Fjalor pasthirrmor M - O

Fjalor pasthirrmor

MARSH
1. Përdoret si komandë zbatuese për fillimin e ecjes së
ushtarëve ose të trupave. Para marsh!
2. Përdoret si urdhër i prerë e i rreptë për dikë që të niset
a të largohet menjëherë. Hajt, nisu, marsh!

MASHALLA
Thuhet kur shprehim admirim e kënaqësi për një fëmijë të
shëndoshë ose në përgjithësi për dikë a për diçka të bukur, të
mirë e të fortë dhe duam që të mos merret mësysh (sipas
besëtytnive). Mashalla, çfarë djali (çfarë vajze)! Mashalla, sa e
bukur! Mashalla, sa qenkan rritur! Mashalla, sa shumë kokrra
paska bërë molla! Nuk tha as «mashalla».

MEDET
Përdoret kur shprehim dëshpërim, dhembje, keqardhje, frikë etj.;
mjerë. Medet për të! Medet, sa keq! Medet ç`na gjeti! Ah medet! Hej,
medet! Vaj medet!

MËNO
Përdoret për të ndjellë bletën që ka ikur.

MIRË
Përdoret kur miratojmë një veprim, një kërkesë, një
lutje etj. Mirë, le të vijë. Mirë, pranoj! Po deshe të vish, mirë, po
nuk deshe, mos eja! Mirë, thuaje! Mirë, ik!

MIRËDITA
Përdoret për të përshëndetur dikë kur takohemi me të gjatë ditës.
Mirëdita, shokë (shoqe)! Mirëdita, nënë!

MIRËMBRËMA
Përdoret për të përshëndetur dikë kur takohemi me të në
mbrëmje. Mirëmbrëma, shoqe (shokë)! Mirëmbrëma, baba!

MIRËMËNGJESI
Përdoret për të përshëndetur dikë kur takohemi me të në
mëngjes. Mirëmëngjesi, shokë! Mirëmëngjesi fëmijë!

MIRUPAFSHIM
Përdoret për të përshëndetur dikë kur ndahemi prej tij për një
kohë jo të gjatë. Mirupafshim, fëmijë! Mirupafshim, shokë të
dashur! Mirupafshim nesër! Mirupafshim në Tiranë! Ika,
mirupafshim! Natën e mirë e mirupafshim! Udhë e mbarë e
mirupafshim!

MIRUPJEKSHIM
Mirupafshim. Mirupjekshim, shokë! Mirupjekshim së shpejti!

MOJ
Përdoret kur i thërresim ose kur i drejtohemi një gruaje a një
vajze. Ik (shko), moj! Moj, hajdeni këtu! Lëvizni, moj! Fol, moj!
Sille, moj, këtu! Ç'thua, moj?! Moj, po ti s`dëgjoke!

MORE
Përdoret kur i thërresim ose kur i drejtohemi një burri a një
djali. Ik (largohu) more! More, lëvizi duart! Hajde shpejt, more!
Rrini urtë, more! Ç`thua more, vërtet? More, po s`merr vesh ti?
Ku po shkoni, more?!

NA
1. Përdoret kur i japim dikujt diçka, me kuptimin «merre»,
«urdhëro». Na librin. Na merre. Na edhe një.
2. Përdoret për të tërhequr vëmendjen e dikujt ose për ta thirrur.
Na, more ti! Na, moj vajzë, eja këtu!

NDAL
Përdoret si thirrje ose si urdhër, që i drejtohet dikujt për të mos
ecur më tej, për të qëndruar në vend. Ndal! Kush kalon? Thërriti
«ndal!»

NGADALË
Përdoret për t'i prerë hovin ose për t'i tërhequr
vëmendjen dikujt që ecën, që bën një punë a që flet. Më
ngadalë, ju lutem!

NGJATJETA
Tungjatjeta.

O
1. Përdoret kur shprehim dhimbje ose keqardhje për dikë a për
diçka; oh. O, ç`më vrave në këmbë! O, unë i mjeri (i ziu, i gjori)!
O, ku ta dija unë i shkreti!
2. Përdoret kur shprehim habi para një të papriture ose për diçka
jo të zakonshme. O, po ç'është kështu me ty?! O, gjallë qenka a? !
3. Përdoret kur shprehim gëzim, kënaqësi a admirim për diçka;
oh. O, sa mirë që erdhët! O, sa shpejt e paskeni kryer! O, sa e
bukur qenka!

OBOBO
1. Përdoret kur shprehim keqardhje të madhe, dhimbje të thellë
ose vuajtje për një fatkeqësi; bobo. Obobo, ç`e gjeti të mjerin!
Obobo, si ishte bërë i shkreti!
2. Përdoret kur shprehim habi të madhe para një të papriture ose
për diçka jo të zakonshme, bobo. Obobo, sa qenka! Obobo, sa
të bukura.
3. Përdoret kur shprehim shqetësim, pakënaqësi a mërzi të
madhe për diçka që mund të ndodhë, frikë para një rreziku etj.;
bobo, bubu. Obobo, kush merret me të tani! Obobo, kush i del
atij! Obobo, kush e bën përsëri gjithë këtë punë! Obobo, kush
shkon edhe një herë atje!

OBURRA
Përdoret kur grishim ose nxitim për punë a për luftë një njeri a një
grup njerëzish. Oburra, jepi edhe pak! Oburrani, se e mbaruam!
Oburrani, bjerini armikut e mos e lini të gjallë!

ODERRA
Përpara! jepi! forca!, oburra!

OFSH
Përdoret kur shprehim dhimbje a vuajtje të thellë shpirtërore dhe
kur rënkojmë, oh. Ofsh, unë i mjeri! Ofsh, o bir. Ofsh, për mua
të shkretin! Bënte ofsh ofshante.

OH
1. Përdoret kur jemi shumë të lodhur ose kur kemi një dhimbje a
një shqetësim në trup; përdoret kur shprehim mërzi, bezdi etj. Oh,
u këputa! Oh, sa u lodha! Oh, sa më dhemb! Oh, plasa nga
vapa! Oh, ç'më mërzitni! Oh, sa më dogji!
2. Përdoret kur shprehim dhimbje shpirtërore, keqardhje,
dëshpërim, mall, vuajtje etj. ose kur na ka rënë një e keqe. Oh,
unë i gjori! Oh, sa keq më vjen! Oh, ç'më ka marrë malli për të!
Oh, ç`e gjeti të shkretën! Bëri oh psherëtiu nga diçka.
3. Përdoret kur shprehim habi, tronditje, frikë etj. para një të
papriture ose për diçka jo të zakonshme. Oh, sa i bukur ishte
deti! Oh, sa më çuditi! Oh, sa u tremba! Oh, ku e gjete!
4. Përdoret kur shprehim dëshirë për diçka që duam të bëhet a të
ndodhë sa më parë; ah. Oh, sa të vijë ajo ditë! Oh, ku ta kem
edhe unë! Oh, ku ta gjej!
5. Përdoret kur shprehim kënaqësinë a gëzimin për diçka. Oh, sa
e mirë qenka! Oh, ç'bukuri ka tufa! Oh, sa shumë të kam pritur!
Oh, ç'u çmalla. Oh, sa u kënaqa! Oh, sa iu bë qejfi!
Oh, sa m`u bë zemra!
6. Psherëtimë që shpreh lodhje, dhimbje,
shqetësim, habi, kënaqësi etj. Me ohe e me ahe. Lëshoi një oh
të mbytur (të thellë, të gjatë). E duroi pa oh.

OHO
1. Përdoret kur shprehim gëzim a kënaqësi ose miratim për diçka,
oh. Oho, sa më pëlqen. Oho, sa e mirë është! Oho, ç`të paskan sjellë!
2. Përdoret kur shprehim habi për diçka, oh. Oho po na vjen djali!
3. Përdoret kur qesëndisim a tallemi me dikë a me diçka. Oho, i
pëlqyeka të rrijë kot! Oho, s`dashka zotëria e tij!
4. Përdoret kur shprehim një mendim ose diçka që na kujtohet
papritur. Oho, e kujtova se ku e kam lënë! Oho, unë e di se ku
është!

OHU
1. Përdoret kur shprehim mospërfillje a moskokëçarje për diçka,
kur diçka nuk na bën përshtypje ose nuk na vlen fare. Ohu dhe
ti, ia ke ngenë. Ohu, kjo nuk është gjë fare! Ohu, ajo punë ka
marrë fund me kohë!
2. Përdoret kur flasim për diçka që dihet a vetëkuptohet ose për
diçka që nuk duhet shtjelluar më tej a që nuk duhet filluar. Ohu,
është shumë e ngatërruar kjo çështje. Ohu, kush ia hyn asaj
pune!
3. Përdoret kur flasim për gjëra a për veprime të shumta, që
s'numërohen dot a që s'duam t’i themi në mënyrë të përcaktuar.
Ohu, sa të mira na ka bërë ai! Ohu, sa mund të të tregoja për
to! Ohu, sa herë kemi shkuar atje!
4. Përdoret kur flasim për diçka që ka ndodhur në një kohë të
shkuar a të largët.
Ma ka thënë, ohu, shumë kohë më parë. Ohu, kur kam
mbaruar unë!

OI
1. Përdoret kur shprehim dhimbje fizike a shpirtërore, hidhërim
etj. (vetëm nga vajzat dhe gratë), oh. Oi, sa më dhemb! Oi, unë
e shkreta! Oi, mos është vrarë njeri!
2. Përdoret kur qesëndisim me dikë a e përqeshim dikë
(zakonisht nga vajzat dhe gratë). Oi, na çudite me ato që na the!
3. Përdoret kur shprehim mërzi a bezdi ose pakënaqësi ndaj
dikujt (zakonisht nga gratë dhe vajzat). Oi, edhe ti me këto gjëra!
Oi, një e dy dhe po atë fjalë! Oi, sa na mërzite!

OJ
1. Përdoret kur shprehim frikë, druajtje etj. ndaj diçkaje (vetëm
nga vajzat dhe gratë). Oj, sa u tremba!
2. Përdoret kur shprehim habi para një të papriture ose për diçka
jo të zakonshme, oh. Oj, kush paska ardhur! Oj, sa bukur e
paskan bërë!
3. Përdoret kur qesëndisim me dikë a e përqeshim dikë; përdoret
kur shprehim kundërshtim për diçka. Oj, bjere më thotë! Oj kjo,
iu ngrit mendja! Oj, ia paske vënë syrin! Oj, oj, na shitka dhe
mend! Oj, dashka edhe të tjera!
4. Përdoret për të përforcuar sigurinë e një veprimi, miratimin për
një gjendje etj. Oj të shëruar, një me një. Oj të lodhur! Oj të
rrahur që i bëri!

OR
More, ore. Or, po ne nuk e besuam në fillim!
Or, po ç'është kështu me ty?! Or, po plasa nga vapa. Or, po u
lodha me të dhe s'po ia mbush dot mendjen!

ORE
1. Përdoret kur thërresim dikë a i drejtohemi dikujt për t'i folur.
Ore, juve ju them! Ore, ç'flet kështu? Ore, pa eja këtu. Ore, a
dëgjon ç’të thonë?
2. Përdoret kur shprehim habi, admirim a një ndjenjë tjetër. Ore,
ore, ke parë ti kështu! Ore, ç'vete! O po ky, ore! Ore, po sa
mirë e ditka! Ore, sa i madh qenka!

OU
1. Përdoret kur shprehim habi për diçka jo të zakonshme ose të
papritur. Ou, paska ardhur ai?! Ou, sa i fuqishëm paska qenë!
2. Përdoret kur flasim me qesëndi për dikë a për diçka. Ou, sa i
zgjuar na paske qenë!

3. Përdoret kur shprehim një dhimbje trupore; o. Ou, ç`u vrava! 

Fjalor pasthirrmor

No comments:

Post a Comment