Fjalori i gjuhesise Q - RR

Fjalori i gjuhesise 


QËLLIMOR
Që lidh një fjali të varur, e cila tregon qëllim, me një
fjali drejtuese (për lidhëzat që, me qëllim që, në mënyrë që);
që lidhet me lidhëza të tilla dhe tregon qëllimin e veprimit të
shprehur në fjalinë drejtuese (për fjalitë). Lidhëz qëllimore (p.
sh. Doli që të blejë disa libra). Fjali qëllimore (p.sh. Që të dish,
duhet të mësosh).

QËNDRUESHËM
Tog i qëndrueshëm, togfjalësh, gjymtyrët e të cilit kanë lidhje
të ngushta kuptimore dhe që përdoret e riprodhohet i gatshëm në të folur.

QIELLZOR
Që shqiptohet duke e mbështetur shpinën e gjuhës te
qiellza e fortë (për bashkëtingëlloret). Bashkëtingëlloret
qiellzore q, gj.

QIELLZORE
Tingull që shqiptohet duke mbështetur shpinën e gjuhës te
qiellza e fortë.
Qiellzorja q.

RASË
Secila nga trajtat e ndryshme që merr emri, mbiemri
ose përemri gjatë lakimit, që shpreh një kuptim të caktuar
gramatikor dhe që shërben për ta lidhur fjalën përkatëse me
gjymtyrët e tjera të fjalisë; kategoria gramatikore që shprehet
me këto trajta. Rasa emërore (gjinore, dhanore, kallëzore,
rrjedhore, thirrore, vendore). Rasa parafjalore. Rasë e drejtë
(e zhdrejtë). Rasat e emrit. E lakoi në të gjitha rasat.

RASOR
Që i përket rasës, i rasës; që bëhet me anë të rasës. Trajta
rasore. Mbaresa rasore. Përcaktim rasor.

RELATIV
Që tregon cilësi a tipar në mënyrë të ndërmjetuar (për
mbiemrat si i gurtë, i drunjtë etj.). Mbiemra relativë.

RENDOR
Numëror rendor, numëror rreshtor.

ROMAN
Që e ka prejardhjen nga latinishtja popullore dhe që është
vazhdimi i saj; neolatin. Gjuhët romane italishtja, spanjishtja,
portugalishtja, frëngjishtja, rumanishtja etj.

ROTACIZËM
Kalimi i n-së në r në mes të dy zanoreve në fjalët e disa
gjuhëve e në dialektet. Dukuria e rotacizmit.

RREGULLT
Që i ndryshojnë trajtat sipas disa rregullave të
caktuara pa përjashtime, që ndërtohet sipas një tipi të caktuar;

RRESHTOR
Që tregon vendin e sendeve në një renditje të
vijueshme gjatë numërimit. Numëror rreshtor.

RRETHANOR
Gjymtyrë e dytë e fjalisë, që tregon rrethanat në të cilat kryhet
veprimi; plotës rrethanor. Rrethanori i kohës (i vendit, i mënyrës...).

RRETHANOR
Që tregon rrethanat në të cilat kryhet veprimi, që luan
rolin e rrethanorit. Plotësi rrethanor. Fjali rrethanore.
Marrëdhënie rrethanore. Ndajfolje rrethanore.

RRETHIM
Mjedisi rrethues ose kushtet, në të cilat ndodhet dikush a
diçka. Rrethimi i fjalës, konteksti i fjalës.

RRËGJUAR
Që mezi shqiptohet, i dobësuar. Zanore e rrëgjuar.
Tingull i rrëgjuar.

RRËNJË
Pjesa kryesore e fjalës, që nuk mund të ndahet më tej
në pjesë përbërëse, që bart e ruan kuptimin themelor dhe që
shërben si bazë për të formuar fjalë të reja me anë
parashtesash, prapashtesash etj. Rrënjë emërore (foljore).
Rrënjë njërrokëshe (dyrrokëshe). Rrënja e përbashkët. Fjalë
të një rrënjë. I gjej rrënjën fjalës.

RRËNJOR
1. Rrënja e fjalës, temë rrënjore.
2. Që i përket rrënjës së fjalës, i rrënjës. Pjesa rrënjore
e fjalës. Rrokje (morfemë) rrënjore. Zanore
(bashkëtingëllore) rrënjore.
3. Që përbëhet vetëm nga rrënja (për fjalët); që i ka
fjalët të përbëra vetëm nga rrënja, pa ndajshtesa (për disa
gjuhë). Fjalë rrënjore. Gjuhë rrënjore.

RRJEDHIMOR
1. Që lidh një fjali të varur, e cila tregon rrjedhim a pasojë, me
një fjali drejtuese (për lidhëzat: aq sa, sa që, kështu që, sa etj.).
2. Që lidhet me lidhëza të tilla dhe tregon rrjedhimin a pasojën
e një veprimi (për fjalitë). Fjali rrjedhimore (p.sh. «Fliste me
zë aq të ulët, sa mezi dëgjohej»).

RRJEDHORE
Rasa rrjedhore. Rrjedhorja e shquar (e pashquar).
rasa e gjashtë e lakimit në gjuhën shqipe.
Trajtat e rrjedhores.

RROKJEFORMUES
Që shërben për të formuar rrokje, që formon rrokje. Tingull
rrokjeformues. Aftësi rrokjeformuese.

RROKJESOR
Që ka lidhje me rrokjen, që i përket rrokjes, i rrokjes; që
mbështetet te rrokja. Shkrim rrokjesor shkrim ku çdo rrokje
përfaqësohet vetëm nga një shenjë. Varg rrokjesor varg që
matet me numrin e rrokjeve (për ato gjuhë ku theksi bie
gjithmonë në një rrokje të caktuar të çdo fjale). Theks
rrokjesor. 


Fjalori i gjuhesise 

No comments:

Post a Comment