Fjalori i gjuhesise L

Fjalori i gjuhesise


LABËRISHTE
E folmja e labëve. Labërishtja e folur. Veçoritë e labërishtes.

LAJMËRUES
Që lajmëron për diçka të panjohur ose për diçka që do të
ndodhë së afërmi. Sinjali lajmërues. Çanga lajmëruese. Pjesa
lajmëruese e ligjëratës së drejtë. ajo pjesë e ligjëratës së
drejtë, që paralajmëron fjalët e një tjetri, fjalët e autorit (p.sh.
Gjergj Kastrioti e zgjeshi pallën nga milli dhe thirri: — Për
Arbërinë, o burra, mbi ta!)

LAKIM
Tërësia e ndryshimeve që pëson trajta e emrit, mbiemrit,
përemrit, numërorit, nyjës dhe e çdo pjese të ligjëratës që
përdoret si emër, kur i lakojmë sipas rasave, numrit e gjinisë;
tërësia e trajtave që ka emri, mbiemri etj. kur lakohet; tërësia e
emrave që marrin trajta të njëjta kur lakohen.
Lakimi i parë (i dytë...). Emrat e lakimit të parë.

LAKOHEM
E ndryshon trajtën sipas rasave, numrit e gjinisë (për
emrin, mbiemrin, përemrin, numërorin, nyjën e për çdo pjesë të
ligjëratës që përdoret si emër). Emri dele lakohet si lule.
Ndajfoljet (parafjalët) nuk lakohen.

LAKOJ
E ndryshoj trajtën e emrit, të mbiemrit, përemrit,
numërorit, nyjës a të çdo pjese të ligjëratës që përdoret si emër
sipas rasave, numrit e gjinisë. Lakoj emrin (mbiemrin) në numrin
njëjës (shumës).

LAKUESHËM
Që e ndryshon trajtën sipas rasës, numrit e gjinisë, që
lakohet; e kunderta. i palakueshëm (për emrin, mbiemrin, përemrin,
numërorin, nyjën). Pjesët e lakueshme të ligjëratës.

LARTË
Stil i lartë, stil i cili përfshin mjete të
tilla gjuhësore që i japin ligjërimit një ton të ngritur e solemn

LEJOR
1. Që lidh një fjali të varur, e cila tregon një veprim a gjendje që
pritej të pengonte veprimin a gjendjen e shprehur nga fjalia
drejtuese, por që nuk arrin ta pengojë atë (për lidhëzat si
megjithëse, ndonëse, edhe pse, sado që, sido që, pavarësisht se
etj.). Lidhëza lejore.
2. Që lidhet me lidhëza të tilla dhe tregon një veprim a gjendje që
pritej të pengonte veprimin a gjendjen e shprehur nga fjalia
drejtuese, por që nuk arrin ta pengojë atë (për fjalitë). Fjali lejore.
(p.sh.: Sado që kishte dhimbje therëse, mitraljeri nuk ra në shtrat).

LEKSIK
1. Tërësia e fjalëve që ka një gjuhë, një dialekt ose një e folme;
fjalori. Leksiku i përgjithshëm (dialektor, krahinor). Leksiku i
gjuhës shqipe. Leksiku i së folmes ... Pasurimi (pastrimi) i
leksikut të shqipes. Shtresat e leksikut të shqipes. Kartoteka e
leksikut të shqipes.
2. Tërësia e fjalëve që përdoren në një fushë të caktuar të
veprimtarisë shoqërore ose nga një rreth shoqëror i caktuar;
tërësia e fjalëve që përdor një autor në veprën e tij, fjalori i një
vepre. Leksiku i përditshëm (i zakonshëm). Leksiku profesional
(terminologjik). Leksiku politiko-shoqëror (ushtarak, shkencor).
Leksiku i fëmijëve. Leksiku i Naim Frashërit.

LEKSIKOGRAFI
Teoria e praktika e hartimit të fjalorëve; degë e gjuhësisë që
merret me hartimin e fjalorëve. Zhvillimi i leksikografisë shqiptare.

LEKSIKOGRAFIK
Që ka të bëjë me leksikografinë, që i përket leksikografisë, i
leksikografisë. Vepër leksikografike.

LEKSIKO-GRAMATIKOR
Që ka të bëjë me leksikun dhe me gramatikën, që i përket leksikut
dhe gramatikës. Kategori leksiko-gramatikore.

LEKSIKOLOGJI
Degë e gjuhësisë që studion leksikun e gjuhës. Leksikologjia e
përgjithshme. Leksikologjia shqipe. Leksikologjia historike
(përshkruese).

LEKSIKOLOGJIK
Që ka të bëjë me leksikologjinë, që i përket leksikologjisë, i
leksikologjisë. Studime leksikologjike. Ekspeditë leksikologjike.

LEKSIKOR
Që ka të bëjë me leksikun e gjuhës, që i përket leksikut, i leksikut;
që është karakteristik për leksikun e për njësitë e tij. Pasuria
leksikore e shqipes.
Visari leksikor. Sistemi leksikor. Shtresat leksikore. Njësi
leksikore. Norma leksikore. Kuptimi leksikor i fjalës.

LËNDOR
Që shënon një lëndë ose një send; që shënon nga
ç'lëndë është bërë diçka; që ka të bëjë me pjesën themelore të
fjalës dhe jo me trajtat e saj gramatikore, leksikor. Emër lëndor
emër që shënon një lëndë (p.sh. mish, brumë, vaj, dyllë).
Mbiemër lëndor mbiemër që e cilëson një send duke cilësuar se
nga ç'lëndë është bërë (p.sh. i gurtë, i drunjtë, i hekurt, i misërt).
Kuptimi lëndor i fjalës kuptimi i temës së fjalës, kuptimi leksikor
(për ta dalluar nga kuptimi i pjesës trajtëformuese).

LËNGËT
Që është i zëshëm dhe pas një bashkëtingëlloreje të
shurdhët shqiptohet lehtë (për bashkëtingëlloret l, ll, r, rr).
Bashkëtingëlloret e lëngëta.

LIBROR
Që është karakteristik për ligjërimin e shkruar; që është tipik për
gjuhën e shkruar të librave. Ligjërimi libror. Stili libror. Fjalë
librore. Ndërtime librore.

LIDHËS
1. Vizë lidhëse, vizë e shkurtër që vihet zakonisht ndërmjet dy
fjalëve ose ndërmjet dy temave, të cilat formojnë një njësi (p.sh.
ditë-punë, ekonomiko-shoqëror, organizatë-bazë, dora-dorës, Nikaj-Mertur).
2. Zanore lidhëse (bashkuese), zanore ndërmjet
dy temave të një fjale të përbërë (p.sh. gushtovjeshtë,
mesoburrë, ballafaqe, këmbadoras, djegagur).

LIDHËSE
Lidhëz. Lidhëse shkakore (krahasuese, ftilluese).

LIDHËZ
Pjesë e pandryshueshme e ligjëratës, që lidh dy gjymtyrë
fjalie ose dy fjali dhe shpreh marrëdhënie të ndryshme sintaksore
ndërmjet tyre.
Lidhëz bashkërenditëse (nënrenditëse). Lidhëz këpujore
(veçuese, kundërshtore, përmbyllëse). Lidhëz ftilluese (vendore,
kohore, shkakore, qëllimore). Lidhëz e thjeshtë.

LIDHËZOR
Që lidhet me anë të një lidhëze; që ka lidhëz në përbërjen e vet;
që ka vlerën e një lidhëze. Ndërtim lidhëzor. Fjali lidhëzore.
Shprehje lidhëzore. Mjetet lidhëzore.

LIDHOR
1. Që lidh një fjali të varur përcaktore me një fjali tjetër ose
me një gjymtyrë të një fjalie tjetër (për përemrat që, i cili etj.).
Përemrat lidhorë.
2. Që lidhet me përemra të tillë dhe plotëson kuptimin e një
fjalie tjetër (për fjalitë). Fjali lidhore.
3. Mënyra lidhore: një nga mënyrat e zgjedhimit të foljeve në
gjuhën shqipe, e cila tregon një veprim a një gjendje që mund, që
dëshirohet ose duhet të kryhet a të ndodhë, pasi lidhet me një tjetër.

LIDHORE
Mënyra lidhore.

LIGJËRATË
1. Ligjëratë e drejtë, formë e ndërtimit sintaksor të ligjërimit,
në të cilën ai që flet a shkruan përsërit fjalë për fjalë, pa asnjë
ndryshim ato që ka thënë një tjetër ose që ka thënë vetë më
parë, duke i veçuar si fjali më vete.
2. Ligjëratë e zhdrejtë (e tërthortë), formë e ndërtimit sintaksor të ligjërimit,
në të cilën ai që flet a shkruan i riprodhon fjalët e një tjetri ose
fjalët që ka thënë vetë më parë pa bërë ndryshime në përmbajtje,
por me ndryshime në formë, duke mos i veçuar si fjali më vete.
3. Pjesët e ligjëratës, kategoritë themelore leksiko-gramatikore, në të
cilat grupohen të gjitha fjalët e gjuhës sipas kuptimit leksikor dhe
veçorive të tyre gramatikore (p.sh. emri, mbiemri, numërori,
përemri, folja, ndajfolja, parafjala etj.).

LIGJËRIM
1. Gjuha e gjallë kur e flasim a e shkruajmë, gjuha në çastin
e përdorimit të saj nga njerëzit. Gjuha dhe ligjërimi. Stili i ligjërimit.
2. Variant i gjuhës me disa veçori dalluese, që përcaktohen
nga rrethanat në të cilat bëhet kumtimi dhe nga qëllimi i kumtimit;
stil i gjuhës; mënyrë të foluri; mënyra e shqiptimit në të folur.
Ligjërimi letrar ligjërim i normëzuar që përdoret nga njerëzit e
shkolluar, gjuhë letrare. Ligjërimi bisedor. Ligjërimi libror.
Ligjërimi poetik. Ligjërimi i thjeshtë. Ligjërimi dialektor. Ligjërim
tregimtar. Ligjërim i plot ë(i lirë). Ligjërim i hollë (i trashë).

LIGJËRIMOR
Që ka të bëjë me ligjërimin, i ligjërimit. Kumtimi ligjërimor.

LIGJËRUES
Që ka të bëjë me ligjërimin, i ligjërimit. Veprimtaria ligjëruese të folurit.

LOGJIK
Theksi logjik (kuptimor), theksimi i një fjale, të cilën duam
ta dallojmë në fjali nga kuptimi, për të shprehur pikërisht atë që
synojmë gjatë ligjërimit.

LOKUCION
Grup fjalësh që nga ana gramatikore e leksikore është i
barasvlershëm me një fjalë të vetme dhe që ka në përbërjen e tij
të paktën një fjalë emëruese; shprehje gjuhësore. Lokucion
ndajfoljor (parafjalor, lidhëzor).


Fjalori i gjuhesise




No comments:

Post a Comment