Fjalori i gjuhesise P

Fjalori i gjuhesise


PACAKTUAR
1. I pakufishëm. Përemrat e pacaktuar.
2. I pashquar. Emër i pacaktuar.

PAKALUES
Jokalimtare. Folje pakaluese.

PAKRYER
Koha e pakryer. E pakryera e dëftores.

PAKRYER
1. Koha e pakryer, një nga kohët e shkuara të foljes, në të
cilën folja tregon një veprim a gjendje të zgjatur që është në
zhvillim e sipër në një çast të së shkuarës.
2. Aspekti i pakryer, kategori gramatikore e foljeve në disa gjuhë,
e cila e shpreh veprimin ose gjendjen të zgjatur a të përsëritur, pa
ndonjë kufizim a pa ndonjë cak kohor;

PAKUFISHËM
Që tregon qenie, sende a dukuri në mënyrë të
pacaktuar; që tregon sasi të pacaktuar ose të përafërt qeniesh,
sendesh a dukurish. Përemër i pakufishëm.

PAKUPTIMSHËM
Që nuk ka kuptim; që nuk ka kuptim leksikor të
mëvetësishëm. Njësi e pakuptimshme.

PALAKUESHËM
Që nuk ndryshon sipas trajtave në rasë, numër dhe gjini;
kund. i lakueshëm. Emër i palakueshëm. Pjesët e palakueshme
të ligjëratës.

PALIDHUR
Që qëndron me vete në fjali ose në togfjalësh dhe mund
të hiqet pa prishur kuptimet e fjalisë ose të togfjalëshit. Fjali
gramatikisht e palidhur.

PAMOTIVUESHËM
Që nuk mund t'i përcaktohet prejardhja kuptimore; që
nuk i dihet lidhja me kuptimin e parë. Fjalë (njësi frazeologjike) të
pamotivueshme. Kuptim i pamotivueshëm.

PANDRYSHUESHËM
Që nuk merr trajta të ndryshme gramatikore, që nuk
lakohet a nuk zgjedhohet; kund. i ndryshueshëm (për disa pjesë
të ligjëratës). Pjesët e pandryshueshme të ligjëratës.

PANYJSHËM
Që nuk ka nyjë të përparme

PAPLOTË
Fjalë e paplotë, fjali, së cilës i mungon njëra nga gjymtyrët kryesore
ose së cilës i mungojnë të dyja gjymtyrët.

PARADIGMË
Tërësia e trajtave gramatikore që merr një pjesë e ligjëratës gjatë
lakimit ose gjatë zgjedhimit dhe që shërben si model për një klasë
fjalësh. Paradigma e lakimit të parë. Paradigma e zgjedhimit të
dytë. Paradigma e emrit «mal». Paradigma e foljes «shkruaj».

PARAFJALË
Pjesë e pandryshueshme e ligjëratës, që përdoret si fjalë
shërbyese përpara një emri, një përemri a një numërori (në një
rasë të caktuar) ose përpara disa ndajfoljeve, për të shprehur
marrëdhëniet midis gjymtyrëve në një togfjalësh (p.sh. në, mbi,
me, pa, nga, për, prej, nëpër etj.). Parafjalë e thjeshtë (e
përbërë). Përdoret me (pa) parafjalë.

PARAFJALOR
1. Që ka vlerën e një parafjale, që kryen funksionet e një parafjale;
që ka në përbërje parafjalë. Shprehje (lokucione) parafjalore.
Pjesëz parafjalore. Togfjalësh parafjalor.
2. Rasa parafjalore rasa e gjashtë në gjuhët sllave në të cilën
emrat përdoren vetëm me parafjalë dhe i përgjigjen pyetjes «për
(mbi) kë, për (mbi) se».

PARAFUNDOR
Që gjendet para rrokjes së fundit të një fjale; që bie në
rrokjen e parafundit. Rrokja parafundore. Theks parafundor.

PARAGJUHOR
1. Që përftohet me anën e pjesës së përparme të gjuhës dhe të
majës së saj. Bashkëtingëllore paragjuhore.
2. Tingull paragjuhor. Paragjuhoret t, d, c etj.

PARALETRAR
1. Që ka të bëjë me kohën para se të shkruhej një gjuhë, që i
përket kësaj kohe, i kësaj kohe. Periudha paraletrare.
2. Që ka të bëjë me periudhën para formimit të gjuhës letrare të
një populli, që i përket kësaj periudhe, i kësaj periudhe.

PARASHTESË
Ndajshtesë që vihet para rrënjës a temës së një fjale për të
ndërtuar një fjalë të re me kuptim tjetër (në disa gjuhë edhe për
të ndërtuar një trajtë tjetër të së njëjtës fjalë). Parashtesat e
gjuhës shqipe.

PARASHTESIM
Mënyra e formimit të fjalëve të reja me anë të parashtesave.
Parashtesimi tek emrat (te ndajfoljet). Është formuar me anë të
parashtesimit.

PARASHTESOR
Që është ndërtuar me anë të një parashtese; që bëhet me anë të
parashtesave. Emër parashtesor. Folje parashtesore. Prejardhje
parashtesore. Fjalëformimi parashtesor. Mënyra parashtesore e
formimit të fjalëve.

PARATHEKSOR
Që gjendet para zanores a rrokjes së theksuar (në fjalë). Zanore
paratheksore. Rrokje paratheksore. E-ja paratheksore.

PARAVENDOSJE
Vendosja e një gjymtyre a e një fjalie të varur para një
tjetre që është kryesore; vendosja e fjalëve shërbyese para
fjalëve shënuese.

PARAVENDOSUR
Që ndodhet përpara një gjymtyre a një fjalie kryesore
ose përpara një fjale shënuese, që paravendoset. Gjymtyrë (fjali)
e paravendosur. Pjesëza të paravendosura.

PARMË
Që nuk është formuar nga një fjalë tjetër me anë
ndajshtesash a me mënyra të tjera, që nuk është i prejardhur a i
përbërë, i thjeshtë. Fjalë e parme.

PARREGULLT
Që i ndryshojnë trajtat jo sipas rregullave të caktuara; që
nuk është sipas një tipi të caktuar; kund. i rregullt. Folje e
parregullt. Trajtë e parregullt.

PASKAJORE
Një nga format e pashtjelluara të foljes, e cila shpreh një
veprim a një gjendje në mënyrë të përgjithshme, pa u lidhur me
një kohë a vetë të caktuar. Trajtat e paskajores. Paskajorja në
gjuhën shqipe. Mënyra paskajore.

PASTHEKSOR
Që gjendet pas zanores a rrokjes së theksuar (në një fjalë).
Zanore (rrokje) pastheksore. Ë-ja pastheksore.

PASTHIRRMË
Pjesë e pandryshueshme e ligjëratës që shërben për të
shprehur ndjenjat, dëshirën a vullnetin e folësit (p.sh ah! oh! bah!
shët! etj.). Pasthirrmë urdhërore.

PASTHIRRMOR
Që përdoret si pasthirrmë; që ka vlerën e një pasthirrme; që ka
në përbërjen e vet një pasthirrmë. Pjesëz pasthirrmore. Ndajfolje
pasthirrmore. Njësi frazeologjike pasthirrmore.

PASHPREHUR
Kryefjalë (gjymtyrë) e pashprehur, kryefjalë (gjymtyrë) që mungon a
që nuk është shprehur në fjali, por nënkuptohet.

PASHQUAR
Që është në trajtën morfologjike, e cila nuk e shënon sendin a
frymorin si të përcaktuar, si të dalluar nga klasa e sendeve a e
frymorëve të të njëjtit lloj ose si të njohur për dëgjuesin (për
emrat); Trajtë e pashquar trajtë e emrave të tillë.
Emër i pashquar.

PASHQUARSI
Kategori gramatikore, e cila tregon se sendi a frymori, që
shënohet prej emrit, mendohet si i papërcaktuar, nuk dallohet
nga klasa e sendeve a e frymorëve të të njëjtit lloj ose mendohet
si i panjohur për dëgjuesin; kund. shquarsi. Pashquarsia e emrit.
Kategoria e shquarsisë dhe e pashquarsisë. Kuptimi gramatikor
i pashquarsisë.

PASHTJELLUAR
Që nuk ndryshon sipas vetës e numrit (për disa forma të foljes);
Format e pashtjelluara të foljes. Formë e pashtjelluar mohore.

PATHEKSUAR
1. Që nuk është i theksuar, që nuk ka theks. Zanore (rrokje) e
patheksuar. Ë-ja e patheksuar.
2. Që nuk i vihet në dukje gjatë të folurit me anë të zërit më të
fortë ose të tonit me të ngritur rëndësia kuptimore etj. (për një
fjalë a për një pjesë të fjalisë). Fjalët (pjesët) e patheksuara në fjali.

PAVARËSI
Të qenët i pavarur gramatikisht.

PAVARUR
Fjali e pavarur, fjali që s'varet gramatikisht prej një fjalie tjetër dhe që
s'plotësohet nga një fjali tjetër.

PAZBËRTHYESHËM
Që ka trajtën e një njësie të vetme, e cila s'mund të
ndahet a të zbërthehet në pjesë përbërëse pa humbur
veçoritë sintaksore ose kuptimore. Shprehje e
pazbërthyeshme. Togfjalësh i pazbërthyeshëm. Fjali e
pazbërthyeshme.

PERIUDHË
Njësi e ligjërimit, e cila përbëhet nga dy a më shumë
fjalë që formojnë një tërësi të vetme nga ndërtimi gramatikor,
nga kuptimi dhe nga intonacioni; fjali e përbërë. Periudha me
fjali të varura kushtore (shkakore, kohore).

PËRBËRË
1. Që është formuar nga bashkimi i disa pjesëve
(fjalëve, fjalive etj.) të ndryshme, i pathjeshtë; kund. i thjeshtë.
Fjali e përbërë. Kallëzues i përbërë. Kohë e përbërë (e
foljes) kohë e formuar nga folja ndihmëse kam ose jam dhe
pjesorja e foljes që zgjedhohet.
2. Fjalë e përbërë, fjalë e formuar nga bashkimi i dy a më
shumë temave në një njësi të vetme fonetike, leksikore e
gramatikore; kompozitë e mirëfillt ë(p.sh. atdhedashuri,
besëlidhje, ballëhapët, gojëmjaltë, gurgdhendës, gushëkuq,
gushtovjeshtë, tejkaloj etj.).

PËRBUZËS
Që shpreh përbuzje, që jep ngjyrimin e përbuzjes. Me
kuptim (ngjyrim) përbuzës.

PËRCAKTOJ
Shënon një tipar, një cilësi a një veti të
një gjymtyre të fjalisë ose të një fjalie tjetër. Fjali e varur që
përcakton fjalinë kryesore.

PËRCAKTOR
Gjymtyrë e dytë e fjalisë, që lidhet drejtpërdrejt me një
gjymtyrë emërore, të cilën e përcakton, duke treguar një
karakteristikë të saj (p.sh. djalë i guximshëm, tokat e
kooperativës, arë për grurë, vendi ynë, koha për të punuar,
dhoma lart). Përcaktor me (pa) përshtatje.

PËRCAKTOR
1. Që ka të bëjë me përcaktorin; që shërben si përcaktor; që
përcakton. Marrëdhënie përcaktore.
2. Që lidhet me përemra a me ndajfolje lidhore dhe tregon në
përgjithësi një karakteristikë të një gjymtyre emërore. Fjali
përcaktore (p.sh.: Lavdëruan çetën që ishte dalluar në
ndeshjet me armikun).

PËRCAKTUAR
Që është gjymtyra kryesore a drejtuese në një fjalë të
përbërë dhe përcaktohet nga gjymtyra tjetër; kund.
përcaktues. Gjymtyra e përcaktuar.

PËRCAKTUES
Që është gjymtyrë e drejtuar në një fjalë të përbërë
dhe përcakton gjymtyrën tjetër. kund. i përcaktuar. Gjymtyra
përcaktuese.

PËRCJELLORE
1. Një nga trajtat e pashtjelluara të foljes, e cila formohet nga
pjesorja me pjesëzën duke dhe tregon rrethanat që
shoqërojnë veprimin e foljes drejtuese (p.sh. Erdhi duke
vrapuar. Duke e ditur se do të vinte, e priti deri vonë. E
përvetësoi lëndën shumë mirë duke mësuar çdo ditë me
këmbëngulje etj.).
2. Përd. mb. vjet. sipas kuptimit të emrit. Mënyra përcjellore.

PËREMËR
Pjesë e ligjëratës, zakonisht e ndryshueshme, e cila
zëvendëson një emër duke treguar në mënyrë të përgjithshme
një qenie, send a dukuri ose shoqëron një emër duke e
përcaktuar atë në mënyrë të përgjithshme dhe merr kuptim të
caktuar sipas përmbajtjes së ligjërimit. Përemrat vetorë unë, ti,
ai, ajo... Përemër dëftor (pronor, lidhor, i pakufishëm,
pyetës). Lakimi i përemrave. Trajtat e shkurtra të përemrave
në gjuhën shqipe.

PËREMËROR
Që ka të bëjë me përemrin, që i përket përemrit; që përdoret
si përemër; që rrjedh nga një përemër. Përdorim përemëror.
Ndajfolje përemërore.

PËRFORCOJ
E thekson a e vë më mirë në dukje
kuptimin e një fjale, ka vlerë përforcuese. Përforcon kuptimin
(ngjyrimin). Përforcon mohimin.

PËRFORCUES
Që shërben për të theksuar a për të vënë në dukje
më mirë një kuptim a një ngjyrim të një fjale. Pjesëz
(parashtesë) përforcuese. Me kuptim përforcues. Fjalë
përforcuese fjalë që ndihmon për të theksuar kuptimin e asaj
gjymtyre të fjalisë mbi të cilën bie theksi logjik (p.sh. «Punonin
me vrull të gjithë, edhe të moshuarit.»).

PËRGJITHSHËM
Që emërton një klasë të tërë qeniesh të gjalla,
sendesh a dukurish, sipas tipareve të tyre të përbashkëta;
kund. i përveçëm. Emër i përgjithshëm (p.sh. njeri, dele, ujk,
libër, shkollë, liri, lumturi etj.).

PËRKËDHELËS
Që ka një ngjyrim zbutës e mirëdashës; që me trajtën
e vet shpreh përkëdhelje a zbunim. Me ngjyrim përkëdhelës e
zvogëlues. Emër përkëdhelës. Fjalë përkëdhelëse.
Prapashtesë përkëdhelëse.

PËRKIM
Përshtatje. Përkimi i mbiemrit me emrin.

PËRKOJ
Përshtatet. Përkon në numër, gjini e
rasë me emrin me të cilin lidhet.

PËRMBLEDHËS
Që shënon një grup qeniesh a sendesh të një lloji, të
cilat paraqiten si një tërësi e vetme. Emër përmbledhës (p.sh.
djalëri, grari, fshatarësi etj.). Ka kuptim përmbledhës.

PËRMBYLLËS
1. Që lidh dy fjali të bashkërenditura, nga të cilat e dyta
shpreh një përfundim a pasojë të asaj që është thënë në
fjalinë e parë (për lidhëzat si andaj, ndaj, prandaj, pa). Lidhëz
përmbyllëse.
2. Që lidhet me lidhëza të tilla dhe shpreh një përfundim a
pasojë të asaj që është thënë në fjalinë me të cilën
bashkërenditet. Fjali përmbyllëse (p.sh. U dallua në punë,
prandaj mori fletë lavdërimi).

PËRNGJASHMIM
Kthimi i një tingulli, nën ndikimin e një tjetri, në një tingull të
njëjtë a të ngjashëm me të, asimilim.

PËRNGJIT
Formoj një fjalë të vetme duke bashkuar dy a më
shumë fjalë të veçanta, që përdoren për një kohë të gjatë
njëra pranë tjetrës.

PËRNGJITET
Bashkohen dy a më shumë fjalë të veçanta, që
përdoren për një kohë të gjatë njëra pranë tjetrës dhe
formojnë një fjalë të vetme.

PËRNGJITJE
Bashkimi i dy a më shumë fjalëve të veçanta dhe formimi i një
fjale të vetme, si rrjedhim i përdorimit të tyre të gjatë pranë
njëra-tjetrës; mënyrë fjalëformimi, me anë të së cilës formohen
fjalë të reja nga shkrirja në një njësi të vetme e dy a më
shumë fjalëve që përdoren gjatë pranë njëra-tjetrës; fjalë e
formuar me këtë mënyrë, fjalë e përngjitur (p.sh. ndonjëherë,
menjëherë, atëherë, dymbëdhjetë, tungjatjeta etj.). Përbërja
dhe përngjitja. Përngjitjet në gjuhën shqipe. Ndajfolja
«kurdoherë» është formuar nga përngjitja e fjalëve «kur»,
«do» dhe «herë».

PËRNGJITUR
I përbërë prej dy a në shumë fjalësh të bashkuara në një fjalë
të vetme, i formuar me anë të përngjitjes. Fjalë të përngjitura.
Ndajfolje (lidhëz) e përngjitur. Numëror i përngjitur.

PËRPARMË
1. Nyjë e përparme, nyjë që vihet përpara një emri për të
formuar trajtën e rasës gjinore; nyja që hyn në ndërtimin e një
tipi të pasur mbiemrash të shqipes, në ndërtimin e përemrave
dëftorë, lidhorë e të pakufishëm, në ndërtimin e numërorëve
rreshtorë e të disa emtave femërorë e asnjanës.
2. E ardhmja e përparme, kohë e mënyrës dëftore të foljes, e cila tregon
një veprim ose gjendje që pritet të kryhet ose të vijë në të
ardhmen para një veprimi ose një gjendjeje tjetër (p.sh. Ai do
të jetë kthyer nga puna kur të vini ju).
3. Zanore e përparme, zanore që nyjëtohet në pjesën e përparme të gojës.

PËRSHTATEM
Shkon në numër, gjini e rasë me emrin
me të cilin lidhet (për mbiemrin e përemrin, p.sh. shtëpi e re,
punëtorit të dalluar, kjo sulmuese, atyre punëtorëve); shkon
në numër e në vetë me fjalën me të cilën lidhet (për foljen,
p.sh. Ai punon. Nxënësit studiojnë.).

PËRSHTATJE
Përputhje në numër, në gjini e rasë (e një mbiemri a
përemri) me emrin me të cilin lidhet; përputhje në numër e në
vetë me fjalën me të cilën lidhet (për foljen). Lidhje
përshtatjeje (me përshtatje).

PËRVEÇËM
Që emërton një qenie a një send të veçantë, duke e
dalluar nga qeniet a nga sendet e të njëjtit lloj dhe pa
shprehur ndonjë lidhje ndërmjet qenies a sendit të veçantë e
kuptimit të përgjithshëm që ka a mund të ketë pasur fjala
emërtuese ose togfjalëshi emërtues; kund. i përgjithshëm
(p.sh. Agimi, Shqipëria, Tirana, Tomori, Australia, Deti i Kuq,
Saturni, Kashta e Kumtrit). Emër i përveçëm. Emër i
përveçëm i thjeshtë (i pathjeshtë).

PËSOJ
Është objekti i një veprimi të shprehur nga
folja. E pëson kryefjala.

PËSOR
Që tregon se veprimi që kryhet nga dikush a nga diçka
kthehet e bie mbi kryefjalën. Diateza pësore e foljes diateza e
një foljeje që shënon një veprim i cili kryhet nga dikush a nga
diçka dhe që e pëson kryefjala e fjalisë. Folje pësore folje që
kanë këtë diatezë. Kuptimi pësor kuptimi gramatikor i kësaj
diateze. Trajta pësore.

PËSORE
Diateza pësore e foljes. Veprorja dhe pësorja.

PIKË
Shenjë pikësimi (.) sa maja e lapsit, e stilografit etj.,
që vihet në fund të një fjalie për të shënuar një pushim të
gjatë, në fund të një fjale të shkurtuar, mbi disa shkronja etj.
Pika dhe presja. Dy pika dy shenja të tilla të vendosura njëra
mbi tjetrën, në një farë largësie (:), që përdoren në ligjëratën
e drejtë pas një fjalie lajmuese, përpara fjalive kur numërojmë,
kur sqarojmë një mendim etj. Pikat e heshtjes (pika pezullimi)
shumëpikëshi. I vuri pikën.

PIKËÇUDITJE
Shenjë pikësimi në trajtën e një vize pingule me një pikë
përposh (!), që vihet në fund të një fjalie ose të një fjale, kur
shprehet një urdhër ose një gjendje emocionale e folësit
(habi, frikë, dëshirë, urdhër etj.). Në fund të fjalisë urdhërore
vihet pikëçuditje.

PIKËPRESJE
Shenjë pikësimi, që përbëhet nga një pikë me një presje
përposh (;), që tregon një pushim më të gjatë se presja dhe
përdoret kryesisht në një periudhë për të veçuar ato pjesë të
saj të cilat qëndrojnë deri diku të pavarura.

PIKËPYETJE
henjë pikësimi, që përbëhet nga një vijë e
përdredhur si grep me një pikë përposh (?) dhe që vihet në
fund të një fjalie pyetëse ose të një ndajfoljeje përemërore
pyetëse.

PIKËSIM
Tërësia e rregullave të përdorimit të disa shenjave të
posaçme që shërbejnë për të ndarë pjesët përbërëse të një
shkrimi sipas kuptimit dhe intonacionit; tërësia e shenjave që
përdoren për këtë qëllim (presja, pikëpresja, pika, pikëpyetja,
pikëçuditja, dy pikat etj.). Rregullat e pikësimit. Shenjat e
pikësimit.

PIKTOGRAFI
Lloji më i vjetër i shkrimit që bëhej me vizatime të ndryshme.

PJESË
1. Pjesët e fjalisë, gjymtyrët e fjalisë.
2. Pjesët e ligjëratës, klasat kryesore, në të cilat ndahen fjalët
e një gjuhe, sipas kuptimit të përgjithshëm leksikor, veçorive
morfologjike e fjalëformuese dhe funksioneve sintaksore (p.sh.
emri, mbiemri, përemri, folja, ndajfolja, parafjala etj.).

PJESËZ
Pjesë e pandryshueshme e ligjëratës, që shërben për
të shprehur qëndrimin e folësit ndaj asaj që thuhet, duke i
dhënë një fjale a tërë fjalisë një ngjyrim plotësues ose për të
shprehur lloje të ndryshme të lidhjeve gramatikore (p.sh. ja, jo,
nuk, pa, pikërisht, po, sidomos, mbase etj.). Pjesëzat dëftuese
(përcaktuese, kufizuese, përforcuese, modale, pohuese,
mohuese, krahasuese, pyetëse, dyshuese, veçuese).
Klasifikimi i pjesëzave.

PJESORE
Një nga trajtat e pashtjelluara të foljes, që nga ana
kuptimore e gramatikore ka edhe karakteristikat e mbiemrit
dhe që merr pjesë në formimin e trajtave të kohëve të përbëra
të foljeve. Pjesore e shkuar (e tashme). Pjesore pësore
(veprore). Formimi i pjesores. Përdorimi i pjesores.

POHOR
1. Që pohon diçka. Fjali pohore. Trajtë (formë) pohore.
2. Shkalla pohore: trajtë e mbiemrave cilësorë dhe e
disa ndajfoljeve që tregon shkallën e parë, në të cilën tipari
cilësor shënohet pa e krahasuar me një tjetër.

POLISEMI
Aftësia e fjalëve për të pasur më shumë se një kuptim;
shumëkuptimësi. Polisemia në gjuhën shqipe.

POLISEMIK
I shumëkuptimshëm. Fjalë polisemike.

PRANËVENDOSJE
Pranëvënie.

PRANËVËNË
Që qëndron pranë me një tjetër; i përngjitur. Fjalë të
pranëvëna.

PRANËVËNIE
Mënyrë e formimit të fjalëve në gjuhën shqipe, të cilat gjatë
përdorimit të tyre pranë njëra-tjetrës përngjiten; përngjitje; të
qenët pranë njëra-tjetrës. Formim me pranëvënie. Ka
pranëvënie.

PRAPAGJUHOR
Që përftohet me anën e pjesës së prapme të shpinës së
gjuhës. Tingull prapagjuhor. Bashkëtingëllore prapagjuhore

PRAPASHTESË
Ndajshtesë që vihet pas rrënjës a pas temës së një
fjale për të ndërtuar një fjalë të re ose një trajtë të re të fjalës.
Prapashtesë fjalëformuese. Prapashtesë trajtëformuese
mbaresë. Prapashtesa foljore. Prapashtesë zvogëluese.
Prapashtesat e emrave të vepruesit. Prapashtesa -ar (-tar,
-or, - im ). Fjalë e formuar me prapashtesë.

PRAPASHTESIM
Mënyrë e formimit të fjalëve të reja me anë të prapashtesave,
prejardhje prapashtesore. Fjalë të formuara me prapashtesim.

PRAPASHTESOR
Që është formuar me prapashtesë. Emër (formim)
prapashtesor. Folje (fjalë) prapashtesore. Prejardhje
prapashtesore mënyrë e formimit të fjalëve të reja me anë
prapashtesash, prapashtesim.

PRAPAVENDOSJE
Vendosja e një nyje, e një fjale etj. prapa një pjese të caktuar
të ligjëratës. Prapavendosja e ndajshtimit.

PRAPAVENDOSUR
Që është vendosur prapa një pjese të caktuar të ligjëratës
(për nyjat, fjalët etj.).

PRAPMË
Zanore e prapme, zanore që përftohet në
pjesën e pasme të zgavrës së gojës.

PREDIKAT
Kallëzues. Predikat foljor (emëror).

PREJARDHJE
Mënyrë e formimit të fjalëve të reja me anë të
ndajshtesave fjalëformuese ose me kalimin nga një pjesë
ligjërate në një tjetër. Prejardhje parashtesore
(prapashtesore). Prejardhja në gjuhën shqipe.

PREJARDHUR
Që është formuar me anë ndajshtesash fjalëformuese
duke kaluar nga një pjesë ligjërate në një pjesë tjetër. Fjalë e
prejardhur. Emra (mbiemra) të prejardhur.

PREJEMËROR
Që është formuar nga një temë emërore. Folje prejemërore.

PREJFOLJOR
Që është formuar nga një temë foljore. Emër (mbiemër)
prejfoljor.

PREJPJESOR
Që është formuar nga një pjesore. Mbiemri prejpjesor.

PRESJE
Shenjë pikësimi (,) që tregon një pushim të shkurtër dhe ndan
një fjalë, një grup fjalësh ose një a më shumë fjali. Përdorimi i
presjes. Vë presjen.

PRODHIMTAR
Që shërben për të formuar shumë fjalë e trajta
fjalësh, prodhues. Prapashtesë prodhimtare.

PRODHUES
Që shërben për të formuar një fjalë të re a disa fjalë
të reja; prodhimtar. Tema prodhuese. Parashtesë
(prapashtesë) prodhuese. Model (tip) prodhues.

PROFESIONALIZËM
Fjalë a shprehje që njihet e
përdoret vetëm nga njerëzit e një profesioni të caktuar.

PROKLITIKË
Që është i patheksuar dhe qëndron përpara një fjale të
theksuar, që në shqiptim mbështetet te fjala e theksuar që
vjen pas. Fjalëz proklitike (p.sh. po shkon, më prit!, për nesër etj.).

PRONË
Plotësi i pronës, gjymtyrë e dytë e fjalisë e shprehur me
një emër, që tregon pronësi a përkatësi.

PRONËSOR
Që shënon një tipar a një send, i cili zotërohet nga
dikush a nga diçka ose dëshirohet të ketë dikush a diçka (për
fjalët e përbëra si zemërgur, shpatullgjerë, syzezë, ujëshumë
etj.). Kompozita pronësore.

PRONOR
Që tregon se sendi i përmendur i përket një vete të caktuar,
që shpreh përkatësinë ndaj dikujt a diçkaje (për përemrat si
imi, yni, yti, jotja, i tij, i saj, i tyre etj.). Përemrat pronorë.

PROVINCIAL
Dialektor; krahinor. Gjuhë provinciale. Fjalor provincial.

PYETËS
Që shërben për të pyetur; që përmban një pyetje.
Përemër pyetës. Ndajfolje pyetëse. Fjali pyetëse.

Fjalori i gjuhesise




No comments:

Post a Comment