesat e tyre
3. Organe të krijuara nga regjimi fashist
në Itali për t'u shërbyer monopoleve kapitaliste, duke u përpjekur të shuanin
luftën e klasave e të siguronin pajtimin e bashkëpunimin ndërmjet sipërmarrësve
e punëtorëve.
KOSHADHE
1. Patrullë.
2. Ushtar që bënte pjesë në repartet
ndjekëse të ushtrisë në Perandorinë Osmane për të kapur hajdutët ose
kryengritësit. Dërgoi koshadhe. E vrau koshadhja. E ndoqi me koshadhe.
KRAHINAR
Nëpunës i emëruar nga qeveria, që sundon në
një njësi administrative; kryetar i komunës së një krahine. U emërua krahinar.
Shkoi te krahinari.
KRAHINARI
Njësi administrative që përfshin zakonisht
disa fshatra dhe që drejtohet nga një nëpunës i emëruar nga qeveria.
KRAHINË
Njësi territoriale-administrative brenda
një shteti, e cila ka një kryeqendër; qark.
KRYEQINDËS
Komandant i një qindësheje në ushtrinë e
Romës së lashtë, komandant i qindëshes.
KRYQËZATË
1. Fushata ushtarake me qëllime pushtuese,
që bënin gjatë shekujve XI-XIII në Lindjen e Afërme etj. feudalët e Evropës
Perëndimore, të nxitur nga kisha katolike gjoja për të shpëtuar vendet e
shenjta ose krishterimin nga të pabesët. Kryqëzata e parë (e dytë...). Në kohën
e kryqëzatave.
2. Fushatë e egër ushtarake a politike që
ndërmerr një shtet agresiv kundër një shteti tjetër.
KRYQËZIM
Mënyrë e vjetër e dënimit me vdekje, duke e
mbërthyer të dënuarin pas një druri me krahë hapur si në kryq.
KRYQËZOJ
E mbërthej dikë pas një druri me krahë
hapur si në kryq (mënyrë e vjetër e dënimit me vdekje).
KUESTOR
1. Ruajtësi i thesarit të shtetit dhe
administruesi i tij në Romën e vjetër; hetues e gjykatës për çështje penale.
2. Shef i policisë në qytetet e mëdha të
Italisë, drejtues i kuesturës (gjatë pushtimit fashist italian edhe në
Shqipëri).
KUJRI
Pyll, kullotë, tokë a vend tjetër që
shfrytëzohej bashkërisht nga gjithë katundi.
KURORË
1. Kurorë dafine. kurorë me degë e gjethe
dafine që u vinin në kokë zakonisht poetëve të shquar.
2. Rreth i metaltë, zakonisht i stolisur me
ar e me gurë të çmuar, që mbanin (e që në disa vende mbajnë edhe sot) në kokë
perandorët, mbretërit etj. si shenjë të pushtetit të tyre; pushteti, sundimi i
monarkut; vetë mbreti a perandori; përmb. familja mbretërore. Kurora
mbretërore. Kurora e perandorit (e mbretëreshës). Pasuritë e kurorës. Fjalimi i
kurorës fjalimi i mbretit në parlament në disa vende borgjeze.
KURORËZIM
Ceremonia që bëhej për të kurorëzuar një
mbret, një perandor etj. Kurorëzimi i mbretit.
KURORËZOJ
I vë kurorën një monarku a një sundimtari,
e shpall mbret a sundimtar duke i vënë mbi kokë një kurorë, si simbol i
pushtetit. Kurorëzoi mbretin.
LABEAT
Pjesëtar i njërit prej fiseve kryesore
ilire, që banonte në trojet nga Liqeni i Shkodrës deri thellë në Malësinë e
Veriut. Fisi i labeatëve.
LABIRINT
Ndërtesë e madhe me shumë të ndara e me
korridore të ngatërruara, ku ishte e vështirë të gjendej rruga e daljes (në
Egjiptin dhe në Greqinë e lashtë).
LATIFOND
Pronë toke e madhe në kohën e Perandorisë
Romake, që ishte në duart e njerëzve të shtresave të larta. Latifondet romake.
Latifondet e skllavopronarëve.
LEGJION
1. Njësia ushtarake themelore në ushtrinë
romake, që përbëhej nga shumë kohorta dhe që kishte rreth gjashtë mijë
luftëtarë këmbësorë e kalorës. Legjionet romake. Kohortat e legjionit.
2. Njësi e veçantë e trupave sulmuese, e
krijuar nga disa shtete të Evropës për të pushtuar vende të tjera e për t'i
mbajtur popujt e tyre të nënshtruar me anën e dhunës e të terrorit. Legjionet
fashiste (naziste). Legjioni i huaj njësi e tillë ushtarake, e formuar nga
Franca e nga Spanja me mercenarë të kombësive të ndryshme për të shtypur popujt
e koloniv
LIBERALIZËM
Rrymë politike e ideologjike, që lindi në
fund të periudhës së feudalizmit dhe iu kundërvu absolutizmit feudal, duke
kërkuar liri të pakufizuar politike, ekonomike e shoqërore
LIKUIDATOR
Përkrahës i një rryme politike reaksionare
në gjirin e Partisë Punëtore Social-demokrate Ruse (në vitet 1908-1912), që
synonte të asgjësonte partinë ilegale të proletariatit duke e kufizuar
veprimtarinë e saj brenda formave legale.
LIRË
Që nuk ishte skllav a bujkrob, por kishte
të drejtën e pronësisë mbi tokën, mbi mjetet e punës e mbi prodhimet, si dhe
disa të drejta qytetare (në rendin skllavopronar e në atë feudal); që nuk i
është nënshtruar sistemit të timareve e të çifligjeve (në vendin tonë gjatë
pushtimit osman). Fshatarët e lirë dhe bujkrobërit. Fshatarësia e lirë e
malësive.
LIRI
Gjendja e një njeriu, i cili nuk ishte
skllav a bujkrob (në rendin skllavopronar e në atë feudal).
LOT
Lëndina e lotëve. shesh në të dalë të
qytetit, ku njerëzit ndaheshin me të afërmit e tyre kur shkonin në kurbet.
Fjalori historik
No comments:
Post a Comment